A e Shtyu BE Presidenten ta Shkelë Kushtetutën?

Pasi që gjykata ka lëshuar gjatë verës dy vendime të rëndësishme për krizën politike- në lidhje me postin e kryeministrit dhe kryetarin e parlamentit– pati shqetësime se do të pasojë një krizë akoma më e madhe. Pa tre anëtaret e vet ndërkombëtarë, gjykata nuk do të kishte kuorumin.

Kjo la një pyetje shqetësuese: Nëse kryetarët e partive do të shkonin sërish në gjykatë, çfarë do të ndodhte nëse nuk do të kishte gjykatë që ta nxirrte një vendim?

Duke shmangur një krizë, Jahjaga potencialisht krijoi një tjetër, dhe të enjten Avokati i Popullit Sami Kurteshi paraqiti një sfidë në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se Presidentja ka shkelur Kushtetutën duke ua zgjatur mandatin gjyqtarëve ndërkombëtarë.

Ndërkohë që veprimet e Presidentes shkojnë në kundërshtim me Kushtetutën, e cila thotë se gjyqtarët fillimisht duhet të propozohen nga Kuvendi e vetëm më pas të emërohen nga Presidentja, Zyra e Presidentes dhe zyrtarët e BE-së thonë se marrëveshja e Kosovës me Bashkimin Evropian në këtë rast lejon të ketë një procedurë të ndryshme.

Në dekretin e saj, Jahjaga arsyetoi se veprimet e saj ishin në përputhje me një “shkëmbim letrash” me shefen për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, nga Prill i vitit 2014, e cila përshkruan se si misioni i sundimit të ligjit i BE-së, EULEX, dhe Task Forca Hetimore Speciale, e cila po heton krimet e luftës, vepron në Kosovë.

Më pas Kuvendi i përshtati këto letra në ligj në muajin Maj, duke formuar bazën ligjore për praninë e BE-së në Kosovë.

Zyra e saj e konsideron këtë shkëmbim letrash si një marrëveshje ndërkombëtare, megjithëse kjo është kontestuese, duke qenë se marrëveshjet ndërkombëtare duhet të bëhen midis dy palëve që e njohin njëra tjetrën, ndërsa BE nuk e njeh Kosovën si shtet.

Megjithatë as Kushtetuta e Kosovës e as shkëmbimi i letrave, nuk i jep të drejtën askujt të “zgjasë” mandatin e gjyqtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Për ta bërë më konfuze, nuk është e qartë se për sa kohë do të zgjatet mandati i gjyqtarëve.

Një korrespondencë e brendshme e BE-së, që daton më 20 Gusht, e siguruar nga Prishtina Insight, nxjerr në pah se Zyra e Presidentes ka pasur dyshime për procesin e zgjatjes së mandatit të gjyqtarëve në mungesë të parlamentit.

Ajo vuri në dukje se ekipi ligjor i Presidentes “insistoi” që emërimet të kalojnë nëpërmjet parlamentit, duke e sjellë procesin në përputhje me nenin 114 të Kushtetutës. Në korrespondencë gjithashtu thuhej se gjyqtarët duhet ta bënin të njëjtin betim si homologët e tyre kosovarë.

Zyrtarët e EULEX-it e bindën zyrën e Jahjagës  se parlamenti nuk ishte i nevojshëm.

“Pas një diskutimi të gjatë me Zyrën e Presidentes, ata ranë dakord që gjyqtarët nuk duhet të bëjnë betimin, dhe nuk ka nevojë për Kuvendin,” thuhet në dokumentin e brendshëm të EULEX, të muajit gusht.

Avokati i Popullit Kurteshi vazhdon të jetë i mendimit që dështimi për t’u konsultuar me Kuvendin është anti-kushtetues.

“Kushtetuta nuk i lejon dhe nuk duhet t’i lejojë askujt, përfshirë edhe Presidenten, t’i anashkalojë përfaqësuesit e zgjedhur nga populli, në emërimin e gjyqtarëve të gjykatës më të lartë,” tha ai për Prishtina Insight.

Neni 20 i Kushtetutës i lejon Kosovës të dorëzojë pak prej sovranitetit të saj. Megjithatë, fakti se ky mekanizëm nuk thotë asgjë për zgjatjen e mandatit të gjyqtarëve e shqetëson Avokatin e Popullit.

Analistë të tjerë janë gjithashtu të shqetësuar. Fisnik Korenica, drejtor i Qendrës për Studime Ligjore e Politike, tha se ndonëse Presidentja nuk e theu ligjin duke bërë riemërimet, ato ishin problematike.

”Mendoj se ishte ligjore por jo legjitime. Nuk mund të kesh legjitimitet pa dalë përpara parlamentit,” tha Korenica.

Gjyljeta Mushkolaj, profesore e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës dhe ish-gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, tha se ndërsa zgjatja e mandatit të gjyqtarëve ishte e ligjshme, gjyqtarët personalisht duhej ta bënin betimin për Republikën.

“Gjyqtarët duhet të betohen,” tha Mushkolaj. “Na duhet një konfirmim më shumë që ata po veprojnë si të pavarur, si gjyqtarë të Republikës së Kosovës.”

Ndërsa çështja e Avokatit të Popullit ngre pyetje procedurale rreth rrugës së shkurtë që Presidentja ndoqi bazuar në këshillën e BE-së në interes të demokracisë, Samuel Zbogar, shefi I zyrës së BE-së në Kosovë, e mbron rolin e BE-së.

“Ne nuk i kemi bërë presion askujt,” tha ai. ”Ne nuk kemi bërë asnjë shkelje. Vetëm jemi bazuar në interpretimin dhe të kuptuarin tonë të shkëmbimit të letrave të ratifikuar në parlament, dhe kemi ndjekur atë procedurë.”

Letrat e Prillit, që po përmenden si justifikim për zgjatjen e mandateve, megjithatë janë të mjegullta krahasuar me letrat e përdorura në të shkuarën që rregullonin emërimet ndërkombëtare.

Çështja qëndron në faktin se Presidentja, duke i lejuar EULEX-it të propozojë dhe emërojë gjyqtarët, i dha më shumë sovranitet se sa i jep shkëmbimi i letrave.

Zyra e Presidentes i njeh mirë këto ligje. Në vitin 2012, Presidentja i shkruante Ashton-it në lidhje me delegimin e autoritetit te EULEX-i.

“Si Presidente, është detyra ime të siguroj që çdo delegacion i këtij lloji të përcaktohet në mënyrë të qartë,” shkruante ajo.

Letra e vitit 2012 i referohej kompetencave që iu deleguan EULEX-it për “propozimin dhe emërimin” e gjyqtarëve dhe prokurorëve, gjë e cila nuk ishte bërë në shkëmbimin e vitit 2014 dhe e cila i dha EULEX-it vetëm mundësinë të “emërojë”.

“Kushtetuta nuk i lejon Presidentes të zgjasë mandatet e tre gjyqtarëve ndërkombëtarë pa propozimin e Kuvendit, dhe asgjë në marrëveshje, siç kuptohet më saktë, nuk e ndryshon këtë,” një këshilltar ligjor pranë Avokatit të Popullit tha për Prishtina Insight.

Rasti i Avokatit të Popullit në ndërkohë mund ta destabilizojë gjykatën sepse tre gjyqtarëve mund t’u duhet që të “tërhiqen”- të heqin dorë– nga rasti duke qene se kjo hapur ndikon në punën e tyre.

Për më tepër, korrespondenca e BE-së tregon se kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ishte “konsultuar jo zyrtarisht” rreth procesit dhe “tha se nuk ka nevojë të përfshihet Kuvendi”. Kështu që nëse gjykata e dëgjon çështjen edhe ai duhet të tërhiqet.

“Hasani është një mik dhe kam respektin më të madh për të si akademik dhe jurist. Prandaj unë po pres që ai vetë vullnetarisht të tërhiqet nga çështja nëse del që ai ka qenë i përfshirë në riemërimin e kolegëve të tij, por nuk mund ta paragjykoj këtë çështje,” tha Kurteshi.

Avokati i Popullit pohon se çështja nuk ka të bëjë asgjë me pyetjen nëse gjyqtarët ndërkombëtarë duhet apo jo të ulen në gjykatë; ajo lidhet vetëm me procesin e emërimit.

“Kjo çështje lidhet vetëm me një pyetje: A e respektoi Presidentja procedurën e mandatuar nga Kushtetuta për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në konfirmimin e zgjatjes e zgjatjes së mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë?” pyeti ai. ”Dhe përgjigja është ‘Jo.”