Engjëjt Piktorë të Familjes Berisha

Engjëll Berisha (1926 – 2010) i njohur edhe si Befre (Berisha Franë [emri i babait] Engjëll), është njëri nga artistët e parë kosovar më të dalluar, që la gjurmë dhe kontribut të pashlyeshëm në artin pamor shqiptar.
U lind në Pejë. Diplomoi për pikturë në Universitetin e Beogradit më 1954.

Ishte anëtar i Akademisë së Arteve Figurative të Kosovës, dhe një ndër themeluesit e Galerisë së Arteve të Kosovës.

Gjatë jetës së tij ka pasur një numër të madh të ekspozitave personale dhe kolektive në Kosovë, por edhe në vende të tjera.

Pas një ndodhie që për piktorin Engjëll Berisha supozohej të ishte fatale, dëshira e tij e fundit ishte që emrin t’ia trashëgonte nipi i porsalindur.
Piktori Berisha mbijetoi, për të jetuar edhe 17 vjet më shumë, deri në vitin 2010, por nipi i tij përpos emrit, nga gjyshi trashëgoi edhe talentin për pikturë.

Tash nipi i tij 21 vjeçar, studion për pikturë në Universitetin e Prishtinës, në klasën e profesoreshës Zake Prelvukaj.

Edhe pse piktor i ri në moshë, ka fituar çmime në ekspozitat e fundit kolektive. Në ekspozitën botërore online Globalisation Icas, fitoi çmimin “Merit Aëard for abstract” me portretin “The Grandfather [Gjyshi]”, ndërsa në Fides Aëard fitoi çmimin “Piktura më e mirë”.

Në shtatë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ai pati ekspozitën e tij të parë personale, në Qendrën Informative Kulturore në Shkup të Maqedonisë.

Ekspozita e titulluar “In the name of the grandfather [Në emër të gjyshit]”, përmban 17 piktura.

Prej tyre 12 janë piktura të tij, 5 të gjyshit.

Engjëlli i ri nuk përdor një emër tjetër artistik sikur gjyshi. Sipas tij emri i tij, është vetë artistik, dhe ai i nënshkruan pikturat e tij vetëm me emër, pa mbiemër.
 
Ndikim dhe vazhdimësi teknike

Edhe sikur të mos ishin të një gjaku, “kish me qenë piktori im i preferuar” tha Engjëlli për gjyshin.
Engjëlli u lind në Londër, ku kaloi një pjesë të shkurtër të fëmijërisë. Ishte pjesë e një shkolle private fanceze ku ka qenë i nxitur të pikturojë që nga mosha 2 vjeçare.

Gjyshi i tij kishte pikasur talentin e tij qysh atëherë dhe e ka shtyrë vazhdimisht ta ndjekë dhe ta përvetësojë këtë dhunti.

Por gjyshi fatkeqsisht vdiq para se nipi të vendosë ta marrë pikturën më seriozisht.

“Nuk ka qenë gjyshi gjallë në momentet kur kam vendosë unë me u bë piktor. Ndoshta kjo më ka mbetë gjithmonë pikë, që me i kallëzu gjyshit: Jam bë piktor gjysh!” tregon Engjëlli.

Megjithatë frika që mund të mbetet nën hije të gjyshit është e pashmangshme për Engjëllin e ri.

Por ai prapë se prapë shprehet me modesti, duke thënë që “Nuk pretendoj me u bë më i mirë se gjyshi.

Pretendoj me qenë vetja. Kjo është mënyra më e mirë për mos me mbetë nën hijen e tij”.
Pikturat e Berishës kanë një origjinalitet dhe një reflektim shpirtëror unik, por ndikimi dhe përdorimi i teknikave të gjyshit, janë diçka që vërehet qartë.

Kjo theksohet sidomos në ngjyrat e ndezura dhe në përzgjedhjen konturore të figurave.

Piktori i ndjerë Berisha, u dallua për një kreativitet mahnitës dhe shpërthyes në veprat e tij.

Punimet e tij ishin përplot me narracione të lashtësisë sonë, të transferuara në universin e tij.
Ndër më të rëndësishmet nga krijimtaria e tij shumëvjecare janë ciklet “Medaljonet e Prizrenit” e “E bardha Dardane”, “Fatet”, “Flockat”, “Shtojzovallet”, “Nana e Votres” etj.

Astrit Salihu, filozof dhe kritik i artit postmodern, thotë se Engjëlli, nuk tenton ta mbajë stilin e gjyshit, por teknikën e tij.

Ndërkaq për nipin piktor ai thotë se është ndër piktorët e rinjë më të mirë, akoma në nismën e formimit të tyre.

“Pavarësisht se ai ende nuk ka ardhë deri tek njëfarë artikulimi vetjak përmbyllës, me u veçu me ndonjë stil, megjithatë ai ka një nismë të mbarë. Ai ka njëfarë ndjeshmërie dhe sensibiliteti, që si duket e ka trashëguar prej gjyshit” thotë Salihu.

Pavarësisht kësaj, Salihu thotë ka dallime të rrënjësishme në punimet e dy piktorëve.

Sipas Salihut “Engjëlli i ri ka ende një botë më të sinqertë dhe të pafajshme. Ndërsa Engjëlli i vjeter kurrë nuk ka dalë jashtë kontekstit tonë kulturor e etnik, përveç në trajtimin e femrës”.

Engjëlli i ri akoma edhe nuk ka arritur një pjekuri të tij artistike, por talenti i tij është premtues.

Filozofi Salihu është optimist për gjeneratën e re të artistëve në Kosovë, dhe ka pritshmëri të mëdha prej tyre, mirëpo për piktorin e vjetër ai u shpreh se “nuk është Engjëll Berisha ai që shquhet në artin kosovar, por, është arti kosovar ai që do të shquhet me Engjëll Berishën”.