Përjetimet e Tre Pacientëve të Helmuar

Destan Gashi ishte pacienti i parë, i cili më 17 janar 2013 ia kishte mësyrë Spitalit të Prizrenit që të operohet në organin gjenital, për shkak të një kanali të mbyllur.

Operimi i tij kishte shkuar mirë. Por i keqësohet gjendja disa orë më vonë. 

Fillon të ketë vjellje, bark-qitje, temperaturë të lartë dhe ethe. Personeli mjekësor, me ta parë se gjendja e Destanit nuk po përmirësohej, vendosin ta dërgojnë për në QKUK në Prishtinë. 

As aty nuk gjen shërim. 

Familjarët e tij vendosin ta dërgojnë në Spitalin Amerikan në Tiranë. 

Atje Destani i shpëton më të keqes dhe shërohet nga pasojat e mëdha, përderisa thotë se tash ka probleme me lukth.

“…çka ha më mundon”, ka thënë Destani.

Mjeku Fatos Shukriu e kishte operuar atë dhe kishte dhënë deklaratë në polici lidhur me gjendjen e këtij pacienti.

“Për mua ka qenë enigmatike që për një kohë aq të shkurtër me ndodh me iu keqësu gjendja pacientit. Unë nuk mundem me dhanë ndonjë mendim për momentin se si pasojë e ç’kafit ka ndodh kjo”, ka thanë Shukriu para hetuesve policorë. 

Fletëdalja e repartit të hemodializës në Prishtinë thotë se pacienti Destan Gashi është pranuar për shkak të dhimbjeve të mëdha. 

Diagnoza përfundimtare që e jep ky repart është “Sepsis post-operativ”, e cila, sipas literaturës botërore, është një lloj helmimi i gjakut.

Të njejtën gjë e përjetojnë edhe dy pacientë tjerë 

Një tjetër paciente Majlinda Gjana ka të njejtën histori sikurse pacienti Destan Gashi. 

Në të njëjtën ditë më 17 janar ajo është operuar në spitalin e Prizrenit për shkak të një ciste në organin gjenital.

Majlinda pati përkeqësime shëndetësore pas operacionit. Edhe ajo u dërgua në spitalin e Prishtinës.

Në QKU u diagnostifikua me “seps” apo helmim gjaku. 

Bashkëshorti i saj, Ysin Gjana, thotë se gruaja “pas operimit filloi me pas vjellje dhe ethe”. 

 “Të nesërmen e kemi dërguar me autoambulancë në QKUK. Fatmirësisht atje u shërua, por tash ka pasoja me lukth”, shtoi Ysini.

Elvane Maloku – mjekja e cila e ka operuar Majlindën, i kishte thënë hetuesisë në polici se “Majlinda pas operimit ka pasur vjellje që normal ndodh te çdo pacient pas operimit”. 

Një tjetër pacient që pësoi në këtë spital është Albion Qenaj. 

Edhe ai ishte në gjendje shumë të keqe pas operimit. Kishte pasur dhimbje te barkut e këmbëve, temperaturë e barkqitje.

Disa orë më pas, ekipi mjekësor i spitalit vendos që ta dërgojë në QKUK. 

Ai diagnostifikohet me ‘sepsis’, apo helmim gjaku. 

Albioni qëndroi në Klinikën Infektive për 10 ditë, i cili fatmirësisht u shërua nga pasojat e mëdha. Por thotë se i la pasoja shëndetësore. 

Rastin që e ka pasur thotë ta ketë tronditur atë. Prandaj thotë se asnjëherë nuk do t’ia mësyjë Spitalit të Prizrenit, pavarësisht shëndetit të tij.

“Këta mjekë nuk ishim për me t’shnosh, por ishin me t’ba ma zi”, tha Albioni. 

“Tash kur shkoi afër Spitalit më dridhen këmbët, dhe kurrë ma nuk shkoj në atë spital, veç nëse me kapin me zor”, shtoi Albioni.

Elvane Maloku, e cila e kishte operuar Majlindën, në të njejtën ditë e kishte operuar edhe Albionin.

Ajo i kishte thënë policisë se gjatë operimit nuk kishte pasur probleme por ato janë shfaqur më vonë. 

“Më vonë, edhe te ky pacient janë shfaqur simptomat e njëjta si në të dy rastet e mëparshme”, ka shtuar ajo.

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi me Selman Muçajn, drejtorin e repartit të Urologjisë në Prizren. 

Ai tha përmes telefonit se kanë vendosur kolektivisht të mos japin asnjë deklaratë për media.

Tha se i kanë deklaruar të gjitha para hetuesve policorë. Ai kishte thënë se gjendja e tyre ka mundur të përkeqësohet për shkak të reaksioneve të medikamenteve.

 “Nuk dyshoj në ndonjë infeksion, për shkak se çdo infeksion e ka periudhën e vet të inkubacionit”, i ka thënë ai policisë.

Palët padisin spitalin

Familjarët e këtyre tre pacientëve kanë angazhuar një avokatë për të kërkuar kompensim për dëmet e shkaktuara. 

“Unë jam i angazhuar për mbrojtjen e tri palëve në këtë rast”, tha avokati Esat Gutaj. 

Avokati i palëve të dëmtuara, Esat Gutaj, tha se e ka paditur Spitalin e Prizrenit dhe Ministrinë e Shëndetësisë për kompensimin e dëmit për tre pacientët. 

Ai e ka dorëzuar padinë në gjykatën themelore në Prizren.

E në anën tjetër, as Ministria e Shëndetësisë, e as Spitali thonë të mos kenë informacion për këtë gjë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, na tha përmes telefonit se “MSh nuk ka asnjë informatë se është paditur e as nuk duket të jetë subjekt i ndonjë padie të supozuar për diçka që nuk ka të bëjë me të”.

As drejtori aktual i Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj, nuk është në dijeni  për padi ndaj spitalit.

“Fillimisht ju informoj se unë si drejtor aktual nuk jam i informuar zyrtarisht për rastin për të cilin ju e përmendni”, tha ai përmes emailit.

Hetimet penale lidhur me rastin

Padia për kompensimin e dëmit është ngritur vetëm pas hedhjes poshtë të hetimeve penale lidhur me rastin e këtyre tre pacientëve. 

Prokuroria Themelore e Prizrenit kishte hedhur poshtë kallëzimin penal të ngritur nga policia duke thënë se ka mungesë të provave që dëshmojnë helmimin e pacientëve.

Por cila ishte kronologjia e rastit?

Dy ditë pas operacioneve, më 19 janar 2013, asokohe drejtori i Spitalit të Prizrenit, Myzafer Kalanderi, ftoi Institutin e Shëndetit Publik të Prizrenit për t’i marrë mostrat në sallat e operimit. 

Ekipi mori 17 mostra.

Analizat laboratorike të këtyre mostrave tregojnë se 65 për qind e hapësirave në sallat operative dhe në repart është e papastër. 

Instituti i rekomandoi spitalit aplikimin e masave kundër epidemisë. Rastin e përkeqësimit të gjendjes së këtyre tre pacientëve e mori policia për ta hetuar. 

Krimet Ekonomike në Prizren kishin ngritur kallëzim penal ndaj  Kalanderit, asokohe drejtor i Spitalit të Prizrenit, Alush Jusufit – shef i repartit operativ dhe Elvane Hasangjekaj – motër kryesore për sallat e operacioneve në repartin e Urologjisë. 

Ata dyshoheshin se kanë kryer veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Të tre ishin deklaruar para hetuesve policorë.

Kalanderi i kishte thënë policisë se “ende nuk e kam kuptuar se si pasojë e çkafit ka mund të ndodh kjo.”

Jusufi – shef i bllokut operativ në Spitalin e Prizrenit, kishte deklaruar për policinë se repartet përballen me shumë mungesa. 

“Në blloqet operative mungojnë shumë gjëra që ne nuk i kemi për shkak të kushteve objektive”, ka thënë ai.

Ndërkohë Elvane Hasangjekaj kishte pohuar se përgjegjësia e saj është vetëm organizative. 

“…unë bëj organizimin e punës së motrave nëpër salla se kush ka me marrë pjesë në operime dhe çfarë pune ka për ta bërë”, kishte thënë ajo.

Hetuesit policorë  më 19 gusht të vitit të kaluar i kishin dorëzuar prokurorisë publike  kallëzimin penal ndaj drejtuesve të spitalit të Prizrenit.

Prokurori Bajram Hamitaga  kishte kërkuar raport për gjendjen e spitalit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHP). 

IKShP-ja në raportin e 11 tetorit 2013, thotë se “gjendja higjienike në ambientin e sallave operative nuk ka qenë e mirë”, përderisa shton se “dhënia e mendimit tonë dhe konstatimi (gati 9 muaj pas ngjarjes) mbi gjendjen nëse kemi të bëjmë me infeksion spitalor apo jo, është i vonuar”. 

IKShP-ja i sugjeron prokurorisë që “mendimin duhet kërkuar nga ekspertët e fushës së farmakologjisë, sëmundjeve infektive, lamisë internistike, kirurgjike, anesteziologjisë dhe pato-mjekoligjore”.

Prokurori kërkon krijimin e komisionit të ekspertëve nga këto gjashtë fusha.

Komisioni i mjekëve konstatoi në mënyrë unanime se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për dhënien e mendimit rreth shkakut të infektimit të tre pacientëve.

Por në brendi të raportit, duke folur për secilin pacient veç e veç, thuhet se ka mungesë të dokumentacionit nga Spitali i Prizrenit. 

Madje për Albionin, komisioni nuk ka pasur fare dokumentacion nga Spitali i Prizrenit.

Meqë dyshohej se këta tre pacientë ishin infektuar nga ilaçet që janë përdorë gjatë operimit dhe pas tij, atëherë i kërkohet Agjencionit të Kosovës për Kontrollin e  Produkteve Medicinale që t’i bëjë analizat e ilaçeve që janë përdorë në këto tri raste.

Ky agjencion, në raportin e datës 28 mars 2013, tregon se inspektorët e tij fillimisht i morën mostrat e ilaçeve për analiza. Por sasia e mostrave që i morën inspektorët ishte e vogël për  të dhënë një konkludim.

Inspektorët urdhërohen për mostra shtesë. 

Kur inspektorët sërish shkojnë në spital  ata kësaj here nuk gjejnë mostra shtesë të të njëjtave ilaçe, dhe kështu, pamundësohet realizimi i analizave.

Hedhja poshtë e kallëzimit penal

Prokurori Hamitaga, më 16 janar 2014 e ka hedhur poshtë si të pabazuar kallëzimin penal të policisë ndaj Kalanderit, Jusufit dhe Hasangjekajt.

 “Meqenëse nuk ka asnjë dyshim të arsyeshëm që të dyshuarit e cekur më lartë të kenë kryer veprën në fjalë, në mungesë të provave, kallëzimi penal ndaj tyre është hedhur poshtë”, thuhet në arsyetimin e prokurorit për hedhjen poshtë të kallëzimit penal.

Prokurori bazohej në të tri raportet, i IKSHPK-së, komisionit të ekspertëve si dhe AKPM-së, të cilat njëzëri thonë se nuk kanë pasur dokumentacion të mjaftueshëm nga Spitali i Prizrenit për ta vlerësuar se çka ka ndodhur.

Megjithatë, prokurori, në arsyetimin e tij për hedhjen poshtë të kallëzimit penal, nuk e përmend raportin e Institutit të Shëndetit Publik të Prizrenit, i cili vetëm dy ditë pasi kishte ndodhur rasti konkludoi se 65 përqind e hapësirës në sallat operative dhe në repart ishte e papastër.

Prokurori i tha Gazetës Jeta në Kosovë se  “nuk ka pasur nevojë që analizat e këtij raporti të ceken në aktvendimin mbi hedhjen e kallëzimit penal”.