Asnjë kujdestar për bunkerin sekret të Titos

Pesëdhjetë vjet më parë, ARK D-0 u ndërtua në fshehtësi të plotë duke qenë se do të ishte qendra e kontrollit dhe e komandës emergjente të lidershipit ushtarak dhe politik të Jugosllavisë dhe vija e fundit e mbrojtjes në rast të ndonjë sulmi të pa specifikuar nga Lindja ose Perëndimi.

Vendndodhja e tij, pranë qytetit të vogël jugor të Konjicit, u zgjodh me kujdes. I vendosur në një luginë të vogël të fshehur midis maleve të larta të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe pranë një rruge të ngushtë që shtrihet përgjatë lumit Neretva, ai ishte e vështirë për t’u arritur dhe i lehtë për t’u mbrojtur.

Gjysmë shekulli më vonë, pamja ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Qyteti i Konjicit është zgjeruar dhe rruga e ngushtë tani është një nga rrugët kryesore automobilistike që lidh bregun qendror të Adriatikut me Bosnjën lindore dhe pjesën tjetër të krahinës.

Bunkeri që duhet të shërbente si vendi i fundit i fshehjes për liderin politik jugosllav dhe komandantin ushtarak Josip Broz Tito, ka ndryshuar shumë.

Pajisjet e komandës së emergjencës kanë kohë që s’janë më aty. Në vend të tyre bukeri gumëzhin nga vizitorë të shumtë dhe kureshtarë që kanë ardhur të shohin ekspozitën e fundit të artit dhe pajisjet që duken ende disi të pavenda në dhomat e mëdha nëntokësore dhe tunelet e gjatë.

Bunkeri është ende shumë fantastik! Është shumë i madh,” shprehet Jessie Hronesova, një akademike që rri në Oksford. Ajo dhe një grup miqsh dhe kolegësh, përfshirë edhe një numër zyrtarësh dhe studentësh perëndimorë, përfituan nga një nga ditët e ngrohta pranverore në Bosnje dhe Hercegovinë për të vizituar bunkerin.

“Ndërtesa të tilla i përkasin të kaluarës dhe janë të vështira të gjenden në ditët e sotme,” thotë ajo.

Komanda e Fshehtë e Ushtrisë, ARK- e cila shumë njerëz mendojnë se i referohet Arkës së Noas nga Bibla – u ndërtua nga viti 1953 deri në vitin 1979 në fshehtësi të plotë dhe ekzistenca e saj mbeti e fshehtë për dekada.

Ai u ndërtua që t’i bënte ballë një sulmi bërthamor dhe mund të strehonte deri në 350 persona nga elita politike dhe ushtarake për të paktën gjashtë muaj. Ndërtimi i tij mendohet të ketë kushtuar rreth 4.6 miliard dollarë amerikanë në atë kohë – e barasvlefshme me një shumë shumë më të madhe në ditët e sotme.

E gjithë ndërtesa dhe sistemet e saj të ngrohjes dhe ajrimit kanë mbetur plotësisht funksionale që nga dita që ajo u ndërtua, madje edhe gjatë luftës së viteve 1992-1995.

Ajo u hap më në fund për publikun disa vjet më parë dhe që atëherë kjo ndërtesë e nëndheshme prej 6500 metrash katrorë ka tërhequr me mijëra vizitorë vendas dhe ndërkombëtarë, kureshtare për të parë strukturën që supozohet të përfaqësonte fuqinë e madhe të ish-Jugosllavisë dhe liderin të saj të asaj kohe, Josip Broz Tito.

Përveç se një vend që tërheq vizitorë, në ARK D-0 zhvillohen gjithashtu një sërë ekspozitash artistike dhe evente të tjera kulturore.

Kërkohet: Pronar përgjegjës

E megjithatë Ministria e Mbrojtjes e Bosnjës dhe Hercegovinës – e cila ishte zyrtarisht në ngarkim të bunkerit – vendosi në shkurt të këtij viti se bunkeri s’ishte i nevojshëm dhe as i përshtatshëm për përdorim ushtarak, kështu që ia dorëzoi atë qeverisë dhe institucioneve të Federatës Kroato-Boshnjake.

Dhe pikërisht këtu filloi një kapitull i ri në bunkerin e Titos për raste emergjencash.

Me një mirëmbajtje mujore që arrin deri në rreth 5,000 euro, ARK D-0 dukej se ishte shumë e shtrenjtë për këdo nga institucionet apo kompanitë e varfëruara të Bosnjës, kështu që secili prej tyre nuk pranoi të merrte përsipër përgjegjësinë për të.

Në një deklaratë të shkruar për BIRN, qeveria e Federatës tha se ajo ia ka dorëzuar zyrtarisht bunkerin kompanisë së prodhimit të municioneve “Igman”, e cila ka një fabrikë pranë bunkerit në Konjic.

Qeveria e Federatës ka në pronëri 51% të aksioneve të “Igman Konjic”.

Megjithatë, kur BIRN iu afrua përfaqësuesve të “Igmanit Konjic” dhe u kërkoi atyre një koment, ata theksuan se procesi i dorëzimit ende nuk kishte përfunduar dhe se ata nuk ishin përgjegjës për ARK D-0.

Dzahid Muradbegovic, drejtor i “Igman Konjic”, së fundmi ka thënë për mediat se firma nuk ka para për të mbajtur ARK D-0 dhe se ata i kanë kërkuar qeverisë së Federatës thjesht leje për të përdorur disa nga objektet në afërsi të kompleksit të bunkerit për prodhimin dhe ruajtjen e mallrave të tyre.

Kur iu kërkua një koment në lidhje me këtë, qeveria e Federatës thjesht ritheksoi se bunkeri i ishte dhënë tashmë kompanisë “Igman Konjic” për një periudhë pesë vjeçare.


Ushtarët boshnjakë shërbejnë si guidë

Edhe me problemin e përgjegjësisë për mirëmbjatjen e ARK D-0 që vazhdon sa këtej andej, ai vazhdon të tërheqë vizitorë të cilët mirëpriteshin rregullisht nga një njsi e vogël ushtarësh të Ushtrisë Boshnjake.

Ushtarët, të vendosur aty për të mbajtur rregull brenda dhe përreth bunkerit për momentin, çuditërisht u shndërruan në guida efikase në atë ndërtesë.

“Kjo ndërtesë mbahej shumë sekret, vetëm katër gjeneralë e dinin për të,” tha për Balkan Insight Admir Gakic, një prej ushtarëve. “Njerëzit që punuan këtu kishin nënshkruar një deklaratë që s’do të tregonin kurrë për të.”

Gakic me shumë kënaqësi dha detaje shtesë rreth objektit. Ai tha se tunelet në qendër të bunkerit u ndërtuan në formën e një patkoi kali. Këto tunele duhet të strehonin Titon, i cili me sa duket nuk jetoi aq gjatë sa ta përdorte këtë bunker, duke qenë se ai vdiq një vit pasi bunkeri u hap zyrtarisht, por përsëri në mënyrë sekrete.

Ai vazhdoi duke shpjeguar se si ARK D-0 është i përbërë nga 11 blloqe që u ndërtuan për të mbështetur jetesën aty në rast të ndonjë sulmi bërthamor. Bunkeri do të vulohej hermetikisht, duke u mbështetur tek sistemet e tij të ajrit të kondicionuar dhe furnizimit me ujë që viheshin në punë nga gjeneratorët elektrikë.

Duke shëtitur bunkerin, Gakic tregoi pajisjet dhe mobiliet origjinale – disa qindra shtretër për Titon dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë – të cilat ndodhin ende pikërisht aty ku ishin vendosur dekada më parë, disa prej tyre të mbuluara me najlon.

Portreti i Titos është ende i varur pothuajse në çdo dhomë dhe pjesa më e madhe prej tyre ende kanë telefona të vjetër të kuq. Megjithatë, qëllimi i vërtetë i bunkerit bëhet më i qartë kur hyn në dhomat e komandës dhe komunikimit, të cilat janë ende edhe sot të pajisura me tavolina të stilit ushtarak dhe pajisje komunikimi në pamje të parë të ndërlikuara.

Përshtypja e përgjithshme është përzierje e çuditshme filmash të vjetër me luftë dhe tregimesh me spiunë nga koha e Luftës së Ftohtë. Të vijnë lehtësisht në mendje imazhe të personelit ushtarak që nxiton nëpër kompleks, duke vizatuar harta dhe duke planifikuar lëvizje të trupave ushtarake në mes të reve të tëra tymi cigaresh.

Por bunkeri i Titos është përfundimisht i hapur për grupe me nga 10 ose më shumë vizitorë, për aq kohë sa rezervoni më parë dhe kjo është një zgjedhje shumë e përhapur.

“Turistët vijnë nga e gjithë bota dhe shumë prej tyre nga rajoni,” thotë Amela Hujdur nga “Visit Konjic”, një kompani që sjell rregullisht turistë kureshtarë te ARK D-0.

Gakic, i cili luante në këtë lagje kur ishte fëmijë, tha se e gjithë zona nuk lejohej për vizitorët dhe mban mend se si të moshuarit i paralajmëronin gjithmonë fëmijët të mos shëtisin  përreth kësaj zone.

“Kur ishim fëmijë, vinim këtu me biçikleta ose përpiqeshim të lundronim këtu pranë në lumin Neretva, por policia ushtarake dilte menjëherë,” më tregon ai.

“Ky vend tani është shpallur monument kombëtar. Ai tregon për një epokë, duke qenë se është i vetmi objekt ushtarak i ruajtur në gjendjen e tij origjinale në Jugosllavi,” shton Gakic.