Kushtet Rëndojnë Formimin e Qeverisë

Me 9 deputetë në Kuvendin e Kosovës, partia më e madhe serbe në Kosovë, po tenton të përfitojë sa më shumë që të jetë e mundur nga ndasitë e partive shqiptare të cilat ende janë duke kërkuar partner koalicioni.

Lideri i Listës Serbe, Aleksandar Jablanovic, i ka thënë Gazetes Jeta në Kosovë se ata ende nuk kanë pasur ndonjë takim me partitë politike.  Sidoqoftë, ai shtoi se “kushtet tona janë të qarta dhe reale”.

“Kushtet tona përfshijnë ndalimin e privatizimit të kompanive publike në komunat serbe, krijimi i Asociacionit të komunave në fund të këtij vitit, kthimi i pronave të Kishës Ortodokse dhe krijimi i dy komunave të reja”, ka thënë ai.

Ndërmarrjet e përmendura nga Jablanovic janë Trepça në Mitrovicën veriore dhe Brezovica në pjesën qendrore të vendit, të cilat ende nuk janë privatizuar.

Për më tepër, ai shtoi se partia e tij do të insistojë që shëndetësia dhe arsimi të mos jenë nën sistemin e Kosovës në kohën kur ata e themelojnë Asociacionin e Komunave Serbe.

“Është e papranueshme për ne që fëmijët tanë të mësojnë nën sistemin e Kosovës sepse nëse e pranojmë këtë sistem atëherë ne do t’i lejonim vetes të mësonim se Adem Jashari është një hero kombëtar, dhe ne nuk e pranojmë një gjë të tillë”, ka thënë ai.

“Sa i përket sistemit shëndetësor,  një numër i madh i shqiptarëve nga Kosova dhe njerëzve që jetojnë në Kosovë kërkojnë shërim në Serbinë qendrore”, ka shtuar Jabalanovic.

Blloku i koalicionit ka 47 deputetë në Kuvendin e Kosovës deri sa për të formuar një qeveri duhen 61 vota. Në anën tjetër, PDK ka 37 deputetë, deri sa ata ende po shpresojnë se do të bindin ndonjërën nga partitë shqiptare dhe Listën Serbe t’i bashkohen në një koalicion.

Partitë që po synojnë formimin e qeverisë po ashtu llogarisin në votat e pakicave të tjera të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, të cilat deri më tani kanë thënë se do të përkrahin atë kandidat dhe parti që i ka numrat për ta bërë qeverinë.

Blloku LDK-AAK-NISMA dhe Lëvizja Vetëvendosje janë takuar rreth 10 herë javët e kaluara për të diskutuar formimin e një koalicioni qeverisës, por nuk është arritur një marrëveshje e tillë pas insistimit të Lëvizjes Vetëvendosje që të ndalohet dialogu me Beogradin, dhe në anën tjetër ajo ta udhëheqë një dialog që do të zhvillohet me serbët që jetojnë në Kosovë, e jo me Beogradin.

Por, edhe pse këto parti kanë shumë nevojë për votat e Listës Serbe, ata nuk i pranojnë kushtet e vëna ndaj tyre.

Basri Musmurati, Sekretar i Përgjithshëm i PDK-së, ka thënë se partia e tij ende nuk ka diskutuar këtë çështje, por siç theksoi ai, PDK do të pranojë kushte të cilat bien ndesh me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

I pyetur se cila do të ishte përgjigja e PDK-së në rast se Lista Serbe kërkon që sistemi arsimor dhe i shëndetësisë të jenë nën sistemin e shtetit serb, ai ka thënë se “ne do të pranojmë kushtet të cilat janë në rregull me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.”

Në anën tjetër, Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka paralajmëruar se blloku që ka kandiduar Ramush haradinaj për kryeministër të vendit, do t’i rikthehet bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje pasi që Gjykata Kushtetuese të ketë dalë me një vendim rreth ankesës së PDK-së.

“Ne do të bëjmë biseda me të gjitha partitë politike, përveç PDK-së, dhe do t’i harmonizojmë qëndrimet,” ka thënë ai.

Sipas tij, Lista Serbe nuk ka vënë kushte ndaj bllokut.

“Nuk është fjala për kushte por për dakordim për të marrë pjesë ne qeveri, sepse atyre edhe me Kushtetutë u takon të jenë në qeveri, andaj gjithçka do të bëhet sipas Kushtetutës,” ka thënë Isufi.

“Por ne nuk do të bëjmë asgjë që është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës,” tha ai duke iu referuar kërkesave të paraqitura nga Lista Serbe.

Gjykata Kushtetuese është duke e trajtuar ligjshmërinë e zgjedhjes së Isa Mustafës si kryetar i kuvendit pasi PDK dorëzoi një ankesë rreth ligjshmërisë së votimit të 17 korrikut në Kuvend.

Pas zgjedhjes së kryetarit të kuvendit, mund të procedohet me zgjedhjen e kryeministrit të ri.