Fuqizimi i Spiunazhit Shtetëror Shpërfill BE-në

Kur kryeministri Hashim Thaçi priti komisionerin e BE-së për Zgjerim Stefan Fule në një takim para rreth dy muajsh, ai vlerësonte se raporti i studimit të fizibilitetit është dokument historik për Kosovën.

Thaçi në këtë takim i premtoi zyrtarit të BE-së se Kosova do të prodhojë argumente të mjaftueshme të cilat do të ndikojnë që të ecë përpara agjenda e saj europiane.

“Dokumenti i studimit të fizibilitetit është dokument historik për Kosovën pasi që është dokumenti i parë në relacionet shtet i Kosovës – BE”, thoshte Thaçi, më 15 tetor të këtij viti, tri ditë pas publikimit të këtij dokumenti nga ana e Komisionit Europian.

“…..Jemi të bindur se për pak muaj ne do t’i përmbushim kriteret afatshkurtra”, vazhdonte Thaçi.

Por, pa i mbushur dy muaj që atëherë, në një mbledhje të kabinetit qeveritar, u vendos që të procedohej për miratim në parlament Projektligji për Përgjimet Telefonike, përmbajtja e të cilit është në kundërshtim me rekomandimet e Bashkimit Evropian të përmendura në Dokumentin e Studimit të Fizibilitetit.

BE-ja nëpërmjet këtij dokumenti ka kërkuar që Kosova të ketë një ligj për përgjimet telefonike. Blloku kërkonte që të bëhej një ndarje mes përgjimeve për nevoja të intelegjencës dhe përgjimeve për nevoja të gjyqësisë.

Projektligji i sponzoruar nga Qeveria e Kosovës nuk e parasheh këtë ndarje.

Bazuar në këtë projektligj parashihet që të krijohet një Qendër Administrative Elektronike brenda Agjencisë Kosovare të Intelegjencës – një institucion që i raporton drejtpërdrejtë Kryeministrit dhe Presidentit të vendit.

Nga kjo qendër brenda AKI-së, bazuar në këtë projekt ligj, parashihet që të kryhen përgjimet telefonike.

Të gjithë mekamizmat e hetimit si prokuroria, policia, doganat, vetë AKI si dhe EULEX-i duhet të kryejnë përgjimet përmes kësaj qendre.

Operatorët e telefonisë janë të detyruar që të ndajnë mjete në krijimin e kësaj qendre. Nëse nuk e bëjnë këtë mund të dënohen nga shteti.

Ndërkohë Inspektori i Agjencisë Kosovare të Intelegjencës është caktuar si mekanizëm i cili do të monitorojë rregullsinë e përgjimeve telefonike dhe për të siguruar shtetin se ato nuk do të keqpërdorën.

“Kufizuam EULEX-in”

Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, pranoi se përmbajtja e këtij ligji do të shërbej kundër EULEX-it, trupës europiane për sundim të ligjit në Kosovë.

Rexhepi theksoi se përmes këtij ligji do të kufizohej hapësira e EULEX-it për përgjime telefonike.

“I keni në ligj kufizimet që i bëhen EULEX-it. Nuk dua të komentojë më shumë”, tha Rexhepi, i pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë.

 
Ministri Bajram Rexhepi pohon se ishte përgjuar nga EULEX-i dhe UNMIK-u  

 

Ky projekt ligj u procedua disa ditë pasi në publik rrodhën biseda të përgjuara telefonike nga hetues të EULEX-it ku ishin protagonistë pesë anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nënkryetar i së cilës është edhe ministri Rexhepi.

Bisedat telefonike të shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, të përgjuara derisa hetohej për korrupsion në ish-Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, u dorëzuan tek avokatët mbrojtës të grupit të ish-ministrit Fatmir Limaj. Ato u publikuan në “Youtube” dhe u bënë të qasshme për publikun.

Në këto biseda Grabovci fliste me Kryeministrin Hashim Thaçi, ministren për Integrime Europiane Vlora Çitaku, kryetarin e Skënderajt Sami Lushtaku dhe anëtarin e PDK-së Kadri Veselin, ish-shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

Bisedat mes anëtarëve të partisë në pushtet u bënë të famshme për sharjet në adresë të kundërshtarit partiak Jakup Krasniqi, kualifikimit si “zagarë” të elektoratit që nuk i bindet liderit të partisë, sharjet mes vete, kërkesave për favore si dhe përdorimit të italishtes.

Por tash, hetuesit e EULEX-it, pasi të marrin leje nga gjykata për përgjim, duhet që të kryejnë këtë procedurë hetuese përmes Qendrës Administrative Elektronike të vendosur në AKI. Aty do të jenë të monitoruar nga Inspektori i kësaj agjencie.

EULEX-i nuk pranoi të komentonte deklaratat e ministrit Rexhepi i cili edhe në të kaluarën kishte kritikuar ndërkombëtarët për përgjime të jashtë ligjshme.

Madje, Rexhepi në një mbledhje të komisionit parlamentar për siguri kishte konstatuar se misionet e huaja si UNMIK-u e EULEX-i kishin përgjuar telefonin e tij për vite më radhë.

EULEX-i nuk deshi të komentojë as nëse kishte pasur qëndrime kundër gjatë mbledhjeve të grupit punues për hartimin e projektligjit për përgjime telefonike.

Por sipas këtij misioni është e rëndësishme që ligji të jetë në përputhje me standardet europiane.

“Është me rëndësi që Kosova të ketë ligjin për përgjimet telefonike por është gjithashtu e rëndësishme që ky ligj të jetë në përputhje më standardet europiane dhe praktikat më të mira. Një ndër parimet kryesore të të gjitha shoqërive moderne dhe demokratike është ndarja e qartë dhe praktike e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor”, tha Bardha Azari, zyrtare informimi në EULEX.

Por kjo zyrë nuk pohoi nëse përmbajta e këtij projektligji për EULEX-in paraqet shkelje të këtyre parimeve.

Po ashtu as Komisioni Europian nuk pranoi të bëjë një koment rreth përmbajtjes së këtij projektligji i cili nuk përmbush rekomandimet që dalin nga dokumenti i studimit të fizibilitetit për Kosovën.

Mospajtimet në grupin punues

Kolë Krasniqi, ekspert i sigurisë i cili kishte qenë pjesë e grupit punues për hartimin e këtij projektligji, ka treguar se diskutimet kishin zgjatur afro një vit dhe kishin përfunduar në mars të këtij viti.

Në fakt, në mars Qeveria kishte paraparë që projektligji të procedohej për në Kuvend por ka mundur ta bëjë këtë tek në dhjetor.

Krasniqi nuk e di pse është zvarritur procedimi për në parlament.

Ai thotë se nuk pajtohet me përmbajtjen e projekt-ligjit për përgjimet telefonike. Sipas tij, njëjtë si ai kishte kundërshtuar atëherë edhe përfaqësuesi i EULEX-it.

Kundërshtime, tha ai, ka pasur për një vit rresht nga anëtarët e grupit punues.

“Duhet të ketë ndarje jo vetëm të përgjegjësive por edhe ndarje fizike mes objekteve që bëjnë përgjimin për nevoja gjyqësore dhe përgjimin për nevoja të intelegjencës”, tha Krasniqi.

Agjencia Kosovare e Inteligjencës, sipas tij, me këtë ligj po merr edhe kompetenca gjyqësore pasi që po përzihet edhe në përgjime për nevoja gjykate.

Ndërkaq Jeton Oruqi, koordinator në Zyrën Ligjore brenda Kryeministrisë i cili ishte përfaqësues qeveritar në këtë grup punues nuk ka dhënë një përgjigje rreth përmbajtës së projektligjit.

Përfaqësues në grupin punues kishte edhe Policia. Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se nuk i takon këtij institucioni të marrë një qëndrim pro ose kundër projekt ligjit.

“Ne do ta zbatojmë ligjin ashtu siç miratohet. Ne nuk mund të komentojmë përmbajtjen e tij”, tha Kelani.

Ndërkohë Florian Qehaja, drejtor në organizatën jo-qeveritare Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se kishte kërkuar që të ftohej në grupin punues por nuk kishte marrë ftesë nga Zyra Ligjore e Kryeministrit.

“Ne si QKSS përkrahim themelimin e një Qendre Operative të Përbashkët, mirëpo si e tillë ajo duhet të funksionoj si mekanizëm i pavarur dhe jo si pjesë e AKI-së. Kjo për arsye se ka një dallim sa i përket qëllimeve të përgjimeve që bëhen nga policia dhe atyre përgjimeve që bën AKI”, tha Qehaja.

 
Florian Qehaja kundër idesë që përgjimet të koncentrohen te AIK-u  

 

Ai shtoi se duhet të merret parasysh modeli kroat i përgjimeve telefonike ku në kuadër të një qendre do të funksionin si të ndara kanalet e interceptimeve.

Qehaja tha se ky do të ishte model më i mirë sesa modeli i centralizuar i paraparë nga Qeveria e Kosovës.

Por, ai është edhe kundër modeleve të prezantuara nga ndërkombëtarët që parashohin decentralizim përgjimesh.

“Përderisa pajtohem me shqetësimet e Komisionit Europian lidhur me centralizimin e përgjimeve në AKI, në anën tjetër nuk pajtohem me presionin dhe ndërhyrjen e tejkaluar te EULEX-it dhe KE në procesin e hartimit të ligjit”, tha Qehaja.
 
“…..Edhe propozimet e akterëve ndërkombëtarë për decentralizimin e sistemit të përgjimeve do të shkaktonin kaos dhe implikime të mëdha në sigurinë nacionale të vendit”, shtoi Qehaja

Kjo qendër më herët në një raport të saj për AKI-në ka konstatuar se kjo agjenci mund të llogaritet si një ministri pa portofolio.

“….Përderisa ka aktorë që mbështesin këtë mënyrë të funksionimit që i përgjigjet Kryeministrit si dhe një pjesë tjetër avokojnë për agjenci nën ombrellën e Ministrisë (qoftë Ministrisë së Punëve të Brendshme apo Punëve të Jashtme) megjithatë, është më se e vërtetë se agjencitë që i raportojnë direkt Kryeministrit mund të konsiderohen sikurse Ministri pa portofolio”, theksohet në një raport të kësaj Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.