Iballi i PDK-së Bëhet Dekan pa Thirrje Akademike

Dy veta të politizuar më 24 korrik të këtij viti ia kishin mësyrë postit të dekanit të Fakultetit të Sigurisë Publike që është në kuadër të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) në Vushtrri.

Nazmi Iballi i Partisë Demokratike në pushtet,  konkurronte përballë Bejtush Gashit të Aleancës Kosova e Re, partnerit të vogël në koalicionin qeveritar në largim.

Për të ardhur në këtë pozitë Iballi është dashur që para Këshillit të Fakultetit të bëjë një prezantim për planin zhvillimor të këtij fakulteti për vitet 2014-2018.

Ai thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se ky plan ishte arma e tij më e fortë kundër konkurrentit.

“Ai [Bejtush Gashi] nuk ka pasur plan zhvillimor. Në momentin kur unë kam përfunduar së prezantuari planin zhvillimor, ai është tërhequr nga gara pa dhënë ndonjë sqarim për Këshillin e Fakultetit”, thotë Iballi. 

Gashi që është zëvendësministër i Forcës së Sigurisë ende nuk ka dhënë një përgjigje lidhur me pohimin e Iballit. 

Iballi do të nisë punën si dekan më 1 tetor të këtij viti, kur edhe fillon viti akademik. 

Ky është viti i parë akademik për këtë institucion të lartë arsimor.Të qenët anëtar partie nuk  është kusht zyrtar për t’u bërë dekan i këtij fakulteti.

Por emërimi i Iballit po kritikohet nga anëtarë të shoqërisë civile. 

Florian Qehaja nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë thotë se politizimi e dëmton fakultetin e sigurisë.

“Personi i cili është zgjedhur në pozitën e dekanit duhet të jetë të paktën kredibil në aspektin akademik e kurrsesi të jetë i politizuar”, tha Qehaja për Gazetën Jeta në Kosovë. 

“ Fakulteti i Sigurisë Publike posa është formuar dhe politizimi i tij i menjëhershëm e rëndon gjendjen që në fillim”, shtoi ai. 

Dekan pa thirrje akademike

Studentët e parë  të këtij fakulteti do të jenë  52 zyrtarë të sigurisë publike të cilët janë pranuar në këtë fakultet pas testeve teorike dhe praktike. 

Fakulteti i Sigurisë Publike është në kuadër të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike që është agjenci ekzekutive e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila drejtohet nga ministri në largim Bajram Rexhepi. 

AKSP-ja si institucion ofron trajnime themelore dhe të specializuara për Policinë e Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Doganat e Kosovës, Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave si dhe për institucione tjera të sigurisë publike. 

Nazmi Iballi ndonëse është zgjedhur dekan fakulteti, nuk ka thirrje akademike. Është vetëm ligjërues. 

Përmes një kumtese për media më 24 korrik 2014, AKSP-ja kishte njoftuar se Iballi është zgjedhur  në pozitën e dekanit bazuar në dy rregullore. 

Përmendej Rregullorja për Arsimin e Lartë [26/13] neni 12, paragrafi 1 dhe nenit 4 të paragrafit 1 si dhe Rregullorja për Zgjedhjen, Emërimin dhe Shkarkimin e Dekanit, Prodekanit dhe Udhëheqësve të Njësive të Fakultetit në AKSP [03/14].

Por bazuar në rregulloren e parë  që përmendet në njoftimin për media, e cila është miratuar në vitin 2013, del se dekani Iballi nuk i ka përmbushur kriteret për pozitën e dekanit, pasi ai nuk ka thirrje akademike. 

Neni 12-të i kësaj rregulloreje thotë se …“fakulteti udhëhiqet nga dekani i zgjedhur nga Këshilli për një periudhë katërvjeçare nga radhët e profesorëve akademikë me marrëdhënie të rregullt pune, me të drejtë rizgjedhjeje edhe për një mandat”.

Profesor akademikë konsiderohen ata që i kanë thirrjet profesorë asistentë, profesorë të asocuar, ose profesorë të rregullt, Iballi nuk e ka asnjërën nga këto thirrje. 

Gazeta e ka pyetur Iballin për ngritjet e tij akademike, por ai nuk është përgjigjur në këtë pyetje.  

Por Iballi duke shpjeguar për mënyrën e përzgjedhjes së tij në këtë pozitë, ka thënë se ai dekan është zgjedhur në bazë të Rregullores për Zgjedhjen, Emërimin dhe Shkarkimin  e Dekanit. 

“Ne  pozitën  e   dekanit  jam zgjedhur  sipas  procedurës së paraparë me Rregulloren  03/14 të AKSP-së për  Zgjedhjen, Emërimin dhe Shkarkimin  e Dekanit”, ka thënë Iballi në përgjigjen e tij, duke mos përmedur edhe Rregulloren e Arsimit të Lartë, siç thuhej në njoftimin për media të AKSP-së.

Neni katër i rregullores në bazë të së cilës Iballi është zgjedhur dekan, nuk kërkon që dekani të jetë nga radhët e profesorëve akademikë, por nga personeli akademik, duke i dhënë kështu të drejtën e plotë Iballit për t’u zgjedhur dekan. 

 “Dekani zgjidhet nga radhët e personelit akademik i cili ka marrëdhënie të rregullt pune në fakultet dhe gradën e doktorit të shkencës”, thuhet në nenin katër të Rregullores për Zgjedhjen, Emërimin dhe Shkarkimin e Dekanit. 

Kjo rregullore është miratuar në mars të 2014-ës, gjashtë muaj para zgjedhjes së Iballit në pozitën e dekanit, e cila ndryshon nga Rregullorja për Arsimin e Lartë në AKSP sa i përket kritereve për zgjedhjen e dekanit. 

Ismail Smakiqi, kryetari i Këshillit të Fakultetit thotë që rregullorja e vitit 2014 derivon nga rregullorja e vitit 2013 dhe se sipas tij Iballi i ka plotësuar kriteret në të dyja rastet. 

Ai thotë se termi personel akademik si dhe profesor akademik nuk ka të bëjnë me thirrjet apo titujt që marrin profesorët. 

“Emërtimi i profesor i përdorur në këto nene i referohet kategorisë së personelit mësimdhënës (personelit akademik) brenda AKSP-së, e jo titujve akademik sepse brenda dispozitës nuk ceket fjala “titullin” apo “thirrjen” e profesorit, profesor asistentit apo ligjëruesit”, ka thënë Smakiqi, i cili ngjashëm si Iballi është pjesë e partisë në pushtet. 

Ai në vitin 2007 ka qenë kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së. Ai gjithshtu gjatë viteve 2007-2009 ka qenë edhe nënkryetar i Komunës së Mitrovicës gjatë qeverisjes së Bajram Rexhepit në këtë komunë.  

Ndërsa, Iballi në vitin e kaluar kishte konkurruar në Universitetin e Prizrenit për lëndët e kontabilitetit– për tu propozuar në thirrjen profesor asistent si grada e parë akademike, por ishte refuzuar. 


Bejtush Gashi

Iballi me dy pozita publike

Nazmi Iballi është edhe asamblist i Partisë Demokratike të Kosovë në qytetin e Shtimes që nga zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura nëntorin e kaluar.

Iballi përgjatë viteve 2009-2013 ka qenë edhe drejtor i arsimit, po në këtë komunë. 

Ai ka thënë se me marrjen e pozitës së dekanit me 23 korrik ka dhënë dorëheqje nga Këshilli Drejtues, Kryesia  dhe  nga  anëtarësia e partisë në pushtet, ndërsa një ditë më pas është zgjedhur dekan në Fakultetin e Sigurisë Publike. 

Këtë gjë gazetës ia ka konfirmuar edhe Basri Musmurati, sekretar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Ndërsa vazhdon ta mbajë pozitën e asamblistit të PDK-së në komunën e udhëhequr po nga kjo parti. 

Pas pyetjeve të gazetës, ai ka premtuar se do të ofrojë edhe dorëheqjen për pozitën e këshilltarit komunal. 

“Në  mbledhjen  e radhës  do  të  dorëzoj  një  deklaratë  me  shkrim, ose do të prezentoj që  jap dorëheqje edhe  nga  pozita e këshilltarit në asamble”, i ka thënë Iballi, Gazetës Jeta në Kosovë. 

Hasan Preteni nga Agjencia Kundër Korrupsion, i pyetur nga gazeta se a paraqet konflikt interesi  mbajtja e dy posteve publike, ka thënë se “rasti është në trajtim e sipër—ligjërisht procedura është e mbyllur për publikun”. 

Ndëra në Ligjin për Parandalimin e Konfliktiti të Interesit, në Neni 16, ku përmenden kufizimet e zyrtarit të lartë në ushtrimin e funksioneve tjera krahas ushtrimit të funksionit publik thuhet se …”zyrtari i lartë publik nuk mund të jetë menaxhues ose anëtar i organeve menaxhuese në organizata fitimprurëse dhe jo fitimprurëse, përjashtuar subjektet politike si dhe rastet kur një funksion i tillë i dedikohet për shkak te funksionit.

Shkrimit i ka kontribuar edhe Behar Mustafa