Konviktet-Mbi 1 Mijë Ankesa të Studentëve të Refuzuar

Ndonëse vijnë nga qyteti i Isogut i cili është 82 kilometra larg Prishtinës, dy fëmijë nga familja Kajtazaj janë refuzuar të pranohen në konvikt për banim. Përjashtim është bërë vetëm për njërin prej tyre. 

Alberina, Samir dhe Florentina Kajtazi,  që të tre kishin bindjen se do të pranoheshin në konvikt duke u bazuar në notën mesatare të tyre dhe largësinë e qytetit prej nga vijnë,  por janë ndarë të zhgënjyer me refuzimin që u ka bërë Qendra e Studentëve. 

Dy të parët nuk arritën të marrin statusin e studentëve banues të konviktit, ndërsa ishte pranuar vetëm motra e tyre,  Florentina, studente në Fakultetin e Mjekësisë. 

Pasi ajo është akomoduar në konvikt, vëllai Samiri që studion ekonomikun, ka vendosur të banojë në një banesë private të kryeqytetit. Por më keq ka mbetur motra e tyre, Alberina, e cila thotë që familja e tyre nuk ka mundësi të paguajë edhe një qira për të.  

“Familja jonë nuk qëndron mirë me kushte ekonomike sa për të paguar tri qira në banesa private për secilin. Pasi motra u pranua në konvikt, e vëllai gjeti një banesë private, mundësitë nuk janë që të paguhet edhe një qira tjetër”, ka thënë Alberina, studente e vitit të dytë në ekonomik.

Nëse Qendra e Studentëve nuk i bën ndonjë zgjidhje, Alberina ka gjasa edhe të ndërpresë studimet në Fakultetin Ekonomik.

“Mundësia për vazhdim të studimeve është konvikti, sepse nuk kam mundësi të udhëtoj apo të qëndroj në banesa private”, ka thënë Alberina. 

As udhëtimin ajo nuk e sheh si zgjidhje, pasi thotë që kjo i kushton shumë. Një biletë udhëtimi vajtje-ardhje nga Istogu në Prishtinë dhe anasjelltas kushton tetë euro për person dhe këtë shumë- thotë Alberina- nuk ka mundësi ta paguajë çdo ditë. 

Florentina dhe Alberina Kajtazi vitin e kaluar kishin qenë banuese të rregullta të konviktit gjatë kohës sa kishin qenë në vitin e parë të studimeve.  

Kjo e fundit thotë se ato asnjëherë nuk kanë bërë ndonjë problem në konvikt i cili mund të përdorej si arsye refuzimi që ato të mos banojnë më.

“Kemi qenë të rregullta me pagesën dhe asnjëherë s’kemi pasur probleme”, ka thënë Alberina Kajtazi. 

Ato kanë bindjen se i kanë përmbushur kriteret edhe këtë vit për t’u pranuar si banuese të rregullta të konviktit. 

Sipas konkursit të shpallur nga Qendra e Studentëve për pranim të studentëve të rregullt në konvikte, 2 deri 10 pikë mund të fitohen nga largësia e komunës nga Prishtina. Ndërsa është paraparë që deri në tri pikë të fitohen për studentët që vinë nga e njëjta familje. Pikë mund të fitohen edhe nga nota mesatare që kanë studentët, ku përfshihen 5 deri 12 pikë gjithsej. 

Qendra e Strehimit e cila edhe e ka nën mbikëqyrje vlerësimin e studentëve për t’u pranuar në konvikt, mohon t’u jetë bërë padrejtësi Samir dhe Alberina Kajtazit nga Istogu. 

Isak Beha, drejtori i Qendrës së Strehimit, thotë se Alberina Kajtazi nuk i ka përmbushur kriteret për pranim. Sipas tij, ajo e ka pasur të ulët notën mesatare, duke ia pamundësuar fitimin e pikëve të duhura për pranim në konvikt. 

Në bazë të dëshmisë që ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë, Alberina Kajtazi ka notë mesatare 7.38 e që me kritere të konkursit ajo mund të fitojë deri në shtatë pikë me këtë notë që ka. 

“Studentët me notë mesatare nga 6-7.9 fitojnë 5-7 pikë”, thuhet në konkurs. 

Isak Beha ka komentuar edhe për qëndrimin paraprak të motrave Kajtazi në konvikt. Ai thotë që kjo nuk ua lehtëson atyre që të fitojnë më shumë pikë. 

“Nuk ka kriter që sivjet me fitu bonus studentët që kanë qëndruar vitin e kaluar në konvikt. Këtë vit e kemi ditë me kohë që do të kemi fluks më të madh të studentëve. 2 mijë e 500 kërkesa më shumë i kem pasë sivjet”, u shpreh ai. 

Ndërkohë këtë vit mbi 8200 studentë kishin aplikuar për banim në konvikte, por janë pranuar vetëm 3600. 

Menjëherë pas shpalljes së rezultateve në qendrën e strehimit kishin shkuar mbi 1200 ankesa të cilat pritet të shqyrtohen në ditët në vazhdim.

Refuzohet edhe studenti nga Malisheva

Edhe  Erion Kryeziu nga Malisheva nuk është bërë pjesë e konvikteve. Ai nuk është i vetmi nga familja që studion në Universitetin  e  Prishtinës, pasi ka edhe një motër e vëlla që janë studentë.

Për ta është i vështirë edhe udhëtimi i rregullt, pasi një biletë shkuarje-ardhje nga Prishtina në Malishevë është katër euro për person. 

Pas refuzimit që i ka bërë Qendra e Strehimit, ai me datë 25 shtator ka dorëzuar një ankesë te Isak Beha, drejtori i Strehimit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

“Gjendja jonë ekonomike është shumë e vështirë , duke e marrë parasysh faktin që jemi tre studentë të një familje” thuhet në ankesën e tij. 

Përveç ankesës që ka bërë, atij i është dashur ta marrë edhe një certifikatë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale me të cilën dëshmon se babai i tij ishte i papunë.

Isak Beha, drejtori i Qendrës së Strehimit, thotë që Erioni nuk i ka plotësuar kriteret për të qenë pjesë e konviktit. Sipas tij, ai I ka grumbulluar 19 pikë, të cilat sipas Behës kanë qenë të pamjaftueshme për t’u bërë pjesë e konviktit. 

Ndonëse gazeta ka kërkuar qasje në listat e studentëve të pranuar në konvikte dhe pikët që ata kanë marrë, ai nuk e ka lejuar një gjë të tillë. 

“Listat e studentëve që janë pranuar mund të shfletohen vetëm pasi të jenë arkivuar”, ka thënë Beha. 

Por, Erion Kryeziu, nuk është mjaftuar vetëm me ankesën në Qendrën e Studentëve. 

Me ankesë i është drejtuar edhe  Ministrisë së Arsimit, institucion ky që mbikëqyr këtë qendër. 

Këtë e pohon edhe  Inspektorja Shyhrete Reçica nga MAShT-I, e cila tha se ky komision është duke punuar në ditët në vazhdim për të shqyrtuar një numër të madh të ankesave që kanë pranuar. 

Ajo tregon se procedura nuk e do që studentët të ankohen në të dyja Institucionet menjëherë, ashtu si ka bërë Erioni.

“ Sipas procedurave nuk duhet që dy ankesa të bëhen në të njëjtën kohë edhe në Qendrën e Studentëve edhe në Ministri të Arsimit, por nuk e kam kthyer dhe ia kam pranuar ankesën” , u shpreh ajo.  

Studentët pretendojnë se në konviktet e Qendrës së Studentëve jo rrallëherë pranohen edhe studentë nga komunat e afërta me Prishtinën. 

Por këtë e kundërshton Isak Beha drejtori i kësaj qendreje. Sipas tij ndodh të ketë përjashtime, por janë raste të numëruara. 

“Studentët nga komuna e Drenasit  i kanë tre pikë për largësi edhe për faktin që mund të jetë fëmijë i dëshmorit merr dhjetë pikë, plus kalkulimi i suksesit edhe ai merr njëzet e diçka pikë menjëherë, këto janë variantet kur mund të pranohet ndonjë student me banim afër Prishtinës”,  tha Beha.

Ndërsa ka mohuar kategorikisht pretendimet se studentët me banim afër Prishtinës pa këto përjashtime janë pranuar në konvikte.