Kryediplomati në Ikje Shpërblen Njeriun e Tij

Uliks Emra, tashmë ish-futbollisti kosovar, la këtë lojë në korrik të vitit 2010, për ta zëvendësuar sportin me politikën. 

Këtë veprim pati thënë se e mori pas gjendjes së keqësuar në futbollin e Kosovës. 

Ish-futbollisti Emra karrierën e tij politike e nisi në kabintetin e zëvendëskryeministrit [në largim] Hajredin Kuçi në cilësinë e këshilltarit politik. 

Në një intervistë të dhënë për Telegrafi.com më 15 dhjetor të 2010, ai kishte treguar ngjashmëritë e futbollit me politikën.

“Si në sport, ashtu edhe në politikë, konsideroj që duhet luftuar deri në momentin e fundit dhe në asnjë moment nuk duhet dorëzuar”.

Siç edhe kishte deklaruar ish-futbollisti Emra, ai ka vazhduar të luftojë për një pozitë më të mirë në karrierën e nisur drejt politikës. 

Katër vjet pasi la karrierën e tij prej futbollisti, ai më 31 korrik 2014 përgjatë kohës së ngërçit politik është avancuar në hierarkinë e diplomacisë kosovare nga Enver Hoxhaj, ministër në largim i Punëve të Jashtme.

Hoxhaj e emëroi atë në postin e  zëvendësshefit  të Ambasadës së Kosovës në Kroaci, një pozitë që nuk parashihet në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës. 

Propozimin për emërimin e Emrës në këtë pozitë, Hoxhaj e kishte marrë nga Albert Prenkaj, drejtori i përgjithshëm i MPJ-së. 

Ndërsa Emra para se të nisej për Kroaci kishte punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Prishtinë, në postin e zëvendësdrejtorit të përgjitshëm në MPJ.

Kishte mbajtur këtë pozitë deri më 30 prill 2014, pasi që më këtë datë ishte emëruar në pozitën ministër/këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Kroaci. 

Ky emërim që e dërgonte Emrën në Kroaci ishte bërë një muaj para se zyrtarisht të niste fushata parazgjedhore e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që janë mbajtur me 8 qershor. 

Ndonëse fushata do të niste më 28 maj, kjo nuk e kishte penguar ministrin në largim Enver Hoxhaj që fushatën ta niste më herët dhe të kërkonte vota gjatë tërë muajit maj. 

Si për falenderim për emërimin që i kishte bërë, Emra e kishte shoqëruar ministrin Hoxhaj në disa nga aktivitetet e tij politike-sportive si dhe në udhëtime jashtë vendit. 

Kjo shihet edhe përmes fotografive që kanë publikuar në rrjetet sociale si Hoxhaj ashtu edhe Emra. 

Në fotografitë që kishte publikuar ministri Hoxhaj gjatë datave 14 e 19 maj, ai ishte i shoqëruar në takimet e tij parazgjedhore edhe nga ish-futbollisti Uliks Emra, i cili ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës në  Fakultetin Juridik dhe më pas ka magjistruar në Drejtimin e Shkencave Penale.


Enver Hoxhaj nën shoqërimin e Uliks Emras | Foto: facebook/ 22 maj 2014

Vendimi i Hoxhajt që avancoi Emrën 

Gazeta Jeta në Kosovë ka parë vendimin e ministrit Hoxhaj të datës 31 korrik 2014, në të cilin thuhet se Emra duhet të nisë punën si zëvendësshef i misionit nga data 1 gusht.

Hoxhaj vendimin e tij e bazonte në vendimin e datës 30 prill 2014 të Komisionit për Grada dhe Disiplinë të MPJ-së që e emëronte Emrën në postin ministër/këshilltar në ambasadë.

Përgjigje të ngjashme për procedurat e emërimit kanë kthyer edhe zyra për media e MPJ-së, kur janë pyetur rreth kësaj çështje.

Por Zyra për Medie e MPJ-së nuk dha përgjigje kur u pyet nga Gazeta Jeta në Kosovë se pse Emra u emërua në një pozitë që nuk parashihet në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm. 

Avancimi i kontestuar i ish-futbollistit Emra është raportuar në platformën KALLXO.COM.

Pas këtij vendimi të Hoxhajt ishte Albert Prenkaj, drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme që u kujdes për emërimin e Emrës t’i njoftojë edhe përmes adresës elektronike zyrtarët brenda Ministrisë së Jashtme. 

“Me qëllim të mbarëvajtjes së shërbimeve në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb dhe në bazë të vendimit për emërimin e z. Uliks Emra ministër këshilltar, udhëzohet që i njëjti për nevoja menaxhuese të emërohet edhe zëvendësshef misioni”, thuhet në e-mail-in e Prenkajt, që ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë.  

Uliks Emra, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, ka thënë se për këto çështje ai nuk mund të japë përgjigje, sepse këto janë rregullat e brendshme të MPJ-së. 

Me të njëjtën arsye, përgjigje nuk ka kthyer as Albert Prenkaj, drejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme. 


Enver Hoxhaj nën shoqërimin e Uliks Emras | Foto: facebook/ 19 maj 2014

Ligji nuk parasheh postin e zëvëndësit 

Por në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës në nenin 26 ku tregohen gradat diplomatike dhe konsullore, nuk ekziston emërimi zëvendësshef misioni. 

Gradat diplomatike në Shërbimin e Jashtëm janë: “ambasador, ministër, ministër këshilltar, këshilltar, sekretar i parë, sekretar i dytë, sekretar i tretë, atashe”, thuhet në pikën 2 të nenin 26 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës. 

Ministria e Punëve të Jashtme kanë thënë se “Emra ushtron detyrën  e zëvendësshefit të Misionit, duke qenë se e ka gradën diplomatike Ministër Këshilltar, grada e dytë më e lartë në hierarkinë e Ambasadës në Zagreb”. 

Por në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, grada ministër këshilltarë, nuk është grada e dytë ashtu siç kanë shpjeguar zyra për media e Ministrisë së Punëve të Jashtmë por e treta për nga rëndësia. 

Edhe Skënder Hyseni, ish-ministër i Minstrisë së Punëve të Jashtme në qeverisjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë, se nuk ekziston emërimi zëvendësshef misioni. 

Hyseni ka shpjeguar se edhe sipas ligjeve të kosovës, por edhe sipas Konventës së Vjenës për Mardhënie Diplomatike Konsullore, ka ambasadorë, dhe të ngarkuar me punë, por nuk ka zëvendësambasadorë. 

“Në gjuhën diplomatike nuk ekziston emërimi zëvendësshef misioni, kështu nuk do të duhej të shkruhej as në dokumente zyrtare”, tha Hyseni. 

Por në një dokument zyrtar që e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë -një ekstrakt nga raportet javore të misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës të datës 8-12 shtator, ku tregohen aktivitetet e Ambasadës së Kosovës në Kroaci, përmendet pozita e Ulikës Emrës si zëvendësshef i misionit në këtë ambasadë. 

Edhe Puhie Demaku, sekretare për marëdhënie me jashtë në Lëvizjen “Vetëvendosje”, ka thënë se “vendimi për emërimin e Emrës është shkelje flagrante e Ligjit mbi Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës”.

“Komisioni nuk ka marrë as njoftim mbi një vendim të tillë, siç është ky për emërimin e z. Emrës zëvendësambasador në Kroaci”, i ka thënë Demaku Gazetës Jeta në Kosovë.  

“Në çdo vend demokratik vendimet e tilla bëhen publike edhe për audiencën e gjerë, jo vetëm për komisionin parlamentar. Por, është e qartë se emërimet në MPJ, si me dekret presidencial, janë mishërime të kulturës së favoreve, shpërblimeve dhe shpagimeve që njerëzit e regjimit ua bëjnë njëri-tjetrit duke e keqpërdorur shtetin”, ka thënë Demaku.