Rrugëtimi për në Republikën e Re të Kosovës

Drita erdhi në këtë botë në një natë të ftohtë e të errët të janarit të vitit 2013. Nëna e saj, Mejremeja, kujton që mezi kishte arritur në klinikën më të afërt në Krushë të Madhe.

“Ajo mezi priste të dilte nga barku i nënës dhe kur e mbajta në duar për herë të parë, më kujtohet buzëqeshja e saj. Ajo është e vetmja nga tre fëmijët e mi që buzëqeshi menjëherë pas lindjes”, kujton Mejremeja.

Drita parapëlqente që kohën e lirë ta kalonte duke vrapuar nëpër fushat e Krushës së Madhe, duke u fshehur nga mëngjesi deri në darkë, kohë pas kohe duke detyruar tërë qytetin që ta kërkojë në çdo cep të fushave.

Fushat tani e mbështesin tërë qytetin dhe familja e Dritës siguron jetesën duke punuar për agrobizneset e reja në Krushë të Madhe.


Foto : Majlinda Hoxha

Kohë pas kohe, Mejremeja pendohej që ishte bërë dentiste në vend që të punonte tokën që e kishte trashëguar nga nëna e saj, një nga të vejat e luftës së vitit 1999. Fushat e hapura, përplot vende për t’u fshehur dhe vrapuar, ishin vendet e para të lojërave për Dritën.

Në fillim, Dritës shkolla i dukej sikur një burg, përkundër materialeve moderne mësimore dhe mësimdhënëseve të reja të sinqerta nga Prishtina.

Ajo ndaloi së shikuari jashtë dritares dhe nisi  të përleshet me djem kur filloi të luajë futboll – së pari kundër djemve, pastaj si pjesë e ekipit të futbollit të vajzave. Shokët e saj të klasës e kujtojnë atë si një vajzë të vogël dhe të zëshme, por babai i saj, Avniu, m’i tregoi dhjetëra fotografi të Dritës duke i ushqyer qentë e rrugës dhe duke luajtur me ta.

“Ajo i ushqente ata në oborr të shtëpisë sonë dhe luante me ta. Kështu, shumë shpejt, çdo qen në Krushë e dinte adresën tonë. Ajo nxirrte ushqim të shtëpisë për ta. I thamë ta ndalojë këtë një milion herë, por ajo kurrë nuk dëgjonte”, tha Avniu, duke treguar një foto të Dritës me fytyrën përplot baltë, duke e mbajtur nga një qenush në secilin krah. 

Deri në kohën kur përfundoi klasën e tetë, Drita ishte kampione në matematikë dhe shkencë, por absolutisht e urrente leximin. Notat e saj ishin të mjaftueshme për t’u regjistruar në shkollën e mesme “Atifete Jahjaga”, një nga shkollat e mesme më të mira në Krushë.

Besarta, mësuese e gjuhës dhe letërsisë në shkollën “Atifete Jahjaga”, kishte diplomuar së fundmi nga programi elitar “Mëso për të Nesërmen” për mësuesit e rinj, në kohën kur i dha mësim Dritës. “Një herë e pyeta klasën se cila ishte rëndësia e thënies së Hamletit: ‘Të jesh apo të mos jesh’ dhe Drita tha se nëse nuk dimë si të vendosim është budallallëk dhe humbje kohe. Ajo e kishte një mënyrë të veten të të folurit në mënyrë të hapur dhe troç dhe gjithsesi ishte e vendosur në mendjen e saj. Ta themi kështu, ishte edhe gëzim edhe mundim për ta mësuar Dritën.” 

Me rezistencë të madhe dhe me shumë shtytje nga ana e Besartës, Drita i lexoi disa herë librat e plan-programit të shkollës së saj të mesme. Ajo vizitonte Besartën pas shkollës, kërkonte të dinte pse disa poezi kishin rima e disa jo, si dhe pse Historia e Skënderbeut nuk kishte gra luftëtare në të dhe pse Ndre Mjeda nuk kishte shkruar në shqipe standarde.

Sigurisht që i habiti të gjithë kur Drita vendosi që në vend të mjekësisë, ekonomisë apo bujqësisë, të studionte një nga fushat më të vjetra që ende ofrohej në Universitetin e Prishtinës – Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe.

“Asaj i pëlqente të bënte të kundërtën e asaj që të gjithë të tjerët bënin”, kujton Burimi, një mik nga fëmijëria. “Ajo ishte e vetmja që mori tërë atë rrugën për në Prishtinë, për të studiuar një fushë që ishte vjetërsuar – madje, ajo mori bursë të plotë për të”, shtoi ai.

Nga akademike në aktiviste 

Drita u zhvendos në lagjen e ngjeshur  “Arbëria”, lart në kodra pranë linjës së metrosë nëntokësore të Prishtinës. Në banesën e madhe të përbashkët në kompleksin banesor “Pandora Tower”, ajo takoi dhe jetoi me skenën e kulturës avangarde të Kosovës, “Dudistët”. Kur shpërtheu një tub dhe asnjëri nga gjashtë bashkëbanorët e saj nuk mund ta rregullonin, e thirrën një të afërm të pronarit dhe kështu Drita takoi Agimin.

Në atë kohë, më 2033, Agim ishte pronar i ri i “AlbiCom Construction”, një kompani që e kishte trashëguar së fundmi nga babai i tij i pensionuar, i cili e kishte trashëguar nga babai i tij, një veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Agimi sapo kishte përfunduar studimet e tij në inxhinieri kur mori përsipër biznesin, i cili nuk ishte i pëlqyeshëm meqë ishte një nga kompanitë e pakta që merrnin punëtorë nga Serbia. (‘Ata kërkojnë më pak për punë, kështu që ka logjikë”). 

Agimit i bëri përshtypje fakti që Drita dinte si të punonte me çelës francez dhe Dritës i pëlqente të fliste me të. Për habinë e të gjithëve, ata ranë në dashuri, filluan të dalin bashkë, dhe u martuan pak kohë më vonë.

Agim mi tregoi fotografitë e muajit të mjaltit në Venedik. “Në atë kohë, kosovarët nuk mund të udhëtonin në Evropë pa viza, përveç nëse nuk mund të dëshmonin se fitonin më shumë se 1.500 euro në muaj, që në fakt nënkuptonte më pak se një të katërtën e popullatës”, tha Agimi.

“Prandaj, para muajit tonë të mjaltit, unë e ‘punësova’ Dritën si ‘konsulente’ në kompaninë time të ndërtimit. Pas gjithë atij kafshimi të thonjve gjatë fluturimit, mendova që do t’i kafshojë edhe tërë gishtat e saj.”

Kur Drita diplomoi në studimet bachelor, ata ishin zhvendosur në një banesë të vogël në lagjen “Mati IV”, një lagje e re periferike, etnikisht e përzier, në dalje të Graçanicës. 

Pastaj Drita vijoi studimet për master dhe përkundër bezdisë së madhe që i shkaktoi Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, tema e saj e magjistraturës shpalosi probabilitetin që bazuar në poezinë dhe prozën e shkruar për të, një pasha shqiptar osman me siguri ishte gay. Kjo shkaktoi trazira, për ta thënë më butë, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve.

Tema e saj u botua në formë libri, i cili libër shndërroi Dritën ose në intelektuale ose “tradhtare të degjeneruar” të kombit shqiptar, varësisht se kënd e pyesnit.

Pas përpjekjeve për të krijuar familje për dy vjet, Drita kuptoi se nuk mund të lindte fëmijë.

“Ky fakt e shkatërroi atë”, pranon Agimi. “Por ajo nuk është person që do të shkonte në trajtime për IVF, apo për prind surrogat, apo gjëra të tilla. Një ditë erdhi në shtëpi dhe ma tregoi një fotografi të këtyre dy vajzave të vogla dhe tha: “Do t’i sjellim ato në shtëpi.” 

Dy vajzat ishin motra, Albana dhe Venera, të cilat ishin braktisur nga prindërit e tyre në jetimoren publike të nënfinancuar dhe me staf të pamjaftueshëm të Kosovës. Drita dhe Agimi i adoptuan ato në vitin 2039.

Gjatë studimeve të saj të doktoratës në Universitetin e Prishtinës, Drita u bë shkrimtare e shquar, duke botuar libra të letërsisë së grave të Kosovës në formë të antologjisë, duke dokumentuar prozën dhe poezinë në Kosovë pas vitit 1999, si dhe shkroi një serë tregimesh për fëmijë të bazuara në përralla shqiptare .

Kritike e hapur e Universitetit të Prishtinës, Drita kërkoi që literatura serbe, turke dhe rome të bëhet pjesë e kurrikulës mësimore në Fakultetin e Gjuhëve dhe Letërsisë.

Ajo ndihmoi organizimin e marshimeve vjetore të krenarisë së gejëve të Kosovës përmes Qendrës për Mbështetjen e komunitetit LGBT në universitet.

“Ndonëse punoi si mësimdhënëse, të gjithë e dinin se Drita është person i veprave jo vetëm ideve”, thotë Yllka, motra e madhe e Dritës, ndihmës-menaxhere në një fabrikë të prodhimit të ajvarit në Klinë. “E dija se ishte vetëm çështje kohe para se të hynte në politikë.”

Drita shpejt u ngjit nëpër radhët e Partisë Përparimtare Sociale, parti politike social-demokrate me një rritje të ngadaltë, kryesisht aktive në qyteza e qytete. Aktiviste energjike dhe kritike e hapur e politikave ekonomike neo-liberale të qeverisë, Drita fitoi popullaritet për fjalimet publike me pasion dhe sjelljen e hapur dhe miqësore.

Si deputete në parlament, ajo do të mbahet mend për betejat e saj në kërkim të një referendumi për bashkimin në një federatë me Shqipërinë, modernizimin e burgjeve sipas modelit të qendrës së re të përmirësuar korrektuese në Dubravë, si dhe dërgimin e trupave kosovare në një mision paqeruajtës në Ukrainën Lindore. E tërë kjo ishte para tërmetit.  


Foto : Majlinda Hoxha

Tërmeti

Tërmeti i vitit 2048 ishte i papritur dhe shkatërrues. Vendi kishte përjetuar tërmete më parë, por asnjë sikur ky histori të vendit. Një tërmet prej 7.3 ballë goditi 10 kilometra në juglindje të Pejës.

Zonat urbane u goditën më së rëndi, ndërsa strukturat me planifikim të dobët dhe të ndërtuara pa leje u rrëzuan mbi njëra-tjetrën. Fshatra dhe qytete u izoluan, pa sinjal të internetit apo telefonit. Termocentrali “Kosova C” ra nga sistemi, duke e lënë gjysmën e vendit në errësirë.

Me kuvend të pezulluar dhe vendi në gjendje të jashtëzakonshme, Drita u angazhua në ofrimin e ndihmës në lagjen e saj. Ajo hapi dyert e shtëpisë së saj, që u bë pika kryesore e referimit për ushqim, ujë dhe strehim në “Mati IV”, “Mati III”, “Lagjen e Spitalit”, “Bregun e Diellit” dhe eventualisht tërë qytetin. 

Si koordinatore kryesore e ndihmës në të gjithë qytetin, Drita u bë pjesë e Ekipit Qeveritar për Reagim të Shpejtë, grup ad-hoc i përbërë nga kryeministri, komandanti i Forcave të Armatosura të Kosovës, ministri i brendshëm, ministri i shëndetësisë dhe ministri i infrastrukturës, si dhe udhëheqësit komunalë. Gjersa kryetari i Prishtinës ishte jashtë vendit në shtëpinë e tij të pushimeve në Turqi, Drita mori përsipër drejtimin e Komunës së Prishtinës – ndonëse pas disa përpjekjeve dhe thirrjeve të tendosura telefonike që përfundimisht çuan në dorëheqjen e kryetarit të komunës.

“Ishte mesi i janarit, prandaj dhe prioriteti ynë ishte që të shpëtojmë, shërojmë dhe strehojmë sa më shumë njerëz të zhvendosur që ishte e mundur. Ishte gati e pamundur t’i strehojmë njerëzit pa energji elektrike. Refugjatët nga Prizreni, Gjakova dhe Peja ishin duke përmbytur Prishtinën”, kujton komandanti Nikë Balidemaj. 

Me një veprim që atëbotë u pa si vetëvrasje politike, Drita hyri me forcë në takimet e Ekipit Qeveritar të Reagimit të Shpejtë me ekspertë nga Fakulteti i Shkencave Mjedisore të Universitetit të Prishtinës. 

Në vend se të investoheshin paratë e ndihmës në rindërtimin e “Kosovës C”, Drita nguli këmbë që ekspertët të hartonin një plan për të investuar në burime të shumta të energjisë – energji nga era, uji, solare, biomasa, si dhe energji gjeotermale – ku secili burim do të integrohej në rrjetin lehtësisht të riparueshëm dhe të furnizuar.

Kjo u dëshmua të jetë tejet efikase. Çdo ndërtesë e dëmtuar u rindërtua me një sistem të sofistikuar të paneleve solare dhe asnjë kodër apo breg në Kosovë nuk mbeti pa u mbuluar nga mullinjtë e energjisë me erë dhe asnjë rrjedhë uji nuk mbeti pa hidrocentral. U hap pusi i parë gjeotermal në Kosovë në vendin ku gjendet “Kosova C”. Ndonëse vendi ende nuk ishte rimëkëmbur nga tërmeti, për herë të parë në gati një gjysmë dekade, Kosova u bë eksportues serioz i energjisë.

The Guardian e vërejti lulëzimin e ri energjetik të Kosovës, duke publikuar një storie profili për Dritën, me titull “Shpresa e re e gjelbër e Kosovës?”

Edhe pse e dashur nga ndërkombëtarët, shtypi i Kosovës publikoi një sërë artikujsh me lajmin se si ajo i kishte shkarkuar disa qindra punonjës të “Kosovës C”, pas dështimit që pusi gjeotermal të prodhojë sasinë e premtuar të energjisë, si dhe për punonjësit serbë të bashkëshortit të saj, të punësuar në kohën kur shumë shqiptarë të Kosovës ishin të papunë. 

Kur u shpallën zgjedhjet u zhvillua një betejë e madhe e brendshme për atë nëse Drita do të duhej të ishte e emëruar për Kryeministre.

“Padyshim që ajo ishte e emëruara e papritur – një grua e re, ende e paprovuar dhe shumë e drejtpërdrejtë. Por përfundimisht menduam se ajo ishte mundësia jonë më e mirë që ta marrim qeverinë”, shpjegon Blerim Potera, një nga themeluesit e partisë dhe menaxher i fushatës së Dritës.

Fushata ishte e veçantë në shumë mënyra: Drita garoi me mbiemrin e saj para martesës, të cilin nuk e kishte ndërruar asnjëherë. Ajo nuk mbante grim ose taka të larta që parapëlqeheshin nga politikanet e tjera gra, si dhe ngulte këmbë që të gjithë ta thërrasin me emër. Ajo fliste haptas për vendin e saj të lindjes, familjen e saj, punën akademike, si dhe pamundësinë e saj për të lindur fëmijë.” Para së gjithash, ajo u paraqit si njeri”, thotë Potera.

Kundërshtarët e përparimtarëve socialë ishin kombinim i kundërshtarëve të vjetër dhe të ri: disa rugovistë të mbetur, disa skifterë të PDK-së, një ekip i djathtistëve të “Vetëvendosjes” (të cilët zinin shumicën e vendeve në parlament) – dhe partia Shqipëria e Re, parti neo-konservatore që kërkonte kthimin e Islamit dhe “mënyrën tradicionale të jetës.” 

Beteja zgjedhore ishte e ashpër, ku rugovistët pretendonin se përparimtarët socialë ishin sinonim i komunistëve jugosllavë, PDK-ja i akuzonte se ishin të dobët, “Vetëvendosja” i akuzonte si majtistë “të rremë” dhe Shqipëria e Re thoshte se një grua e mallkuar për shterpësi nuk duhet të vendosë për fatin e fëmijëve të Kosovës. Një fotografi e vjetër e Dritës duke pirë një xhoint marijuhane si studente kishte rrjedhur pesë ditë para ditës së zgjedhjeve që gati sa shtyri partinë që ta tërheqë atë nga gara.

Rezultatet u shpallën më 25 nëntor 2050. Përparimtarët Socialë fituan 34 për qind, “Vetëvendosja” 23 për qind, PDK-ja 19 për qind, LDK -ja14 për qind, ndërsa “Shqipëria e Re” 10 për qind. Drita mbajti fjalimin e saj inaugurues para monumentit Newborn, i lënë pas dore, por ende në këmbë, para Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Pranë burrit dhe fëmijëve të saj, Drita mbajti një fjalim që do të njihej si fjalimi i “Republikës së Re”. 

“Kjo republikë e re nuk na takon neve. Ajo u takon fëmijëve tuaj, fëmijëve tanë, fëmijëve të Kosovës – pavarësisht kombësisë së tyre, pavarësisht ngjyrës së tyre të lëkurës, pavarësisht prejardhjes së tyre. Kjo republikë e re është për ta. Dhe ne do ta ndërtojmë atë, së bashku.”

Në ditën e saj të parë në detyrë, gjërat nuk dukeshin aq bukur. Kabineti u mblodh urgjentisht për ta diskutuar sistemin shëndetësor që ishte pranë rrënimit, i cili i ishte shitur një konsorciumi turk në vitet ’20 të shekullit XXI.  Administratat e mëparshme nuk u kishin kushtuar vëmendje të gjitha dispozitave të marrëveshjes, ku theksohej se në rast të forcës madhore shpenzimet e rindërtimit dhe kujdesit themelor do t’i takojnë qeverisë.  

Klinika të shumta në tërë vendin nuk ishin rindërtuar që nga tërmeti dhe në disa pjesë të vendit mjekët dhe infermierët ikën nga puna për shkak të shkurtimeve të pagave (dhe në disa raste, për shkak të mungesës së pagave). U shfaqen shumë klinika private, të shtrenjta, me licenca të dyshimta dhe vetëm një muaj para zgjedhjeve, një djalë i ri me probleme të frymëmarrjes vdiq nga një sulm i astmës. Prindërit e tij nuk mund ta përballonin koston e aparatit inhalues në klinika private dhe barnatore dhe nuk mundën ta sillnin djalin e tyre me kohë në Spitalin Rajonal në Gjakovë.

Do të duheshin investime masive qeveritare për ta ndihmuar sistemin shëndetësor që të ringjallej dhe nevojitej urgjentisht një formë e re e sigurimeve shtetërore. Kjo nënkuptoi që rritja e pagave prej 10 për qind që Drita e kishte premtuar për punëtorët e sektorit publik dhe privat – premtim gjatë kohës kur ajo ishte zgjedhur – do të duhej të shtyhej pafundësisht. Republika e re do të fillojë në këtë mënyrë, edhe me fitore edhe me humbje, por me premtimin se diçka më e mirë do të vinte nesër. 

Të dhënat 

2013: Drita u lind në Krushë të Madhe të Kosovës, si fëmija i tretë dhe i fundit i Mejreme dhe Avni Kastratit. 

2016: Kosova nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim me BE-në. Majlinda Kelmendi në përfaqësim të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos fitoi medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike në Rio.

2019: Ministria e Punëve të Brendshme filloi lëshimin e pasaportave të gjelbra për qytetarët që mund të paraqesin dëshmi të punësimit dhe të ardhurave mujore prej 1,500 euro. Poseduesit e pasaportave të gjelbra mund të udhëtonin pa viza për në vendet e zonës Shengen. “Vetëvendosja” organizoi protesta.

2021: Nisi punën Termocentrali “Kosova C” në Obiliq. 

2024: Serbia largoi referencat e Kosovës dhe Metohisë nga kushtetuta e saj. Presidenti Aleksandar Vuçiq lajmëroi se Serbia është zyrtarisht neutrale ndaj statusit të Kosovës. Serbia u anëtarësua në BE, ndërsa Kosova fitoi statusin e shtetit kandidat. Mijëra vetë djegën pasaportat e gjelbra para Zyrës së Komisionit Evropian në Prishtinë.

2025: Turqia bleu 10 miliardë euro letra me vlerë të Kosovës me afat prej 30 vjetësh. Konzorciumi turk mori koncesion 99-vjeçar administrimin e sistemit të shëndetësisë publike të Kosovës. 

2029: Nëpunësit publikë të Kosovës mesatarisht fituan më shumë se homologët e tyre në Gjermani. Çmimi mesatar i një banese dydhomëshe në Prishtinë arriti në 900,000 euro.

2031: Çmimet e patundshmërisë pësuan rënie prej 70 për qind në nëntë muajt e parë të vitit. Deri në fund të vitit, tetë nga dhjetë familje kishin borxhe përtej vlerës së shtëpive të tyre. Borxhi publik i qeverisë së Kosovës u reduktua në status të fletobligacioneve të pavlera.

2032: Qeveria lajmëroi masa të kursimeve, shkurtoi pagat e sektorit publik për 50 për qind. Turqia ofroi 20 miliardë euro në formë të pakos së ndihmës financiare. 

2033: Drita filloi studimet e saj në Universitetin e Prishtinës, në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Ekonomia e Kosovës u rrit për herë të parë në katër vjet.

2039: Drita dhe Agim adoptojnë dy vajzat e tyre, Albanën dhe Venerën.

2042: Drita zgjidhet si deputete e Kuvendit nga radhët e Partisë Përparimtare Sociale. 

2043: Forcat e Armatosura të Kosovës dërgojnë forca paqeruajtëse për herë të parë si pjesë e një misioni të OKB-së në Ukrainën Lindore. Ushtarët mbajnë flamuj në krahë, përkundër direktivës së OKB-së. Serbia dorëzon protestë zyrtare në selinë e OKB-së në Nju Jork. 

2048: Një tërmet prej 7.3 ballësh shkreton Kosovën.

2048-2050: Marrëveshja e Gjelbër miratohet nga Ekipi Qeveritar për Reagim të Shpejtë me ekspertë nga Fakulteti i Shkencave Mjedisore në Universitetin e Prishtinës, e cila synon rindërtimin e rrjetit energjetik të Kosovës me energji të ripërtërishme. Kosova bëhet eksportuese serioze e energjisë elektrike për herë të parë që pas luftës së Kosovës më 1999.

2050: Partia Përparimtare Sociale fiton zgjedhjet qendrore me rezultat të ngushtë, Drita zgjidhet kryeministre.