Kooperativa kapitaliste vjel frytet e punës në Shqipëri

Shumë shiqptarë nuk e kanë marrë ende veten nga varfëria dhe trauma e krijuar nga kolektivizimi me dhunë i bujqësisë gjatë regjimit stalinist të diktatorit Enver Hoxha.

Gjithsesi, në fshatin e Xarrës, në cepin më jugor të Shqipërisë pranë kufirit me Greqinë, bashkimi me vullnet të lirë po i jep frytet për fshatarët e zonës.

“Mund të jetosh shumë mirë këtu nëse ke dëshirë për punë,” thotë Dhimo Kote, kryetar i Komunës. “Ka shumë punë këtu dhe duhet vetëm fuqi dhe dëshirë [për të punuar],” shton ai.

Rruga për në Xarrë kalon përmes kanalit të Vivarit, i cili gjendet në kufijtë e parkut arkeologjik të Butrintit. Rruga tjetër për të mbërritur në fshat është ajo e ndërtuar së fundmi që lidh Sarandën me Qafë Botën, pikën kufitare me Greqinë.

Në të dyja anët e rrugës së asfaltuar drejt fshatit zgjaten plantacionet me mandarinë, të cilat mbulojnë të gjithë horizontin dhe që përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të fshatit.

Këtë vit, 400 hektarë tokë u mbollën dhe fshati pritet të prodhojë 10 mijë tonë mandarina.

Në një mëngjes të nxehtë këtë verë, ndërsa termomenti shënon 35 gradë celsius, punëtorët nuk e ngrijnë kokën as edhe për të përshëndetur kalimtarët.

Me një kapele kashte në kokë, Kote është i zënë në plantacionin e tij, duke i dhënë udhëzime punëtorëve ndërsa nxiton nga një cep i fushës te cepi tjetër. Plantacioni është pjesë e kooperativës së Xarrës, krijuar gati dy dekada më parë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, qeveria komuniste e Shqipërisë i ndau tokat në Ndërmarrje Bujqësore dhe Kooperativa.

Ndërmarrjet Bujqësore funksiononin si organizata biznesi me tokat më të mira në përdorim, me pajisje dhe me shumë investime.

Kooperativat qenë rezultat i synimit të qeverisë për të detyruar fshatarët të dorëzojnë tokat dhe t’i punonin ato sëbashku, me urdhra që vinin nga planifikuesit ekonomikë të qeverisë.

Pas rënies së regjimit Komunist më 1991, praktikisht të gjitha kooperativat u shpërbënë dhe toka iu rishpërnda fermerëve përmes reformë agrare.

Sipas Kotes, para rrëzimit të regjimit, kooperativa e Xarrës kultivonte shalqinj. Një agronom nga profesioni, në vitin 1990 ai emigroi në Greqi ku mësoi tenikat e kultivimit të shalqirit.

Pesë vjet më vonë, ai u rikthue në shtëpi dhe, bashkë me shtatë shokë të tij, filloi kooperativën e parë “kapitaliste” duke mbjellë 80 hektarë me shalqi.

Ndërsa fshatarë të tjerë u bashkuan, kooperativa dhe plantacioni u rritën në 400 hektarë duke prodhuar 30 mijë tonë shalqi në vit.

Pasi u përballën me konkurrencë nga prodhimi i shalqinjve nga anë të tjera të Shqipërisë, të cilat qenë më pranë tregjeve të mëdha urbane, fshati vendosi të ndryshojë drejtim më 2001 duke rritur mandarina.

Tashmë fshati mbjell 50 deri në 60 hektarë me plantacione të reja mandarine çdo vit. Në pesë vjet, Kote parashikon se kooperativa do të ketë 800 hektarë mandarina.

Klima e ngrohtë Mesdhetare e fshatit është veçanërisht e përshtatshme për rritjen e mandarinave klementine, një varietet pa fara që nuk rritet në pjesë të tjera të Shqipërisë.

Që kur filloi më 1995, kooperativa është rritur nga shtatë në 350 fermerë që kanë bashkuar forcat për të punuar sëbashku. Ata kanë 400 punëtorë, 250 prej të cilëve kanë emigruar nga pjesë të tjera të Shqipërisë për të punuar këtu.

Vjollca Kadaku, nga zona e Lushnjës në Shqipërinë qendrore është njëra prej tyre. Ajo u zhvendos në Xarrë 18 vjet më parë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre pasi dëgjoi nga të afërm se aty kishte vende pune.

“Unë dhe bashkëshorti im kemi punuar në bujqësi, e njihnim tokën dhe gjetëm punë menjëherë,” thotë ajo. “Tashmë fëmijët janë rritur dhe na janë bashkuar duke punuar në fusha,” shton ajo.

Me paratë e kursyera përgjatë viteve, familja ka blerë 5 mijë metra katrorë tokë në Xarrë.

“Tani kemi mbjellë groshë, por sapo të kursejmë para do të mbjellim mandarina dhe do t’i bashkohemi fermerëve të tjerë në kooperativë,” thotë Vjollca.

Rudina Mile, nga fshati i Savrës në Lushnjë, u zhvendos në Xarrë gjashtë vjet më parë.

“Fillimisht nëna ime lëvizi këtu duke kërkuar punë dhe pastaj më ftoi mua dhe bashkëshortin tim të vijmë,” thotë Rudina.

Forca e re punëtore në Xarrë përfshin shqiptarë që kanë emigruar në Greqi gjatë viteve Nëntëdhjetë dhe janë rikthyer në shtëpi për të punuar në Xarrë.

Ergus Zela u rikthye në Shqipëri pas dhjetë vitesh emigrim në Greqi dhe e vendosi familjen në Xarrë, nga ka origjinën dhe gruaja e tij.

“Ne punonim shumë në Greqi por kishim fatura për të paguar,” thotë 29 vjeçari Zela. “Është njëqind herë më mirë këtu dhe unë nuk pendohem fare që ika nga Greqia,” shton ai.

Ashtu si edhe Vjollca e Rudina, Ergusi ëndërron të ketë plantacionin e vet të mandarinave një ditë.

Kryetari i komunës Kote thotë se ka një të ardhme për të gjithë ata në Xarrë. “Xarra ka standard të mirë jetese dhe kushdo që dëshiron të punojë mund të nxjerrë një jetesë të mirë,” thotë ai.