Gjyqi i trazuar i ‘Grupit të Drenicës’

Gjyqi i ish-luftëtarëve të UÇK-së të njohur si “Grupi i Drenicës”, që përfundoi sot, hasi probleme që në fillim, kur në Prishtinë u organizua një demonstratë e madhe nga mijëra njerëz të zemëruar nga arrestimi i veteranëve të luftës në vitin 2013.

Gjyqi pati turbullime të mëtejshme në vitin 2014, kur tre nga të pandehurit u arratisën për disa ditë në shenjë proteste ndaj transferimit në burg.

Të pandehurit ishin të gjithë ish-anëtarë të një grupi operativ të UÇK-së me bazë në zonën e Drenicës në Kosovën qendrore. Ata luftuan për pavarësinë e Kosovës nga Serbia në fund të viteve 1990 dhe shihen si heronj nga shumë njerëz.

Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, shumica e lidershipit të Kosovës doli nga “Grupi i Drenicës”, përfshirë këtu edhe ish-kryeministri Hashim Thaçi, i cili tani është Ministër i Punëve të Jashtme.

Përveç Thaçit, Sylejman Selimi, ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, ishte anëtari më i spikatur dhe gjithashtu një nga të pandehurit më të njohur në gjyqin e “Grupit të Drenicës”. Si Selimi ashtu edhe Thaçi u dënuan në mungesë për terrorizëm në vitin 1997 nga autoritetet serbe.

Pas luftës, Selimi u emërua komandant i Gardës së Kosovës, atëherë komandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, dhe deri në vitin 2011, kur ai u emërua ambasador në Tiranë, ai ishte komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai u arrestua në vitin 2013 së bashku me Sami Lushtakun, një tjetër i ish-anëtar i njohur i “Grupit të Drenicës”.

Lushtaku, aktualisht kryetar i komunës së Skenderajt, u fut në politikë pas luftës dhe u bashkua me Partinë Demokratike të Kosovës, e njohur edhe si PDK-ja, e drejtuar nga Hashim Thaçi. Partia përbëhej kryesisht nga ish-anëtarë të UÇK-së dhe u formua menjëherë pas çmilitarizimit të saj.

Sipas një raporti nga raportuesi i Këshillit të Europës Dick Marty, “Grupi i Drenicës” ishte i përfshirë në disa aktivitete të ndryshme kriminale duke filluar nga pastrimit të parave e deri te kontrabandë droge dhe cigaresh, trafikim njerëzish, prostitucion dhe monopolizim të detyruar të sektorëve më të mëdhenj të ekonomisë së Kosovës, duke përfshirë karburantin dhe ndërtimin.

Por akuzat më të rënda thanë se grupi ishte i përfshirë edhe në heqje organesh të të burgosurve të kapur gjatë konfliktit në Kosovë – edhe pse askush nuk është akuzuar ndonjëherë për këtë dhe ish-shefat e UÇK-së kanë mohuar me vendosmëri që kjo të ketë ndodhur ndonjëherë.

Akuza për vrasje dhe tortura

Pesëmbëdhjetë ish-anëtarët e UÇK-së – Agim Demaj, Bashkim Demaj, Driton Demaj, Selam Demaj, Fadil Demaku, Jahir Demaku, Nexhat Demaku, Zeqir Demaku, Sabit Geci, Ismet Haxha, Sahit Jashari, Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Isni Thaçi dhe Avni Zabeli – u akuzuarn për krime lufte kundër të burgosurve civilë.

Sipas aktakuzës, në shtator të vitit 1998 ata  “vunë në rrezik integritetin trupor” të dy civilëve, të njohur me emrat e koduar A dhe B, të cilët ishin të burgosur në një qendër burgimi të UÇK-së në fshatin Likovc në komunën e Skenderajt. Padia tha se ata i rrahën viktimat me shkopinj dhe i detyruan ata më pas të rrihnin njëri-tjetrin. Një numër civilësh të tjerë gjithashtu thuhet se janë torturuar dhe rrahur në të njëjtën qendrën paraburgimi në fshatin Likovc nga shtatori 1998 deri në fillim të vitit 1999.

Ata supozohet se kanë torturuar disa civilë të paidentifikuara shqiptare gjatë gushtit dhe shtatorit 1998 në fshatin Shipol në komunën e Mitrovicës.

Aktakuza akuzoi gjithashtu Sabit Gecin dhe Sahit Jasharin për vrasjen e policit serb Ivan Bullatovic në qershor 1998, duk i prerë fytin me sharrë elektrike.

Sipas aktakuzës, Sami Lushtaku, ishte gjithashtu përgjegjës për vrasjen e një numri civilësh në një vend të papërcaktuar midis fshatrave Galic dhe Dubovc në shtator 1998.

Dëshmitarët ndryshojnë dëshmitë e tyre

Gjatë gjyqit dy vjeçar, sfida më e madhe për gjykatën ishte të siguronte sigurinë dhe besueshmërinë e dëshmitarit. Para se të fillonte gjykimi, disa prej dëshmitarëve të mbrojtur biseduan me gazetarin e Kosovës Milaim Zeka, i cili transmetoi një intervistë me fytyrat e tyre të fshehura, por zërat e tyre ishin të identifikueshëm, e cila është e ndaluar me ligj në Kosovë.

Problemet vazhduan gjatë gjykimit ndërsa disa nga dëshmitarët e propozuar nga prokuroria ndryshuan dëshmitë e tyre nga deklaratat që dhanë gjatë hetimit ose në polici. Pjesa më e madhe e dëshmitarëve u shpreh se deklaratat e tyre origjinale ishin falsifikuar ose nuk ishin përkthyer si duhet, ose se ata nuk kishin kontrolluar atë që ishte shkruar në emër të tyre.

Disa nga dëshmitarët u deklaruan gjithashtu “dëshmitarë armiqësorë” pasi u thirrën nga prokuroria, por më pas i ndryshuan plotësisht dëshmitë e tyre.

Shumica e dëshmitarëve thanë se ish-luftëtarët e UÇK-së i rrahën “sepse ata bashkëpunuan me Serbinë” gjatë konfliktit të Beogradit me forcat guerile.

Një dëshmitar i mbrojtur, me emrin e koduar A, tha në gjykatë se Hashim Thaçi e kishte urdhëruar direkt Sylejman Selimin “t’i vriste këta njerëz” – pra, të dyshuarit si bashkëpunëtorë me qeverinë serbe.

Dëshmitari tha gjithashtu se Selimi i kishte thënë se Shtetet e Bashkuara po i paguanin ata që të vrisnin ata që dyshoheshin si bashkëpunëtorë.

“Këtë ma thanë Sylejman Selimi, Hysni Thaçi, Zeqir Demaku dhe Jahir Demaku. Ata më thanë se ata secili kishte marrë nga 500 marka gjermane në muaj për të vrarë spiunë,” shtoi dëshmitari.

Dëshmitarë të tjerë konfirmuar në kampin e burgimit në Likovc rriheshin rregullisht. Dëshmitarja e mbrojtur K tha se kur i shoqi u kthye në shtëpi, pasi u mbajt atje për një muaj, ishte i plagosur rëndë.

“Gjendja e tij ishte shumë e rëndë. Ai kishte gjak mbi rrobat, brinjë të thyera dhe ishte enjtur në të gjithë trupin. Pyesja veten se si mund të kishte ardhur në shtëpi në këmbë në atë gjendje,” tha dëshmitarja.

Megjithatë, disa prej dëshmitarëve kryesorë të cilët ndryshuan dëshmitë e tyre gjatë gjykimit akuzuan EULEX-in (misionin e sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë) për keqtrajtim, duke përfshirë edhe dëshmitari i koduar F, i cili i tërhoqi deklarata inkriminuese që ai bëri për të pandehurit. Dëshmitari F tha në gjykatë se ish-prokurori i EULEX-it Maurizio Salustro kishte shkruar atë që ai e donte në deklaratë në këmbim që ta dërgonte atë dhe gruan e tij të sëmurë jashtë vendit.

Të pandehurit mohouan gjithçka

Të gjithë burrat në gjyq këmbëngulën se nuk ishin fajtorë dhe se lufta e tyre kundër Serbisë ishte e ligjshme dhe e nderuar.

Në deklaratën e tij mbyllëse, Sami Lushtaku, i tha gjykatësit se ai thjesht mbrojti vendin e tij gjatë luftës, por nuk ka kryer asnjë krim.

 “Nuk po kërkoj mëshirë, por drejtësi,” tha Lushtaku.

Ai tha se do ta bënte përsëri të njëjtën gjë në të njëjtat rrethana

“Edhe po të kisha 100 jetë, do të bëja të njëjtën gjë,” shtoi ai.