Nga Miku Më i Mirë te Makthi Më i Keq

Dhe jo, ajo thotë se kurrë nuk kanë qenë dashnorë. 

Turkoviq është dëshmitare kyçe në aktakuzën e rëndë ndaj të lindurit në Kosovë, Naser Kelmendit, që e ngarkon atë si udhëheqës i një organizate të fuqishme trafikuese të drogës. Në aktakuzë përmendet edhe një kandidat presidencial dhe ish-shefi i Turkoviqit, Radonçiq, si bashkëkryes i veprimtarive kriminale të organizuara, përfshirë vrasjen e mafiozit Ramiz ‘Celo’ Delaliq në vitin 2007. 

Mohuesit e deklaratave të Turkoviqit e kanë quajtur atë të marrë, të papërmbajtur dhe të vendosur që ta mbrojë bashkëshortin e saj kriminel. 

“Një grua më së lehti mund ta diskreditoni duke e quajtur kurvë,” deklaroi ajo para një reporteri të Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PRKOK) dhe CIN në një intervistë të gjatë dhe të bujshme të dhënë në shtëpinë e saj të madhe në rrugën “Hercegovaçka”. 

“Po të isha e papërmbajtur dhe po t’i kisha të gjitha ato lidhje që përpiqen të m’i mveshin, a do qëndroja katër vjet përkrah burrit tim dhe nuk do vuaja siç kam vuajtur, duke jetuar pa asnjë cent?”

Edhe pse shtëpia e Turkoviqit thuhet se vlen gati gjysmë milioni euro, dhomat e shumta të saj ishin të mobiluara fare pak. Ajo pretendon se jeton nga pensioni i nënës së saj prej 300 KM (200 USD) dhe i pështillte cigaret vetë gjatë intervistës. 

E veshur me një bluzë të errët dhe tuta ngjyrë hiri, flokët i kishte të parregulluara dhe dukej nervoze, duke insistuar që intervista të zhvillohej në një dhomë të vogël për të cilën ishte e sigurt se nuk përgjohej. 

Ajo fliste shpesh dhe gjatë bashkëbisedimit të saj me PRKOK-un, duke qenë e bindur mbi faktet që i paraqiste dhe duke u përpjekur që t’i ato t’i paraqesë në mënyrë të kuptueshme. 

Bashkëshorti i saj, Zijad “Zika” Turkoviq, vitin e kaluar u dënua me 40 vjet burgim për një sërë veprash penale, përfshirë trafikimin e drogës, një plaçkitje të guximshme në repartin e kargos në Aeroportin e Sarajevës në vitin 2007 dhe pesë vrasje, përfshirë një vrasje të një gruaje shtatzënë. Gjykata e Apelit muajin e kaluar ktheu prapa vendimin e shkallës së parë dhe urdhëroi rigjykim; ai mbetet në paraburgim. 

Në moshën 38-vjeçare, znj. Turkoviq është një grua tejet atraktive, e pamja është pasuri e vërtetë në punën e saj si prezantuese televizive. Radonçiq, që është themelues i një mbretërie të vërtetë mediale, tani ka ikur nga mediat dhe i ka hyrë politikës. Gjatë kohës kur  punonte për ish-mogulin medial, ajo thotë se kishte qasje në sekretet më të thella të mbretërisë së tij – informata këto të cilat tani po i shfrytëzon për të shkatërruar ish-mentorin e saj, të cilin ajo tani e portretizon si një mostër gjakftohtë. 

Radonçiq është përmendur në aktakuzën 49-faqëshe si anëtar i bandës kriminale të udhëhequr nga caku kryesor i hetimeve, Kelmendi, i cili akuzohet për udhëheqjen e një zinxhiri të madh të trafikimit të drogës, që bartte drogën nga Afganistani dhe Turqia në Evropë. Kelmendi aktualisht gjendet në paraburgim në Kosovë, ku po e pret gjykimin e cili pritet të fillojë në tetor. 

Aktakuza me nëntë pika fokusohet në dy fusha kryesore: vrasjen e Delaliqit dhe mbretërinë e trafikimit të drogës të Kelmendit. Edhe pse kundër Radonçiqit nuk është ngritur akuzë, aktakuza e Kelmendit pretendon se ai ka ndihmuar në planifikimin e vrasjes së Delaliqit dhe ka paguar për të. 

Policia ka dyshuar në lidhje mes Radonçiqit dhe Kelmendit për vite me radhë. Këta dy kanë qenë të përfshirë në shumë biznese me toka dhe vetura përgjatë vitesh. Radonçiqi, i cili themeloi gazetën më të madhe ditore të Bosnjës (Avaz), tani është duke u kandiduar për njërën nga tri pozitat presidenciale në Kryesinë e Bosnjës e Hercegovinës në zgjedhjet që do mbahen në tetor. 


Sejla Jugo Turkovic

Djali i Naser Kelmendit hedh poshtë pohimet e Sejla Turkoviq

Turkoviq thotë se ajo di shumë mbi ndërveprimin mes Radonqiqit dhe Kelmendit gjatë dekadës së fundit. Ajo e tregoi storien e saj para prokurorëve, duke ofruar shumë detaje mbi emrat, datat dhe ngjarjet e zhvilluara, të cilat është e gatshme t’i dëshmojë prapë në gjykatë. Për t’ia siguruar këtë mundësi, asaj i është caktuar përcjellje policore 24 orë në ditë. 

Radonçiq nuk i trajtoi këto çështje gjatë intervistës së tij me RPKOK-un, por vazhdimisht e quante atë gënjeshtare e cila po e bën këtë për ta mbrojtur bashkëshortin kriminel të saj. 

Kelmendi (përmes djalit të tij Besnikut) dhe të tjerëve që janë të objekt i aktakuzës, pajtohen me Radonçiqin mbi atë se ajo është gënjeshtare dhe se po përpiqet që t’i fajësojë ata në përpjekje për ta hequr vëmendjen nga bashkëshorti i saj dhe veprimtaria famëkeqe e organizatës kriminale të saj. 

Besnik Kelmendi ishte në veçanti i rreptë në lidhje me këtë. “Çka di ajo idiote Sejla mbi (babanë e tij) Naserin? Asgjë! Ajo kishte aferë me Fahrudinin, prandaj edhe krijon këtë lidhje – ajo me Fahrudinin dhe Fahrudini me Naserin. Por, ajo nuk di asgjë për Naserin dhe nuk e di se si mund të jetë dëshmitare kundër tij?”

Radonçiq thotë se të vetmet prova që autoritetet kanë kundër tij vijnë nga Turkoviqi dhe që ato s’janë gjë tjetër veç një grumbull gënjeshtrash. “Emri im përmendet në aktakuzë vetëm në bazë të një dëshmie të rrejshme të dhënë nga Sejla Jugo Turkoviq tek autoritetet hetuese”, tha ai për RPKOK/CIN-in. Ai vazhdimisht theksonte se nuk është ngarkuar me asnjë akuzë për kryerje të krimeve. 

Turkoviq thotë se ata po e denigrojnë për shkak se e dinë se sa di ajo dhe sa mund t’u bëjë dëm ajo.  “Po të isha unë dëshmitare e komprometuar dhe e paqëndrueshme, prokurori amerikan nuk do të më merrte në pyetje për tri ditë (dhe) nuk do të kërkonte nga unë që të jem dëshmitare në Kosovë,” tha ajo. 

Por “pasi që i kanë krahasuar deklaratat e mia me informatat tjera që i kanë pasur në dispozicion, e kanë parë se po e them të vërtetën. Kjo sepse unë kam qenë e përfshirë dhe e pranishme në të gjitha ngjarjet që lidhin Radonçiqin dhe Kelmendin”. 

E ajo rrëfen goxha një tregim. 


Zijad Turkovic

Takimi i parë me Radonçiqin

Turkoviq thotë se në vitin 2001, kur punonte në Ministrinë e Punëve të Brendshme si asistente personale dhe zëdhënëse e ministrit të asaj kohe Ismet Dahiq, ajo u takua së pari me Radonçiqin, i cili po kërkonte një person të arsimuar dhe që fliste anglisht rrjedhshëm për t’i ndihmuar në takime të rëndësishme me politikanë e biznesmenë. 

“Ju e dini se çfarë ishin kushtet në ministri – me pagat e ulëta dhe të ngjashme. Ai më ofroi një punë dhe më tha se mund të shkoja të punoj për të kur të doja dhe se ishte më mirë se të punoja në ministri… se në ministri ishte tmerr i vërtetë dhe se njerëzit ndërrohen kur të ndryshojë qeveria, blla, blla, blla”, rikujton ajo. 

“Pas ca kohe, unë vendosa që të ndërroj vendin e punës për shkak të pagës dhe kësisoj fillova të punoj për të. Ndërkohë, ne u bëmë miq shumë të mirë dhe ai më besonte”, pasi që ajo kurrë nuk kishte folur keq për shefin e saj të mëparshëm dhe kurrë nuk “kishte zbuluar gjërat që i dinte nga Ministria e Punëve të Brendshme”.

Ajo thotë se moguli medial ishte i rrethuar me njerëz që i thoshin vetëm ‘po’, por Radonçiqit i pëlqente mënyra se si ajo nuk pajtohej me të nëse mendonte ashtu. “Kështu ne u bëmë miq të ngushtë. Unë pothuajse u bëra anëtare e familjes së tij dhe Azrës”, thoshte ajo duke iu referuar ish-gruas së tij. 

Ajo zbuloi se disa bashkëpunëtorë të tij ishin “njerëz që objektivisht vinin nga ambienti shoqëror që do duhej të ishte i afërm me të… njerëz që ishin të afërm me Naser Kelmendin, njerëz që vinin nga qarqet kriminale serbe. Darko Shariq (diler i madh i drogës në Serbi) madje erdhi në hotelin e tij, e kjo është shumë e vërtetë.”

Turkoviq kishte mbajtur kontakte të mira me policinë nga ditët e saj në ministri, kështu që Radonçiqi “e vuri atë në mbikëqyrje të kronikës së krimit në gazetën ‘Dnevni Avaz’”, thuhet në aktakuzë. Në atë kapacitet ajo në vitin 2006 po e intervistonte Delaliqin në Turqi për gazetën, kur u bë dëshmitare e një beteje mes Delaliqit dhe një mafiozi tjetër të pretenduar, Muhamed “Ali” Gashi, i cili më pas kërkoi ndihmë nga miku i tij Kelmendi. 

“Delaliqi mori një thirrje telefonike nga Kelmendi, i cili iu kërcënua se ‘do t’ia dërgonte kurdët të cilët do ta vrisnin brenda një ore”, thuhet në aktakuzë. 

Prokurorët thonë se qarqet e Kelmendit ishin tepër të nevrikosura me Delaliqin për vrasjen e Selver Lekiqit në vitin 2007, duke qenë se ai ishte mik i afërt personal i Radonçiqit. 

Radonçiqi thotë se është qesharake të mendohet se vrasja e Lekiqit mjaftonte si motiv për ta lënduar Delaliqin. “E vërteta është krejt tjetër”, tha ai, duke shtuar se ishte Mersudin Cosoviq dhe jo Delaliq ai që dënua për vrasjen e Lekiqit. 

Turkoviq thotë se me kalimin e kohës ajo filloi të mësojë çdo herë e më shumë lidhur me marrëdhënien mes Radonçiqit dhe Kelmendit. Deklarata thotë se ish-Ministri i Sigurisë i ofronte Kelmendit mbrojtje politike, si ‘partner afarist’. 

Turkoviqi bëri edhe akuza tjera në emër të këtyre dyve, duke dhënë detaje specifike mbi atë se si shfrytëzoheshin paratë dhe si funksiononte tregtia e drogës, por informatat në fjalë nuk mund të konfirmoheshin nga vetë CIN-i apo RPKOK-u dhe të njëjtat nuk u përfshinë në aktakuzë, e cila kryesisht fokusohet te Kelmendi. 

Turkoviq beson se Radonçiq donte që ajo të marrë pjesë në takimet e tij me Kelmendin, pasi që e dinte se përkundër të gjitha lidhjeve që i kishte në polici, një ditë Kelmendi do të arrestohej dhe Radonçiqi do duhej të distancohej nga ai. “Nëse Kelmendi do të vendoste të flasë, Fahro do të më kishte mua, si një person të respektueshëm, në anën e tij”, sqaron ajo. “Fundja, edhe ai do të ishte i respektueshëm dhe kush do të mund t’i besonte Kelmendit në një skenar të tillë?”

Megjithatë, gjatë kësaj periudhe jeta e saj private u ndërlikua, pasi ajo filloi të shihet me njeriun me të cilin në fund do të martohej – Zijad Turkoviqin. Ajo thotë se nuk donte që Radonçiqi apo Kelmendi të merrnin vesh këtë, sepse do mendonin se ajo po ia tregonte informatat e ndjeshme një gangsteri tjetër. 

Pas vrasjes së Delaliqit ajo u frikësua, edhe pse insiston se kurrë nuk i ka treguar Zijadit asgjë lidhur me veprimtarinë e tyre. 

“Unë u përpoqa ta gjej një vend tjetër pune”, thotë ajo. “Unë thjesht u frikësova për jetën time… u frikësova sepse kur (Radonçiqi) zbuloi se isha në lidhje me Zijad Turkoviqin u bezdis shumë dhe frikësohej se mos i kisha treguar Zijadit çdo gjë. Ai frikësohej se Zijadi do të keqpërdorte informatat në ndonjë mënyrë, prandaj u gjet në një panik të tmerrshëm”.

Turkoviq thotë se dikur ajo foli me Kelmendin në telefon. “I thashë Naserit se ai nuk ka nevojë të brengoset, sepse çdo gjë që flitet në këtë tavolinë mbetet këtu. Unë desha ta siguroj atë, sepse e dini si është puna – ju nuk mund të flisni aq hapur përmes telefonit, e ai është njeri i mësuar që të flasë me kode. Ai e kishte të qartë se çfarë doja të them”.

Aktualisht, Turkoviq kryesisht rri në shtëpinë e saj që gjendet në mbrojtje policore, ku po pret fillimin e gjykimit. Ajo thotë gjithashtu se ka edhe shumë informata tjera që nuk i ka zbuluar, por të cilat do t’i zbulojë nëse ka nevojë. 


Naser Kelmendi