Kur të Jesh Mërzitur Shumë

 

Këtu s’do jem, do jem larguar:
Në tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamerierët.

Dhe nëpër udhët ku kam ecur
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varin tim do rrijë i heshtur
Një qiparis si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do më kesh në dhomë gjallë,
Dhe kur në xham të fryjë erë,
Do qash me erën dalëngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë,
Atje do jem i fshehur unë,
Në ndonjë fjalë e ndonjë shkronjë.

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje.