Kryetarja për Baxhanakun e Rektorit- “Jam Ndi keq...”

Shefkije Islamaj,  kryetare e Këshillit Drejtues të UP-së tha për Gazetën Jeta në Kosovë se  nuk ka qenë në dijeni se anëtari i këtij këshilli Blerim Kamberi është baxhanak me rektorin Ramadan Zejnullahu.

“ Unë e kam marrë vesh dy apo tri ditë pas votimit se ata janë baxhanakë. Nuk  e di a është apo jo konflikt interesi kjo, po era e mirë nuk po i vjen”, tha Islamaj.

Ajo  tha se nëse do të kishte njohuri për këtë lidhje familjare, do të kishte vepruar para votimit për rektor. 

Islamaj tha për Gazetën Jeta në Kosovë se është befasuar me këtë veprim të anëtarit të këshillit drejtues.

“Jam  ndi keq që nuk më kanë tregu së paku. Nuk e kam dijtë që janë baxhanak ndërmjet vete”, thotë ajo. 

Islamaj thotë se nuk e njeh ligjin dhe nuk e di se a përbën kjo situatë konflikt të interesit. 

“Mu dikush ma ka përmend që është baxhanak me Blerim Ramosajn. Edhe mendojsha qysh more ky me konkurru kur e ka baxhanakun në Këshill… 

“Megjithatë është kogja i afërt. Po të isha unë në pozitë të njejtë nuk do të kisha votu”, thotë Islamaj duke shtuar se votimi ka qenë i fshehtë dhe se nuk mund të thotë me saktësi që Kamberi e votoi Zejnullahun.

“Ai (Kamberi) mund të thotë se e kam votuar dikënd tjetër”, tha Islamaj.

Rektori Zejnullahu pranoi se është baxhanak me anëtarin e Këshillit Drejtues të UP-së Blerim Kamberi. 

“  Po…po është (baxhanaku im) por pyetni Këshillin Drejtues a është konflikt interesi  apo nuk është….ose Agjencinë Kundër Korrupsion pyetni.  Këta janë që munden ta kontestojnë, unë nuk lëshohem..”, tha rektori Zejnullahu.

Në mes tjerash ai tha se nuk mund ta komentojë vendimin e Këshillit Drejtues të UP-së pasi që këta janë organ më i lartë i universitetit.

Blerim Kamberi, anëtar i Këshillit Drejtues ende nuk ka dhënë një përgjigje lidhur me këtë.

Për  mënyrën e përzgjedhjes së rektorit ka  reaguar edhe Parlamenti i Studentëve të cilët kanë kërkuar nga Këshilli Drejtues i UP-së që të anulojë vendimin për zgjedhjen e rektorit të UP-së. 

“Zgjedhja e rektorit të UP-së, korrespondon me shkelje të Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, për arsye se në Këshillin Drejtues të UP-së është anëtar (Prof.dr. Blerim Kamberi) burri i motrës së gruas (baxhanaku), i rektorit të zgjedhur, i cili po ashtu mori pjesë në votim”, thuhet në reagimin e Parlamentit Studentor.

Ndër tjerash thuhet se Parlamenti i Studentëve si organ do të ndjekë rrugët institucionale për realizimin e kërkesës për anulimin e zgjedhjes së rektorit.

Agjencia Kundër Korrupsion ende nuk ka dhënë një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë lidhur me këtë.