Ulpiana

Thesaret e Groposura Mbeten Nën Tokë

Qyteti i humbur ilir dhe romak i Ulpianës është monumenti më i pasur historik i epokës antike në Kosovë, një mrekulli arkeologjike përplot me thesare të groposura dhe varre misterioze. 

Përkundër kësaj, ky lokacion që gjendet në periferi të Prishtinës është pothuajse e pamundur që të gjendet nga vizitorët e rastit. 

Nuk ka asnjë shenjë treguese që do ta tregonte rrugën nga magjistralja kryesore dhe e cila gjendet vetëm disa qindra metra nga fushat të cilat ende përdoren nga bujqit. 

Gjendja është edhe më e keqe për disa dhjetëra lokacione të tjera të ngjashme në Kosovë të cilat ende nuk janë hulumtuar sa duhet nga ekspertët dhe tek të cilat turistët ende nuk kanë fare qasje. 

Megjithatë, kjo nuk e ka zvogëluar entuziazmin e Ministrisë së Kulturës, e cila është duke përgatitur një udhërrëfyes për lokacionet arkeologjike të Kosovës. 

“Ky udhërrëfyes do të ishte i mirë nëse do të mund të vizitoheshin lokacionet e paraqitura në të”, tha Shefqet Balla, autor i disa udhërrëfyesve të tillë turistikë të Kosovës. 

“Përndryshe, sajimi i një udhërrëfyesi pa ofruar mundësi të vizitimit të vendeve të cilat promovohen në të nuk ka kurrfarë kuptimi”, shtoi ai. 

Ministria nuk ka treguar se sa mjete janë duke u shpenzuar për udhërrëfyesit e rinj. Shasivar Haxhiaj, këshilltar i Ministrit, na tha vetëm se përgatitja e udhërrëfyesit ishte në përfundim e sipër dhe se të gjitha lokacionet kryesore arkeologjike do të gjendeshin në të. 

Arkeologu Arben Hajdari thotë se sigurimi i qasjes në këto lokacione për vizitorët do të mund të siguronte të hyra të cilat janë më se të nevojshme. 

“Inkurajimi i turizmit përmes arkeologjisë është tejet i rëndësishëm, ndërsa Kosova ka një numër të mjaftueshëm të lokacioneve arkeologjike dhe do të mund të joshte vizitorë të shumtë”, tha ai. 

“Por, derisa në të gjitha shtetet e zhvilluara investohet shumë në zhvillimin e turizmit, në Kosovë kjo fatkeqësisht nuk ndodh”, shton ai. 

 

Para më shumë se gjashtë vitesh Instituti Arkeologjik i Kosovës filloi punën në sajimin e tri hartave arkeologjike të Kosovës, të cilat mbulonin zona të ndryshme të vendit. 

Një prej tyre është publikuar dhe shtypur në vitin 2006 dhe mbulon zonat buzë shtratit të lumit Drini i Bardhë. 

Ministria e Kulturës, e cila është duke financuar këtë projekt, vitin e kaluar ndau 10.000 euro për përfundimin e punëve në hartat tjera. 

“Fillimisht, publikimi i vëllimit të dytë u vonua për shkak të mungesës së mjeteve”, tha Enver Rexhaj, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës. 

“Por ne gati e kemi kompletuar vëllimin e dytë, megjithëse nuk mund t’ju jap ndonjë datë të saktë se kur do të publikojmë atë”. 

Ndërtimet kërcënojnë historinë antike 

Me gjithë burimet e pakta në dispozicion dhe faktin se investimet qeveritare në arkeologji mbeten në nivel minimal, disa ekspertë arkeologjikë thonë se është shënuar progres. 

“Me përkrahje të Ministrisë së Kulturës, ne gjatë vitit 2011 kemi zhvilluar 20 projekte të gërmimit në lokacione të ndryshme, me praninë e arkeologëve nga vendi dhe nga jashtë”, tha drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Rexhaj. 

Por, arkeologu Hajdari thotë se shumë lokacione premtuese mbeten pothuajse të pahulumtuara, ndërsa disa syresh janë edhe të rrezikuara nga ndërtimet që po zhvillohen në afërsi të tyre. 

Për shembull, ai thotë se shumë pak është punuar në hulumtimin e lokacionit Cifllaku, një lokacion i rëndësishëm romak që gjendet në komunën e Rahovecit, në jugperëndim të Kosovës. 

“Cifllaku është një nga lokacionet më të rëndësishme nga periudha antike në Kosovë”, tha ai. 

“Gërmimet e kryera këtu në vitet 2011 dhe 2004 kanë dhënë rezultate të jashtëzakonshme, por fatkeqësisht punimet nuk kanë mundur të vazhdohen për shkak të mungesës së përkrahjes financiare”, shtoi ai. 

Gjatë gërmimeve të kryera në Cifllak mes viteve 2002 dhe 2004 u zbuluan ndërtesa të ndryshme nga shekulli i parë, dytë, tretë dhe katërt i epokës së re, duke dhënë indikacione se kemi të bëjmë me një vendbanim romak. 

Një lokacion tjetër i rëndësishëm është Bardhoshi, ku janë gjetur mbetje neolitike dhe i cili, sipas Hajdarit, ‘është një nga lokacionet më të rëndësishme të kësaj periudhe, jo vetëm për Kosovën por edhe më gjerë.” 

Gërmimet këtu mund të zbardhin aspekte të ndryshme të jetës në Ballkan gjatë asaj periudhe, shton ai. 

Por, Hajdari ka frikë se këto zbulime, të cilat potencialisht mund të jenë tejet të rëndësishme, do të humbin përgjithmonë në rast se do të vazhdojnë ndërtimet që po zhvillohen në afërsi të këtyre lokacioneve.  

“Kam informata se është lejuar ndërtimi i ndërtesave në afërsi, kështu që ne ka rrezik të humbim këtë lokacion tejet të rëndësishëm,” shtoi ai. 

Zona tjera që duhet gërmuar më tej janë kështjella e Harilaqit, që ndodhet rreth 3 km nga Aeroporti i Prishtinës, dhe një fortifikatë tjetër në komunën e Suharekës. 

Sekretet e Ulpianës mbeten të pazbuluara

Sekretet e qytetit ilir dhe romak të Ulpianës, i cili ka qenë i groposur nën dhe për një kohë të gjatë, kanë filluar të zbulohen ngadalë viteve të fundit. Megjithatë, pjesa më e madhe e këtij lokacioni ende mbetet e pazbuluar. 

Edhe pse ky lokacion që ndodhet në afërsi të Graçanicës dhe vetëm nëntë kilometra larg kryeqytetit, një kohë të gjatë është konsideruar lokacion premtues arkeologjik, hulumtimi i tij ka filluar shumë vonë. 

Pjesa më e madhe e këtij lokacioni mbetet e mbuluar me bar dhe fusha të mbjella me misër e grurë. 

Mes viteve 1950 dhe 1999, kur përfundoi konflikti i Kosovës, në këtë lokacion nuk janë kryer pothuajse kurrfarë punimesh. 

Që nga viti 2000 përmes gërmimeve në këtë lokacion janë gjetur stoli ari, varre, skelete njerëzore, vazo dhe shumë objekte të tjera romake. 

Në vitin 2010, Ministria e Kulturës filloi me financimin e projekteve gërmuese në këtë lokacion. 

Muzeu i Kosovës është duke i vazhduar punimet në këtë lokacion, në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Frankfurtit, por pjesa më e madhe e këtij lokacioni mbetet e pazbuluar. 

Një nga problemet është fakti se pjesa më e madhe e tokave në këtë lokacion është pronë private, megjithëse Enver Rexha tha se ai ishte i bindur se kjo çështje do të zgjidhej së shpejti.

 

Qyteti i humbur i shkatërruar nga sllavët:

Duke qenë një vendbanim i madh ilir, Ulpiana kishte rëndësi të madhe kulturore për shqiptarët, pasi që shumë historianë besojnë se shqiptarët janë pasardhës së këtij fisi antik. 

Por, ky vendbanim nuk u zhvillua si qytet deri me ardhjen e romakëve në shekullin e parë. Në shekullin e katërt, Ulpianës iu dha titulli minicipium, që do të thotë se ishte në rangun e dytë të qyteteve më të rëndësishme romake të kohës. 

Një nga të gjeturat kryesore deri tani ka qenë zbulimi i disa varreve ilire të shekullit të parë. Dy skeletet e gjetura në këtë lokacion janë dërguar për analiza në Gjermani. 

Ulpiana është shkatërruar nga sulmet barbare gjatë rënies së Perandorisë Romake. Për shembull, në vitin 500 të epokës sonë gotët shkatërruan një pjesë të madhe të këtij qyteti, ndërsa në vitin 518 ai u godit nga një tërmet i fuqishëm. 

Ulpiana u rindërtua në shekullin e gjashtë gjatë sundimit të Perandorit Justinian, por shekulli i shtatë shënon rënien e Ulpianës si qytet i rëndësishëm, pas shkatërrimit të tij nga sllavët që okupuan këto vise.

 

 

Ky artikull është financuar nga projekti BICCED, përkrahur nga Programi Kulturor Zviceran.