Ali Berisha “Shqyrton Seriozisht” Kontratën e Dhënë për Kompaninë e Zyrtarëve të Pejës

Kryetari i Pejës, Ali Berisha, nuk ka ndërruar vendimin e zyrës së tij të prokurimit për t’i dhënë një kontratë një kompanie që ka pronarë dy zyrtarë komunalë. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar më 29 tetor se kompania e sigurisë fizike “Magnum” nga Peja, pronarë të së cilës janë Leonard Shabanaj dhe Vllaznim Përgjegjaj, të dy të punësuar në komunë, kishte përfituar në konzorcium me “Kos Security” tender nga komuna e Pejës, më 16 shkurt 2012 për sigurimin fizik të objekteve të administratës komunale – pa pasur licencë që kërkohej me tender. 

Shabanaj mban pozitën e zyrtarit të lartë të drejtorisë së arsimit ndërsa aksionari tjetër Vllaznim Përgjegjaj atë të financave në këtë drejtori.

Komuna thotë se kryetari Ali Berisha është marrë seriozisht me këtë rast dhe se ende është duke shqyrtuar këtë çështje.

“Kryetari i komunës është i preokupuar mjaft shumë më këtë punë dhe është angazhuar në verifikimin e të gjitha të dhënave për zgjidhjen e kësaj çështje”, thuhet në përgjigjet e zyrës së kryetarit. 

“Kryetari i komunës është i preokupuar mjaft shumë më këtë punë dhe është angazhuar në verifikimin e të gjitha të dhënave për zgjidhjen e kësaj çështje” Zyra për Media

Sipas saj, Berisha është konsultuar me zyrën ligjore të komunës dhe nuk ka gjetur konflikt interesi pasi që ligji për konfliktin e interesit nuk përfshinë zyrtarët e komunës që nuk kanë poste të larta publike.

“Duke u bazuar në ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik kemi vërejtur se neni 4 i cili i trajton zyrtarët e lartë publikë përfshin kryetarët dhe zëvendëskryetaret e komunave, kryesuesit, zëvendëskryesuesit…”, thuhet në përgjigjen e komunës. 

“Zyrtarët të cilët janë apostrofuar nga ‘Gazeta Jeta në Kosovë’ nuk i takojnë kësaj kategorie të udhëheqjes”, thotë kjo zyrë.

Edhe Agjencioni Kundër-Korrupsionit (AKK), përgjegjës për monitorimin e rasteve të mundshme të konfliktit të interesit, kishte hapur hetime për këtë rast. Në fund, AKK kishte konstatuar se pozitat e zyrtarëve nuk i karakterizojnë si zyrtarë të lartë. 

“Sipas nenit 4 të Ligjit Nr.04/L-051 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, vendi i punës me legjislacionin në fuqi nuk i paraqet si zyrtarë të lartë dhe nuk është konflikt interesi”, thotë Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion.

Licenca 

Gazeta kishte raportuar se në atë kohë kompania “Magnum” nuk posedonte fare licencë shtetërore për sigurim fizik e cila kërkohej me tender dhe që lëshohej nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës. Ajo e kishte fituar tenderin dy muaj pas themelimit të saj. 

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kishin deklaruar për gazetën se kompanitë që nuk posedojnë leje nuk mund të ushtrojnë këtë veprimtari.

“Kompanitë nuk mund të ofrojnë shërbime të sigurimit përderisa nuk kanë licencë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës”, thotë Merita Vidishiqi, zyrtare e MPB-së.

“Kompanitë nuk mund të ofrojnë shërbime të sigurimit përderisa nuk kanë licencë” Merita Vidishiqi

Zyra e Kryetarit të Komunës së Pejës Ali Berisha e kontaktuar lidhur me këtë tender fillimisht ka arsyetuar mungesën e lejes së punës së kompanisë “Magnum” me kërkesën që ajo kishte bërë për licencë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Kompania ‘Magnum’ ka poseduar kërkesën të cilin e ka parashtruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mirëpo ministria prej janarit gjer në muajin maj nuk ka lëshuar licenca të reja kështu që kjo kompani është pajisur me licencë në muajin maj 2012”, thuhet në përgjigjet e zyrës së kryetarit.

Ministria e Punëve të Brendshme thotë se shërbimet mund të ofrohen vetëm pasi të marrin licensën.

“Kërkesa për licencim nuk nënkupton licencim të kompanisë për të ofruar shërbime të sigurimit, dhe rrjedhimisht nuk mund të ofrojë shërbime të sigurimit përderisa nuk pajiset me licencën e lëshuar nga MPB”, thotë Merita Vidishiqi, zyrtare e MPB-së.

Në një përgjigje të dytë nga zyra e kryetarit thuhet se tenderi i është dhënë konzorciumit që ka pasur licencë. 

“Sipas Komisionit Vlerësues, konzerciumi i cili është shpallur fitues për kryerjen e këtyre shërbimeve në komunën tonë ka poseduar licënsë për ushtrimin e kësaj veprimtarie.”

Tenderi i fituar nga dy zyrtarët e komunës ka qenë edhe lëndë auditimi gjatë kohës sa kjo komunë po auditohej nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm dhe sipas komunës nuk është gjetur ndonjë parregullsi.

“Kjo është vërtetuar edhe nga Auditori i Përgjithshëm i cili ka qenë në auditim të rregullt në komunën e Pejës në muajin tetor të këtij viti. Një nga lëndët e përzgjedhura për t’i audituar ka qenë edhe kjo lëndë, për të cilën auditori nuk ka dhënë kurrfarë vërejtje lidhur më çështjet të cilat po i kontestoni ju, edhe pse është organi kompetent për verifikimin e këtyre çështjeve”, thotë zyra e kryetarit Ali Berisha.

Por Zyra e Auditorit Gjeneral ende nuk ka publikuar në faqen e saj të internetit të gjeturat e bëra në muajin tetor në Pejë dhe këto raporte zakonisht publikohet në verën e vitit pasues.

Shabanaj: Morina nuk është bashkëshortja ime

Disa persona ia kanë identifikuar Gazetës Jeta në Kosovë Valentina Morinën, menaxheren e autorizuar të kompanisë “Magnum”, si të lidhur me aksionarin Leonard Shabanajn.

“Unë nuk jam i martuar, Valentina nuk është bashkëshortja ime” Leonard Shabanaj

E kontaktuar nga gazeta, Valentina Morina nuk është përgjigjur duke thënë se nuk dëshiron të prononcohet. “Ju faleminderit që keni telefonuar, unë nuk dua të prononcohem për ju, krejt çka ka pasur për të folur ka folur drejtori…”, ka thënë Morina, në një bisedë të shkurtër telefonike.

Leonard Shabanaj ka mohuar se Valentina Mornia është bashkëshorte e tij. “Unë nuk jam i martuar, Valentina nuk është bashkëshortja ime. Nuk kemi asnjë lidhje familjare, thjesht njihemi nga puna”, tha Shabanaj.

Në profilin e Valentina Morinës, në Facebook, ajo shihet në foto së bashku me Leonard Shabanajn dhe një fëmijë. Një mike i komenton “o familja e bukur”.