Familjari i Drejtueses së ZRrE-së Punësohet në KEDS

Agim Kostari, djali i anëtares së Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji  (ZRrE) Merita Kostarit, nuk e ka të shënuar publikisht askund në rrjetet sociale LinkedIn, Facebook, Twitter e Google plus, angazhimin e tij në KEDS.

Në këto rrjete ai shkruan vetëm se ka qenë menaxher i produkteve në Kompaninë “Cacttus” nga shkurti 2011 deri në mars 2013 dhe se është menaxher i projektit në “IQ Consulting” që nga prilli 2013 dhe që vazhdon të punojë aty.

Por Gazeta Jeta në Kosovë vërtetoi se Kostari është duke punuar në KEDS.

Ai u punësua në pozitën specialist për monitorim të operimeve edhe raportim në Divizionin e Furnizimit në KEDS.

Kostari nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës të dërguara përmes postës elektronike rreth punësimit të tij në KEDS, edhe përkundër që gazeta ka pritur gjashtë ditë për një përgjigje nga ai.

Ai nuk ka pranuar të takohet as kur është vizituar gjatë dy ditëve me 25 dhe 26 shtator në zyrat e KEDS-it në Prishtinë.

Fillimisht me datën 25, ai përmes recepsionistit tha se nuk ka kohë gjatë ditës që të takohej pasi që ishte shumë i zënë me punë. Por kërkoi numrin e telefonit dhe premtoi se do të thërriste ekipin e Gazetës Jeta në Kosovë sapo të lirohej. Por kjo nuk ndodhi.

Ndërsa të nesërmen ai nuk u përgjigj fare, ndërsa recepsionisti tha se “po të donte të deklarohej ai do t`ju kontaktonte vetë, pasi ka numrin tuaj”.

Përveç tij, pyetjeve të Gazetës Jeta në Kosovë ende nuk u është përgjigjur as nëna e tij Merita Kostari që është pjesë e Bordit Drejtues të  ZRrE-së.

Merita Kostari, ishte emëruar anëtare në Bordin e Rregullatorit të Energjisë në qershor të vitit 2012.

Më herët ajo ka qenë këshilltare ligjore në Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut- KOSTT nga viti 2008 deri më 2012 dhe menaxhere ligjore në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës  gjatë viteve 2007-2008.

KEDS-i nuk jep detaje rreth punësimit 

E kompania KEDS që mbikëqyret nga ZRrE-ja, mbyllet kur nuk pranoi të jepte detaje rreth punësimit të Kostarit. 

KEDS-i nuk tregoi se kur u punësua Kostari në këtë pozitë, e as cilat kritere i plotësoi. 

Kjo kompani mungesë transparence kishte treguar edhe kur ishte pyetur lidhur me raportet vjetore financiare.

Operatori KEDS, nuk i ka publikuar raportet financiare në faqen zyrtare të kompanisë.

“KEDS-i është ndërmarrje private që raporton rregullisht te Zyra e Rregullatorit të Energjisë. KEDS-i ka dorëzuar te gjitha raportet financiare tek institucionet përkatëse, ashtu siç kërkohet nga ligji”, tha Shkodra.

Ndërkohë, lidhur me punësimin e Kostarit, zëdhënësi i KEDS-it Guri Shkodra, në një përgjigje me shkrim tha se kjo kompani bën punësimin e punëtorëve të rinj në bazë të kërkesave për kuadro brenda departamenteve dhe nevojës për punëtorë të rinj.

“Të gjithë punëtoret në KEDS punësohen me procedura të rregullta të brendshme të punësimit”, tha Shkodra.

Por KEDS-i nuk e komentoi punësimin e të afërmit të anëtares së ZRrE-së .

Shkodra tha se KEDS-i është ndërmarrje me pronësi private dhe sipas Ligjit të Punës nuk është e obliguar të bëjë shpallje publike për punësim të kuadrove të reja.

Në emisionin Jeta në Kosovë të transmetuar të enjten më 25 shtator ku u diskutua për energjinë elektrike, Visar Azemi nga KOSID-i e komentoi përgjigjen e KEDS-it për këtë rast.

Sipas Azemit, një përgjigje e tillë është në dëm të transparencës dhe procedurës në tërësi.

“Nuk janë të obliguar me shpallë konkursin një kompani e cila operimin dhe fitimin e kanë nga publikja. Kjo është absurde për mua. Është nepotizëm i pastër”, tha Azemi.

KOSID-i është pjesë e grupit prej mbi pesëdhjetë organizatash të shoqërisë civile që nëpërmjet peticionit po kërkojnë nga ZRrE-ja anulimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

ZRrE-ja  vendosi më 2 gusht të këtij viti në favor të KEDS-it it dhe lejoi rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 5.18 për qind. 

Brenda pesë ditëve, deri më 25 shtator, Koalicioni i Qytetarëve Konsumatorë, sindikatave dhe organizatave joqeveritare kanë mbledhur rreth 34 mijë nënshkrime në 10 komuna të Kosovës  për të rrëzuar vendimin e ZRrE-së për shtrenjtim të rrymës,

Dren Doli nga ky koalicion tha se ky veprim qytetar do t’ia pamundësojë ZRrE-së që në të ardhmen të vendosë në mënyrë arbitrare për rritjen e çmimit të rrymës.

Përveç shoqërisë civile edhe ndërmarrja publike e prodhimit të energjisë ishte  e pakënaqur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

 “Ne nuk jemi te thirrur te komentojmë vendimet ekzekutive të ZRrE-së, por duhet të theksojmë se nuk jemi te kënaqur me mospërfilljen e kësaj çështjeje gjatë shqyrtimit të jashtëzakonshëm tarifor”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë Edmond Nulleshi, drejtor i shërbimeve në KEK.

“Të mos shfrytëzohet pozita për punësime familjare”

Zenun Pajaziti, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në legjislaturën e kaluar, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se personat që janë direkt të lidhur me institucionin në çfarëdo relacioni është mirë të mos i shfrytëzojnë këto pozita .

“Nëse një zyrtar e punëson familjarin në një institucion që e mbikëqyr, gjithsesi është keq, minimumi është shembull  i keq”, tha ai.

Komisioni që udhëhiqte Pajaziti ishte përgjegjës për monitorimin e ZRrE-së.

Pajaziti thotë se nuk është i informuar për punësimin e Kostarit por, sipas tij, duhet të shikohet rasti nëse ajo e meriton këtë vend të punës.

“ Nëse meritohet nuk duhet me iu ndalu vetëm pse ka dikë të afërm në ZRrE”, tha Pajaziti.

Edhe Teuta Sahatqija,  ish-anëtare e këtij komisioni tha se nëse punësimi i Kostarit është bërë nga influenca e nënës së tij duke mos e merituar pozitën, nuk është në rregull.

“Nëse shfrytëzohet pozita për të punësuar një person të padijshëm të paeksperiencë, nuk duhet të lejohet”, tha ajo.

Sahatqija, e cila tha se për këtë rast nuk ka informata, deklaroi se ka raste kur bëhen dy lloje të diskriminime vetëm pse kanë anëtarë të familjes në pozita zyrtare.

Ajo thotë se fëmijët e saj e kanë pasur të vështirë të punësohen për shkak të pozitës së saj.

“Nëse është i zoti i punës së vet, mendoj që nuk do të duhej të diskriminohej vetëm se e ka prindin zyrtar, por assesi të punësohet pa merita, duke shfrytëzuar pozitën e prindit”, tha Sahatqija.

Megjithatë KEDS-i u mbyll kur iu kërkua të përgjigjej se cilat ishin kriteret që plotësoi djali i anëtares së Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.