Shtyrja e Seancës Nuk Ka Qenë Dashur të Ndodhë

Sipas tyre, ajo po e luan rolin e kryetares e jo të kryesueses, post të cilin e mban përkohësisht deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Shtyrja e seancës është bërë të enjten në mbledhjen e ftuar nga ana e kryesueses Flora Brovina.

Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë vetëm Adem Grabovci i PDK-së dhe përfaqësues të partive të pakicave dhe kryesuesja Brovina, kurse atë e kanë bojkotuar përfaqësuesit e koalicionit pas zgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe të Vetëvendosjes.

Pas përfundimit të mbledhjes, në një prononcim për medie, kryesuesja Brovina ka thënë se seanca do të mbahet me 18 shtator.

Sipas saj, arsye e shtyrjes së seancës vjen pas kërkesës së përfaqësuesve të Listës Serbe , të cilët kanë kërkuar kohë shtesë për konsulta me Qeverinë e Serbinë, pas marrëveshjes së LAN-it me Vetëvendosjen

“Duke marrë në konsiderim të gjitha vërejtjet që pati Lista Serbe dhe e cila ka nevojë për një konsultë mes anëtarëve të vet morëm në konsiderim dhe njëzëri ky forum mori vendim që të shtyhet seanca e nesërme për të enjten e javës së ardhshme”, ka thënë Brovina.

Kurse, udhëheqësi i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq, ka thënë se subjekt i tij politik ka nevojë të konsultohet me Qeverinë e Serbisë dhe anëtarët e vet pas marrëveshjes së LAN-it me Vetëvendosjen.

 “Duke e ditur se Lëvizja Vetëvendosje si parti që kërkon rishqyrtim të bisedimeve dhe kërkon pjesëmarrje në këto bisedime për ne kjo është një kohë shumë e shkurtër për tu konsultuar brenda listës dhe me Qeverinë e Serbisë  si dhe me subjektet e tjera relevante në Kosovë dhe Metohi për planet tona në të ardhmen”, tha Jabllanoviq.

Por, njohës të çështjeve juridike thonë se Brovina nuk ka pasur të drejtë që të shtyj seancën, pasi që sipas tyre ajo nuk ka kurrfarë kompetencash për një gjë të tillë.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, tha për gazetën Jeta në Kosovë se thirrja për vazhdim të seancës është thjesht një detyrim administrativ i kryesueses së Kuvendit.

Sipas Korenicës, vetëm deputetet janë ata që pasi të hyjnë në seancë mund të vendosin me shumicë votash nëse dëshirojnë të shtyjnë seancën.

“Mendoj se shtyrja e seancës është bërë jashtë mandateve bazike për funksionimin demokratik të Kuvendit dhe në luajtjen e një roli të tillë, zonja Brovina ka shërbyer 100 për qind si një zyrtare e një partie politike, por kurrsesi si kryesuese”, shtoi Korenica.

Edhe profesori Riza Smaka, thotë se kryesuesja ka një rol solemn dhe nuk i takon asaj që ta shtyjë seancën.

“Zonja Brovina nuk është kryetare e Kuvendit, ndërsa po vepron sikur të ishte kryetare dhe po merr vendime të cilat nuk i takojnë”, tha Smakaj.

Edhe liderët e koalicionit LAN dhe ai i Vetëvendosjes, shtyrjen e seancës e kanë quajtur skandaloze.

“Unë mendoj që procedura e shtyrjes së seancës është krejtësisht e papranueshme, është një procedurë e pashembullt dhe arbitrare se seanca është dashur të mbahet sot”, tha lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Nga ana tjetër, analisti i çështjeve politike Belul Beqaj, është shprehur kritik ndaj lidershipit kosovar.

Ai tha për gazetën Jeta në Kosovë se proceset nga ana e lidershipit  po zhvillohen në rrafshin iracional, kurse shtyrja e seancës vetëm sa do të komplikojë situatën dhe do ta thellojë nervozën ndërmjet grupeve politike.

“Mjerisht po dëshmohet se lidershipi pas 15 viteve mbetet  i varur nga ndërkombëtaret dhe ky është sinjali kyç për ta, nëse dëshirojnë të mbrojnë tezën për ‘rrëfimin e suksesshëm’ të Kosovës”, tha Beqaj.