Kthimi në Shtëpi i të Fajësuarve për Terrorizëm

Jeton Sadiku, biznesmeni 42 vjeçar që bëri bujë në gusht të vitit 2011 kur bleu “Llamkos” – një ndër ndërmarrjet më në zë në Kosovë – ndodhet në paraburgim që nga dhjetori i vitit 2014, siç është raportuar më parë nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Fillimisht, paraburgimi i tij ishte caktuar për një muaj, por i është zgjatur me vendim të gjykatës çdo dy muaj, dhe biznesmeni parashikohet të mbahet në qeli deri në fund të muajit korrik.

Duke qenë shtetas i Britanisë së Madhe, ligjzbatuesit kosovarë druajnë se Sadiku mund të arratiset jashtë vendit. Ai akuzohet për veprën penale mashtrim dhe dëmtim i kreditorëve, por nuk paraqet rrezikshmëri të lartë për shoqërinë, për shembull, nuk është përfshirë në veprimtari terroriste.

Sot, ndërsa autoritetet kosovare të sigurisë kanë rritur angazhimin ndaj një rreziku gjithmonë e më konkret të terrorizmit në truallin vendas, katër persona që kanë pranuar përfshirjen në struktura dhe veprimtari terroriste, ndodhen në shtëpitë e tyre.

Kujtim Bllaca, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi dhe Hajrush Lajçi kanë pranuar fajësinë për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste në qershor duke iu ndryshuar masa e sigurisë.

Bllaca, Ibrahimaj dhe Bushi përfituan lehtësim të masës nga paraburgimi në arrest shtëpie. Ndërsa Lajçit iu kishte ndërprerë masa e paraburgimit më parë, dhe më pranimin e fajësisë, masa e tij u zbut nga arrest shtëpie në detyrim paraqitjeje në stacionin policor.

Të katër janë pjesë e grupit prej 32 personash që po gjykohen që nga 1 qershori në Kosovë, me akuzën se kanë lidhje dhe kanë marrë pjesë direkt ose tërthorazi në organizatat terroriste ISIS dhe Al-Nusra.

Grupi është pjesë e një vale arrestimesh të shtatorit 2014, ndërsa sipas Policisë së Kosovës, numri total i të arrestuarve deri më sot, është mbi 80 persona.

Kërkesa për rishikimin e masës së sigurisë u bë nga avokatët, u pranua nga prokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, dhe u vendos në fuqi nga një trup gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës, këtë qershor, çka përkon edhe muajin e Ramazanit.

Asnjë nga të akuzuarit e tjerë për terrorizëm që janë deklaruar të pafajshëm, nuk ka përfituar zbutje të masës së sigurisë, dhe të gjithë ata ndodhen në paraburgim.

Ndërkaq, të enjten e 21 korrikut, edhe dy të pandehur të tjerë, Skender Syla dhe Muxhahid Brava, gjithashtu pranuan fajësinë për terrorizëm, dhe ashtu si shokët e tyre, u nxorën nga paraburgimi për t’u lënë në arrest shtëpie.

Gëzim Baloku, avokati i të akuzuarit Artan Kadriu, i cili nuk e ka pranuar akuzën e ngritur, nuk është dakord me ndryshimin e masave të sigurisë në këtë formë nga gjykata.

“Kjo do të thotë ‘prano fajësinë dhe ne të lëshojmë prej burgut’. Kjo nuk është aspak në rregull, është shantazh ndaj të akuzuarit”, tha avokati për Gazetën.

Sipas Balokut, ndikimi i fajësisë ndikon në caktimin e dënimit por jo në masë të sigurisë, bazuar në ligjet e Kosovës. “Për këtë janë shkaqet dhe kushtet me të cilat caktohet dhe vazhdohet; pranimi i fajësisë nuk është as shkak, as kusht për masë të sigurisë”.

Ai thotë se këto vendime të gjykatës përbëjnë diskriminim duke qenë se të gjithë të akuzuarit përgjigjen për të njëjtën vepër penale.

Ekipi ligjor i BIRN vërejti se askund në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës nuk shkruhet se pranimi i fajësisë ndikon në rishikimin e masës së sigurisë.

Ligje të ashpra, gjykues të “butë”

Prokurori (special) i rastit, Blerim Isufaj, i pyetur përmes telefonit nga Gazeta Jeta në Kosovë , nuk e mohoi faktin se katër të vetëshpallurit fajtorë përbëjnë rrezikshmëri të lartë. Por ai u kufizua të thotë se “Dënimi është veç dy vite më shumë se armëmbajtja pa leje”.

Kjo e fundit konsiderohet vepër e rëndë në këtë rast sa Samedin Halimi dhe Kujtim Berisha, pjesë e grupit prej 32 personash, me pranimin e fajit iu ndërpre nga gjykatësi masa e paraqitjes në stacion policor, sërish me aprovimin e prokurorit Isufaj.

Kjo do të thotë se Halimi dhe Berisha jo vetëm nuk kishin qenë në paraburgim, por as në arrest shtëpiak. Armëmbajtja pa leje renditet në listën krimeve të rënda të Nenit 22 të Kodit të Procedurës Penale.

Po këtu, konsiderohen krime të rënda edhe veprat që lidhen me terrorizmin, me 9 pika në rend që u referohen atij. Në të njëjtin nen, “Terrorizmi” ndiqet menjëherë nga përmendja e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës.

Të pandehurit e akuzuar për terrorizëm u arrestuan në shtator të vitit 2014, ndërsa ndryshimi i masës së sigurisë u dha në ditët e para të qershorit.

Neni 190 i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, i cili flet për afatet e paraburgimit, shkruan se afati maksimal i paraburgimit është 8 muaj kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me më shumë se pesë 5 vjet burgim.

Kjo do të thotë se në zbatim pikë për pikë të këtij neni, gjykata ka qenë pak a shumë brenda kufirit të 8 muajve për lirimin e tyre.

Por në të njëjtin nen, Kodi thotë se kur ka shkaqe të bazuara dhe bindëse për të besuar se ekziston rrezik i përgjithshëm apo rrezik i dhunës [siç është terrorizmi, për shembull] nëse lirohet i pandehuri në procedurë paraprake, vazhdimi i paraburgimit mund të shkojë në një maksimum të përgjithshëm prej 18 muajsh.

Sipas kësaj dispozite, pranimi i fajësisë për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste nga Kujtim Bllaca, Hajrush Lajçi, Betim Ibrahimaj dhe Adil Bushi mund të kishte qenë shkak i mjaftueshëm për vazhdimin e mbajtjes në paraburgim.

Në 31 mars 2015, i pandehuri Agron Destani u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Destani akuzohej për disa grabitje, dhe gjykata fillimisht e dënoi me 3 vjet e nëntë muaj (nën 5 vjet).

Pas apelimit të çështjes ai fitoi pafajësinë, pasi prokurori u tërhoq nga aktakuza. Por ndërkaq qëndroi 3 vjet e 9 muaj në paraburgim, po aq kohë sa ishte dënuar.

Përvoja nga rasti i Shekit

Kreshnik Gashi, redaktor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, tha se është e çuditshme se si Prokuroria pajtohet për masa kaq të lehta kur prokurorët e dinë se sistemi mbikëqyrës i personave që mbahen në arrest shtëpiak lë shumë për të dëshiruar.

“Zakonisht, kontrolli i vetëm që kryhet është vizita një herë në ditë e policëve të stacionit në rrethin ku banon i dyshuari. Imagjinoni ku mundet të shkojë një person, i cili ka pranuar fajësinë për terrorizëm, brenda 24 orëve”, shpjegoi Gashi.

Ai tha se vepra për të cilët këta persona kanë pranuar fajësinë është shumë e rëndë dhe procesi i risocializimit për vepra të tilla nuk mund të ndodhë brenda 2-3 muajsh.

“Nuk di çfarë analize ka kryer prokuroria speciale për me u bind që këta persona nuk kanë me kry më vepra të ngjashme”, theksoi ai.

Gashi shpreson që kjo analizë të jetë e saktë, por duke kujtuar zbrazëtitë e mëdha të sistemit të drejtësisë në Kosovë, shton se “mundësia që të përballemi me një situatë ku vendimi i prokurorit dhe gjykatës janë të gabuara, është e madhe”.

Më shumë se një muaj më parë, Shefqet Hallaqi, i njohur me nofkën “Sheki”, ishte ndër të arrestuarit nga forcat e sigurisë së Maqedonisë në betejën me grupin e armatosur shqiptar, në Lagjen e Trimave në Kumanovë, më 9 maj 2015.

Në tetor të vitit 2014 i njëjti hapi zjarr me kallashnikov drejt Stacionit Policor “Alfa” në Prizren dhe në mars 2015, Gjykata Themelore e Prizrenit e dënoi me 3 vjet e 2 muaj burg, dhe 4 mijë euro gjobë.

I pakënaqur me dënimin ai apeloi. Gjykata e liroi nga masa e paraburgimit, dhe brenda dy muajsh Sheki iu rikthye sërish kallashnikovit, kësaj here në Kumanovë.

Pak ditë pas ndryshimit të masës së të pandehurve për terrorizëm në Prishtinë, një videomesazh i ISIS në YouTube kërcënoi vendet e Ballkanit, ku Kosova përmendej specifikisht.

Arsyeja e zotimit për sulme në Ballkan, përmendur nga folësit, tre luftëtarë mjekërgjatë me kombësi shqiptare, nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova, ishte se po poshtëroheshin myslimanët.

“Vallahi do të vijnë ditë të zeza për juve… Do të keni frikë e do të tmerroheni e të trishtoheni edhe në ëndrrat e juaja edhe atëherë kur ju flini. Do t’ju mbysim juve me lejen e Allahut. Do t’ju vijmë me eksplozivë”.

Këto janë fjalët e Abu Muqatil Al Kosovi, luftëtar i “Kalifatit Islamik”, ndryshe Ridvan Haqifi, akulloreshitës dhe imam nga Gjilani.

Video u publikua në 4 qershor 2015, vetëm 3 ditë pas fillimit të procesit të parë gjyqësor ndaj grupit të të dyshuarve për terrorizëm në Kosovë.

Nuk ekzistojnë prova se mesazhi i “Kalifatit” erdhi si reagim i fillimit të procesit, me qëllim frikësimin e autoriteteve në gjykimin e të pandehurve.

Por kërcënimet e Al Kosovit u morën seriozisht nga institucionet e Kosovës, dhe informacionet shtesë për sulme të mundshme në Prishtinë dhe Shkup, e vunë policinë në një gjendje gatishmërie.

Në një email të brendshëm të Policisë që Gazeta Jeta në Kosovë e ka parë, bazuar mbi këto të dhëna, policia i udhëzon strukturat e saj për rritje të vigjilencës.

Terror dhe pasiguri

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e kontaktuar nga Gazeta, u përgjigj formalisht duke thënë se me kohë ua ka bërë me dije besimtarëve se kjo luftë nuk ka të bëjë me parimet Islame.

Sipas BIK-ut islami nuk predikon dhunë e as imponim, duke cituar vargun kuranor ku shkruhet “Nuk ka dhunë/imponim në fe”

Një imam me peshë në Kosovë u kontaktua për të komentuar më në detaj mbi vlerësimin e islamit mbi këto akte dhe personave që marrin pjesë në to, por u shpreh se mund të fliste në kushtet e anonimatit, duke qenë se BIK-u ka ndaluar që imamët të shprehen për median.

Përkundër këtij urdhri të BIK-ut, veprimtaria mediatike e ISIS dhe mbështetësve të tij, vijon e patrazuar dhe jashtë kontrollit të autoriteteve fetare të Kosovës.

“Është e natyrshme që terroristët duan të përdorin çdo mjet të mundshëm duke përfshirë edhe vlerat fetare në mënyrë që t’i nxisin militantët e tyre të kryejnë akte terrori, të justifikohen para syve të opinionit publik dhe të fitojnë simpatinë e tij, por i dërguari i Zotit [Muahmedi] nuk ishte agresori”, tha ai.

Imami tha se veprimet e ISIS qartazi bien në kundërshti me vetë Kuranin: “Lufto në rrugën e Zotit, kundër atyre që po luftojnë, [por] mos i tejkalo kufijtë sepse Zoti nuk i do ato që e teprojnë” (2:190).

Sipas imamit, sulmuesi që kryen një sulm vetëvrasës është fajtor për një listë të gjatë krimesh.

“Vrasja e njerëzve të pafajshëm, tradhtia dhe cenimi i vendit që e ka pajisur me leje qëndrimi, traumatizmi dhe dëmtimi psikologjik i njerëzve, dëmtimi i pronave të të pafajshmëve, dëmtimi i imazhit të islamit”, përmendi teologu mysliman ndër të tjera.

Shpend Kursani, studiues i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) kishte qëndrime të përziera mbi vendimin e gjykatës për nxjerrjen nga paraburgimi të katër të pandehurve për terrorizëm.

“Për këta persona duhet konsideruar akuza; nëse kanë qenë rekrutues, atëherë mendoj se do të ishte rrezik”, tha Kursani. Ai shtoi se vlerësimin se a kanë hequr dorë persona nga kjo ideologji, duhet ta bëjnë institucione të specializuara shtetërore në bashkëpunim me autoritetet fetare të Kosovës.

“Duhen përfaqësues të fesë islame dhe të shohin nivelin e sinqeritetit të tyre”, vërejti Kursani, i cili është përgatitës kryesor i studimit “Shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak”.

Por teologu i kontaktuar nga Gazeta, shprehu dyshime sesa funksionale mund të ishte kjo qasje. Ai tha se “imamët e pavarur”, mediet dhe bashkësitë përkatëse, kryesisht vahabiste, janë jashtë çdo kontrolli. “Ata thjesht nuk e njohin autoritetin e BIK-ut”, vërejti imami.

Prokurori special i rastit të 32 të akuzuarve për terrorizëm në Kosovë, Blerim Isufaj, i pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë se përse ishte pajtuar për ndryshimin e masës së sigurisë për katër të akuzuarit, tha: “Kjo është punë e gjykatës; lëreni këtë punë, nuk është punë e juaja.