Dallga e emigrantëve nëpër Ballkan anashkalon Kosovën

Ti fillimisht sheh plehrat. Pastaj një rresht me qindra çanta të zeza shpine të vendosura anësh rrugës. Pastaj një grup emigrantësh të shtrirë, më së shumti burra nga Siria, Iraku, Afganistani apo vende shumë më të largëta si Gambia, Nigeria dhe Somalia, të mbledhur përreth pemëve dhe shkurreve për të shmangur diellin përvëlues dhe vapën prej 35 gradësh celsius.

Ata po presin të hyjnë në një Qendër me Një Ndalim të sapohapur, e cila ngjan si një kamp ushtarak në një ish fabrikë të përpunimit të duhanit në Preshevë, Serbia e jugut. Atje atyre do t’u merren shenjat e gishtave, do të fotografohen dhe do t’u jepet një afat prej 72 orësh për t’u larguar nga Serbia për në Hungari.

Çdo ditë, mes 1 mijë dhe 1,500 vetë po mbërrijnë. Banorët e Preshevës, një qytezë me shumicë shqiptare në kufirin e Serbisë me Kosovën dhe Maqedoninë, vunë re një rritje të ndjeshme të numrit rreth tri javë më parë.

“Presheva e vogël është bërë udhëkryq i botës,” tha një zyrtar ndërkombëtar. “Konflikti i ka dërguar ato në dyert e Europës.”

Shumica janë duke u arratisur nga lufta dhe dhuna sektare. Mes tyre gjendet një grup i madh palestinezësh të rritur në kampet e refugjatëve të Sirisë, irakenë të frikësuar nga Shteti Islamik dhe afganë që arratisen nga vendi i tyre i copëtuar.

“Unë nuk i kam qejf vrasjet dhe nuk dua të rekrutohem në ushtri,” thotë Mehyar Abboud, 22 vjeç, një sirian nga qyteti i Masxhafit, i cili është në shumicë alevite – bashkësia e diktatorit të Sirisë Bashar al-Assad dhe që sunitë ekstremistë e shohin si bashkësi heretikës.

Ai ka studiuar violonçelin dhe përshkruan pasionin e tij për Yo-Yo Ma dhe Philip Glass, duke shtuar me trishtim se iu desh të linte instrumentin e tij në Turqi për shkak se qe tepër i madh. “Ky udhëtim është i vështirë, por së paku këtu nuk ka vrasje dhe rrjedhimisht, çdo gjë është në rregull,” thotë ai ndërsa rikujton shtegtimin torturues nga Greqia në Serbi përmes Maqedonisë.

Emigrimi është një problem në rritje nëpër Europë. Mijëra njerëz u mbytën në brigjet e Italisë vetëm gjatë muajit prill, duke shtyrë udhëheqësit të organizojnë një samit Europian dhe duke detyruar emigrantët dhe trafikantët të ndryshojnë rrugë në udhëtimin e tyre nga deti në tokë.

Emigrantët po mbërrijnë gjithnjë e më shumë në Europë përmes të ashtuquajturës Rruga e Ballkanit. Fillimisht ata shkojnë në Turqi para se të marrin një varkë për në Greqi dhe prej aty shkojnë me makina apo në këmbë përmes Maqedonisë deri sa mbërrijnë në Serbi. Maqedonia lejoi tri javë më parë që emigrantët të lëvizin lirshëm në vendin e tyre për 72 orë, gjë që ka lehtësuar kalimin e tyre dhe ka rritur numrin e atyre që mbërrijnë në Serbi. Ligji u miratua pasi së paku 25 emigrantë u vranë nga një tren, pasi shumë emigrantë përdorin linjën hekurudhore për të ecur drejt veriut.

Nëse regjistrohen në Serbi, emigrantët kanë gjithashtu 72 orë kohë për të lëvizur lirshëm, gjë që është e mjaftueshme që ata të mbërrijnë në Hungari. Sapo mbërrijnë në Hungari, ata kanë hyrë më në fund në zonën Shengen, ku lëvizet pa pasaporta dhe mund të shkojnë më lehtësisht në vendin e synuar, zakonisht Gjermani, Francë apo Suedi.

Agjencia e Bashkimit Europian për kufirin Frontex, thotë se numri i emigrantëve ilegalë që po mbërrijnë në kufijtë e jashtëm të BE-së është rritur me 2.5 herë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nga 61,500 në 153,000. Por ndërkohë numri i emigrantëve që ndjekin rrugën e Ballkanit është rritur me nëntë herë.

Më 6 korrik, parlamenti i Hungarisë votoi për ndërtimin e një gardhi 4 metra të lartë përgjatë 180 kilometrave të kufirit të këtij vendi me Serbinë me një kosto prej 20 milionë eurosh. Ndërtimi filloi më 13 korrik.

Serbia, një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, nuk ka para për të menaxhuar problemin siç duhet. Por ajo po paguan 15 mijë euro në ditë vetëm për infrastrukturën për emigrantëve dhe për kamerat termale përgjatë kufirit.

“Zgjidhja nuk qëndron te muret por te një politikë e përbashkët dhe serioze e vendeve të BE-së,” deklaroi kryeministri i Serbisë Aleksandar Vucic në Preshevë javën e kaluar duke iu referuar gardhit hungarez.

“Ti nuk mund të ndalosh një proces në të cilin njerëz nga territore të caktuara të Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme vijnë këtu në kërkim të një jete më të mirë,” shtoi Vucic.

Në stacionin e trenit në Preshevë, grupet e emigrantëve tregojnë nivelin e tyre arsimor dhe aftësitë e tyre të ndryshme.

Sabbah Abdullah, 44 vjeç, tregoi anëtarësinë e tij në Shoqatën Ndërkombëtare të Tae Kuon Do. Inxhinieri sirian Faiz Ashi tregoi pasaportën e tij të skaduar me vula nga Italia, Polonia dhe Bashkimi Sovjetik, duke shpjeguar në rusisht se të krishterët ortodoksë si ai janë të rrezikuar në Siri. “Ne menduam se konflikti do të përfundonte shpejt, menduam se mund të prisnim, por vit pas viti ai po bëhet gjithnjë e më keq,” tha Ashi.

Kthesë e gabuar drejt Kosovës

Emigrantët që marrin rrugën e Ballkanit kanë pak arsye të kalojnë përmes Kosovës. Ajo e bën udhëtimin më të gjatë dhe më problematik me dy kufij shtesë për t’u kaluar. Por një numër i vogël, disa qëllimisht dhe të tjerë, rastësisht, përfundojnë këtu.

“Disa njerëz marrin kthesën e gabuar apo gënjehen nga trafikantët,” thotë Fitim Zariqi, drejtor i qendrës së azilit në Magura, disa kilometra larg aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës.

Më 2014, rreth 100 emigrantë përfunduan në qendrën e vetme të azilit në Kosovë, ku mbi 60 qenë nga Siria. Deri tani për vitin 2015, numri nuk është rritur, thotë Zariqi.

Kjo qendër mund të strehojë 50 njerëz por kur Prishtina Insight e vizitoi atë në prill, vetëm gjashtë njerëz po qëndronin atje: pesë shqiptarë që largoheshin nga gjakmarrja dhe një algjerian.

Rezidentët këtu janë të lirë të vijnë e të ikin dhe marrin 40 euro në muaj ndërkohë që qëndrojnë. Familjet marrin 65 euro në muaj. Pothuajse askush nuk qëndron për të plotësuar procedurën gjashtëmujore të azilit. “Është një pikë për të pushuar,” thotë Zariqi.

Vendi u duk i veçuar dhe disa krevatë qenë ende në qese. Shenja nëpër mure në anglisht dhe arabisht shpjegonin rregullat ndërsa mensa ofron tri vakte në ditë. Ka edhe ndihmë mjekësore falas.

Në kafeteri, algjeriani pa vëmendje në TV ku po luhej muzikë ndërsa një djalë i ri nga Shqipëria shihte te ai.

“Ahmedi”, nuk është emri i tij i vërtetë, ritregoi se si ai përfundoi në Kosovë. Ai iku nga Algjeria 11 muaj më parë pas 13 vitesh shërbimi ushtarak dhe një kohë të kaluar në burg për shkak se la një grua shtatzënë jashtë martese.

Qëndrimi në Algjeri qe një rrezik për të kështu që, ai iku në Turqi dhe udhëtoi më së shumti në këmbë përmes Greqisë, Maqedonisë dhe Beogradit. Ai kaloi tri muaj në Beograd me një mik algjerian para se të përzihej nga vendi.

Në vend që të nisej drejt Hungarisë në veri, ai vendosi të zbresë në jug. “Miku im më tha se është më mirë në Kosovë. Cigaret dhe kostoja e jetesës është më e lirë,” tha Ahmedi në arabisht përmes një përkthyesi.

Në fund, ai mbërriti në Gjilan dhe gjeti strehë në një shtëpi bosh, ku qëndroi për tri ditë. Në ditën e fundit, pronari i shtëpisë e pa dhe njoftoi policinë.

“Lavdi Zotit. Kur policia më gjeti, më dha kafe, cigare dhe ushqim. Në Maqedoni policia të rreh. Ndërsa në Kosovë të jep ushqim,” tha Ahmedi.

Policia e dërgoi atë në Prishtinë ku ai kërkoi azil dhe u dërgua në qendrën në Magura.

Ahmedi duket më i vjetër se sa 35 vitet e tij – me fytyrë të rrudhur dhe të frikësuar. Në fund, ai dëshiron të mbërrijë në Zvicër për t’u bashkuar me djalin e tij, me të cilin nuk është takuar kurrë dhe me nënën e djalit, me të cilën dëshiron të martohet.

Por Agmedi thotë se ai nuk ka pasur kontakte me të prej vitesh dhe nuk e di se ku janë ata sot. “Lutem që t’i gjej ata,” tha ai.

Në korrik, Ahmedi u largua nga qendra, ndoshta për të vijuar udhëtimin e tij sërish në veri.

Në Kosovë, emigrantët vijojnë në vijnë në numra të vegjël. Javën e kaluar, nëntë prej tyre nga Siria u kapën pranë Prizrenit. “Për shkak se vendet e tjera në rajon po shohin rritje të të ardhurve, ne po e presin gjithashtu,” shpjegoi Zariqi. “Ne nuk kemi arsye të shqetësohemi, por kjo nuk do të thotë se nuk po përgatitemi për emigrantët.”