Deputet Legal e Kryetar Paralel në Novobërdë

Svetislav Ivanoviqi, një përkrahës i demokratëve të Bord Tadiqit në Serbi, kishte dalë në zgjedhjet paralele të organizuara në Serbia në Kosovë në vitin 2010 dhe ishte zgjedhur kryetar paralel i Novobërdës.

Komuna paralele e serbëve të Novobërdës, të cilët nuk përkrahin institucionet kosovare, ka selinë në fshatin Prekovcë.

Por z.Ivanoviq ka punuar në institucionet e Kosovës një kohë të gjatë. Në periudhën 2002-2009 ai thotë se ka qenë zëvendës-kryetar për komunitete i komunës së Novobërdës – institucionet e Kosovës.

Për më shumë, duke garuar me partinë “ Za Boli Buduqnost / Për një të ardhme më të mirë” në zgjedhjet e vitit 2009 Ivanoviqi së bashku me Jorgovanka Filiqin ishin zgjedhur anëtarë të Kuvendit Komunal të Novobërdës, në zgjedhjet e organizuara nga Kosova.

Kjo komunë, me 6,729 banorë, ishte zgjeruar me pakon për statusin të ish-ndërmjetësit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari.

Svetislav Ivanoviqi ende figuron deputet në kuvendin legal komunal të Novobërdës dhe ai e konfirmon se kryen këtë punë.

“Qëllimi pse unë jam në dy institucione është mundësia e gjerë për të punuar për përmirësimin dhe krijimin e kushteve për një jetë më të mirë për qytetarët serbë të kësaj ane”, thotë Ivanoviqi. “Për shembull, nëse ndërtohet një rrugë në komunën tonë nuk është me rëndësi kush e ka ndërtuar , por e rëndësishme është që qytetarët ta shfrytëzojnë atë dhe të jenë të kënaqur”.

Bajrush Ymeri, kryetar i komunës së Novobërdës, thotë se nuk mund t’ia marrë kompetencat anëtarit të kuvendit. “Svetislav Ivanoviq në zgjedhjet e vitit 2009 ka qenë kandidat për kryetar të komunës së Novobrdes dhe në të njëjtën kohë ka qenë bartës i listës së koalicionit ‘Za Boli Buduqnost’. Si qytetar i gëzon të gjitha të drejtat si çdo qytetar tjetër. Është votuar nga qytetarët dhe është zgjedhur, e këtë të drejtë askush nuk mundet ma ia marrë , përveç nëse jep dorëheqje”, tha Ymeri.

Ai shtoi se nuk është kompetencë e tij por e nivelit qendror që të luftojë strukturat paralele. “Por me punë, angazhim dhe përkushtim të sinqertë e kam paralizuar komunën paralele. Unë kam takim të rregullt me qytetarë dhe në këto takime vijnë edhe të punësuarit në komunën paralele dhe ata më thonë haptazi ‘ne ekzistojmë vetëm sa për të marrë rroga”, tha Ymeri

“Unë nuk e njoh institucionin e komunës paralele. Ajo për ne është inekzistetnte dhe Svetislavin e shoh si çdo qytetar të Novobrdës. Rasti nuk është konflikt interesi, sepse në hierarkinë tonë komuna paralele nuk ekziston si institucion”, shtoi Ymeri.

Por, ai lavdëroi serbët e kësaj ane duke thënë se në zgjedhjet e 2009-tës kanë treguar se “kanë shpirt demokratik”. “Në balotazh, kam garuar unë dhe kolegu im nga komuniteti serb. Kam arritur që nga 450 serbë sa kanë dalë në votime, t’i marrë 120 vota të tyre apo rreth 25 për qind”, tha ai.

Edhe Radovan Deniq, zëvendëskryetar për komunitete Novobrdë, tha se Svetislav Ivanoviq është anëtar i kuvendit komunal si çdo anëtar tjetër dhe se atë e ka të garantuar . “Nëse e kryen punën mirë është mirë për të, e nëse jo do të ndëshkohet në zgjedhjet e ardhshme”, tha Deniq. “Nuk po kam dëshirë të merrem më tej me këtë temë , ka kush merret”.