Dyshimet për Falsifikim Rëndojnë Mbi Kushtetuesen

Një letër e tillë hap dyshime që nënshkrimi i gjykatësit Carolan në këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese të 13 nëntorit 2014 të jetë falsifikuar.

“Edhe pse kam qenë prezent në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës kur është marrë parasysh dhe vendosur lidhur me rastin KO 155/14, unë nuk kam marrë pjesë në vendimin sepse edhe më parë e kam larguar veten nga ky vendim”, thotë Carolan në letrën e tij drejtuar Ombudspersonit me datën 2 shkurt.

Tërheqja e gjykatësit Carolan për këtë vendim është bërë për shkak se ai ka qenë subjekt i ankesës së Ombudspersonit pasi që ai ishte ankuar që ka pas shkelje të ligjit në emërimin e tre gjyqtarëve të huaj.

Dy gjyqtarët tjerë Almiro Rodrigues, nga Portugalia dhe Snezhana Botusharova nga Bullgaria, nuk ishin përgjigjur fare në letrën e Avokatit të Popullit kur ai i kishte pyetur se si është e mudnur që ata kishin marrë vendim lidhur me një çështje që kishte të bënte me emërimin e tyre.

Raportuesja e Gjykatës Kushtetuese në këtë rast ishte Arta Rama Hajrizi ndërsa kryetar i Gjykatës Kushtetuese është Enver Hasani.

Hasani refuzoi të intervistohet nga Gazeta Jeta në Kosovë.

As anëtarja Arta Hajrizi nuk deshi të komentojë lidhur me kërkesën e re të Avokatit të Popullit pasi që vlerësoi se meqë Avokati i Popullit ka dërguar parashtresë të re në Gjykatën Kushtetuese “çfarëdo deklarate do të ishte në kundërshtim me ligjin dhe rregullat në fuqi”.

Ndërsa, Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se ka pranuar sot një kërkesë të re nga Avokati i Popullit që për objekt të çështjes ka shfuqizimin e Dekretit të Presidentes së Republikës së Kosovës për konfirmimin e vazhdimit të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, pasi që Aktvendimi paraprak i Gjykatës nuk kishte kuorumin e duhur për vendimmarrje”.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se do ta procedojë kërkesën e parashtruar nga Avokati i Popullit në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, si dhe Rregulloren e punës së Gjykatës.

Por ajo ka lënë shumë pak shteg për pritjet e Avokatit të Popullit.

“Gjykata Kushtetuese dëshiron të potencojë faktin se që nga themelimi i saj e deri më sot në asnjë moment nuk ka pasur mungesë kuorumi për punën e saj”, thuhet në një përgjigje të Gjykatës Kushtetuese për Gazetën Jeta në Kosovë.

Por Ligji për Gjykatën Kushtetuese thotë se gjyqtarët të cilët janë të pranishëm duhet të votojnë.

Ligji gjithashtu përcakton se përjashtimet duhet të bëhen publike në vendimin përfundimtar të gjykatës.

Në këtë rast, kjo nuk është vënë në dukje

“Gjyqtari Carolan veproi në përputhje me ligjin duke dërguar një letër kryetarit të Gjykatës por nuk është mirë që ne nuk e dimë nëse Gjykata ka marrë apo jo një vendim,” tha Gjyljeta Mushkolaj, ushtruese e detyrës së Dekanit në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës dhe ish gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.

“Publiku duhet të informohet në raste të tilla”, tha ajo.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e Avokatit të Popullit rreth kushtetutshmërisë së dekretit të presidentes Atifete Jahjaga rreth vazhdimit të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese, avokati i popullit Sami Kurteshi thotë se Gjykata nuk ka pasur kuorumin e mjaftueshëm.

Këtë Kurteshi e ka thënë duke iu referuar edhe një letre që gjyqtari ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese Robert Carolan, i ka dërguar Avokatit të Popullit në të cilën ai pohon se nuk ka marrë pjesë në vendimmarrje sa i përket rastit që ky institucion e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Në anën tjetër, emri i Robert Carolan figuron në vendimin që Gjykata e ka publikuar online përderisa ai i ka thënë Ombudspersonit që nuk ka qenë pjesë e vendimit.

Kurteshi thotë se Gjykata e ka fshehur mospjesëmarrjen e gjyqtarit Carolan në aktvendimin e saj.

“Pa pjesëmarrjen e gjyqtarin Carolan, Gjykata nuk ka pasur kuorumin e duhur prej 7 gjyqtarëve për të marrë vendim në këtë rast dhe për këtë arsye aktvendimi i Gjykatës për papranueshmërinë e rastit që e ka dërguar Avokati i Popullit, është i pavlefshëm nga ana ligjore”, tha Kurteshi.

Granit Vokshi, avokat dhe ish zyrtar i lartë ligjor në EULEX i cili ka qenë këshillues i këtij misioni mbi çështjet kushtetuese dhe ligjore, përfshirë çështjen e gjyqtarëve ndërkombëtarë,  pajtohet që Gjykata Kushtetuese ka bërë gabim kur i ka lënë gjyqtarët ndërkombëtar të vendosin për vetvete.

“Gjykata ka pasur mundësi të dilte me një zgjidhje kreative ligjore për t’i tejkaluar rrethanat e tilla.  Për shembull, meqë kuorumi për marrjen e vendimeve para Gjykatës Kushtetuese është e vendosur me ligj dhe jo me kushtetutë, Gjykata do të duhej të kishte bërë një vendim parimor, i cili thotë se vetëm një kuorum prej katër gjyqtarëve është i nevojshëm në rastet kur Gjykata nuk mund të arrijë kuorumin prej shtatë gjyqtarëve, siç parashikohet në ligj “, tha Vokshi .

“Kjo nuk do të aplikohet vetëm për rastin në fjalë por në të gjitha rastet të ngjashme”, u shpreh ai.

Ndërsa Sami Kurteshi tha sot se ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të sqarojë se pse mospjesëmarrja e gjyqtarit Carolan nuk përmendet askund në aktvendim dhe se a kanë përjashtuar veten edhe gjyqtarët e tjerë ndërkombëtarë mirëpo nuk kanë marrë përgjigjeje.

Duke marrë parasysh këtë gjë, Kurteshi tha se Avokati i Popullit ka dërguar sërish në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e dekretit të presidentes Jahjaga rreth mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë, si dhe një kërkesë për përjashtimin e Enver Hasanit nga pjesëmarrja në procedurën e kërkesës nga Avokati i Popullit.

Lidhur me Hasanin, ai ka kërkuar përjashtim nga rasti sepse, sipas tij, në një memorandum të brendshëm të misionit të EULEX- të botuar në revistën “Prishtina Insight” më 10 tetor 2014, konfirmohet se kryetari Hasani është konsultuar nga EULEX-i dhe ka miratuar anashkalimin e Kuvendit, në vazhdimin e mandatit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese.

“Duke marrë parasysh këto rrethana, kryetari Hasani nuk mund të jetë i paanshëm në këtë rast, prandaj unë kam kërkuar zyrtarisht përjashtimin e  tij. Zbulimi i përjashtimit të gjyqtarit Carolan dhe mos përmendja e këtij fakti në aktvendimin e Gjykatës, janë të rëndësishme edhe për një arsye tjetër. Arsyeja e dytë, këto fakte krijojnë të paktën një dyshim të arsyeshëm që dy gjyqtarë që kanë nënshkruar këtë aktvendim, Enver Hasani dhe gjyqtarja raportuese e rastit, Arta Rama- Hajrizi se mund të kenë mashtruar publikun duke fshehur faktin se Gjykata nuk kishte kuorumin e duhur për të marrë vendimin në këtë rast”, tha ai.

I pyetur se a do të ketë guxim Prokuroria që të hetojë Hasanin lidhur me këtë rast që ai e quan “falsifikim i nënshkrimit të gjyqtarit Carolan”, ai tha se të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë që kanë guximin ta kryejnë punën e tyre me kurajo ashtu siç e parasheh kushtetuta dhe ligji, është momenti dhe vendi për ta bërë një gjë të tillë. Sipas tij, nuk ka arsye për të mos e bërë punën siç duhet.

Kurteshi më pas tha se kur fakti që gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese mund të kenë falsifikuar një vendim të gjyqtarit për ta fshehur faktin se nuk kanë përmbushur kuorumin për nxjerrjen e vendimeve, paraqet goditje të rëndë për demokracinë.