Daja i Grabovcit i “Lënë Anash” nga Thaçi

Kryedeputeti i PDK-së Adem Grabovci ia kërkonte një favor shefit të partisë në pushtet, Kryeministrit Hashim Thaçi, teksa fliste në telefon me të në nëntor të vitit të kaluar.

Në njërën nga telefonatat e përgjuara nga hetuesia e EULEX-it që rrodhën në publik gati dy javë më parë, Grabovci ia kujtonte Kryeministrit se ia “kishte lënë një anash një dajë”.

Thaçi e pyet: “Mazrekun a?”

Grabovci i përgjigjet : “Jo, Curr Gjocajn”.

Kryeministri Thaçi ia kthen se këtë muhabet nuk ia kishte thënë më herët.

Në bisedat e përgjuara mes dy drejtuesve të PDK-së, nuk saktësohet se për çka Grabovci intervenonte tek Kryeministri i vendit për dajën.

Grabovci as kur është pyetur për këtë nga Gazeta Jeta në Kosovë nuk ka sqaruar se për çfarë pune kishte intervenuar tek Kryeministri për interes të Curr Gjocajt.

Ai thotë se Curr Gjocaj nuk është daja i tij, por daja i gruas së tij.

Por, çfarë probleme kishte pasur Curr Gjocaj, zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë?

Ai ishte larguar në maj të vitit të kaluar dhe ishte rikthyer sërish në punë na maj 2012.

Gjocaj ishte i suspenduar në kohën kur Grabovci po fliste me liderin e PDK-së dhe ku përmendej edhe emri i tij.

“Curri është kthyer në punë pasi kështu ka vendosur Këshilli i Pavarur Mbikqyrës. Nuk ka të bëjë asgjë me faktin që unë e përmenda emrin e tij kur bisedova me Kryeministrin”, thotë Grabovci.

 
Adem Grabovci, shef i grupit parlamentar të PDK-së  

Ndërprerja dhe kthimi në punë

Curr Gjocajt, drejtor i Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në MSH, i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës në maj të vitit të kaluar.

Bazuar në një vendim të një komisioni disciplinor brenda MSH-së, të datës 12 maj 2011, ndaj tij ishte vendosur për shqiptimin e masës disciplinore – Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës.

Ai ishte i vlerësuar si i padisciplinuar pasi që kishte keqpërdorur pushimin mjekësor që kishte marrë.

Komisioni Disciplinor kishte gjetur se përkundër pushimit mjekësor të dhënë nga MSH-ja, ai ishte angazhuar të punonte si mjek në spitalin e Ferizajt.

Por, Gjocaj në gusht të vitit të kaluar ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ndaj vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë. Në mesin e shumë pretendimeve se MSH-ja kishte vepruar kundërligjshëm, ai kishte përmendur edhe faktin që kishte qenë duke u mjekuar në “International Medicine Hospital”.

Këshilli…. kishte vendosur për kthimin e Gjocajt në punë.

Ndërkohë, ish-sekretari permanent Ilir Tolaj më 27 tetor 2011 kishte nxjerrë një vendim ku theksohej se po zbatohej vendimi i Këshillit. Por, Gjocajt i ndërrohej pozita e punës. Nga drejtor për shërbimet shëndetësore, ai do të punonte si drejtor i Qendrës së Shërbimit Profesional të Shëndetit Mendor në Ferizaj.

Gjocaj nuk kishte pranuar që të ndërronte vendin e punës.

Ministria e Shëndetësisë u ankua ndaj vendimit të Këshillit dhe dërgoi padi ndaj këtij vendimi në Gjykatën Supreme.

Gjykata Supreme më 15 nëntor të vitit 2011 kishte vlerësuar që Këshilli nuk kishte marrë për bazë rrethanat faktike dhe se duhej rishqyrtuar i njëjti vendim.

Këshilli kishte nxjerrë një vendim rishqyrtues më 4 maj të vitit 2012.Vendimi e kthente Gjocajn në punë.

Edhe Gjocaj, i cili tash e disa muaj është rikthyer në pozitën që ka mbajtur para se të largohej në maj të vitit të kaluar, thotë se nuk e di nëse Thaçi e Grabovci kanë folur për të gjatë bisedës telefonike të rrjedhur në publik.

“Nuk e di nëse ata kanë folë ose jo për mua. Më së miri këtë e sqarojnë të dy autorët. Unë kam emër, nuk përfaqësoj të gjithë Gjocajt e Kosovës”, tha ai.

Gjocaj ka mohuar se është dajë i deputetit të partisë në pushtet, Adem Grabovcit.

Për sa i përket problemeve të tij me MSH-në, ai ka thënë se tashmë dihet që është rikthyer në punë me vendim të Këshillit…

Edhe zëdhënësi i kësaj ministrie, Faik Hoti, tha se ky institucion rikthei në punë Curr Gjocajn pasi me këtë respektoi një vendim të Këshillit të Pavarur Mbikqyrës.