Pritje dhe Udhëtim i Gjatë për Ahmet Shalën

(E plotësuar). 

Përpjekjet e gjata të Ministrisë së Punëve të Jashtme për emërimin e Ahmet Shalës ambasador diku në botë, më në fund asaj iu shpaguan.

Shala, Ministër i Financave në Qeverinë “Thaçi 1” në vitet 2008-2010, u pranua sipas MPJ-së të premten në pozitën e ambasadorit në Japoni.

Personit që në këtë detyrë nuk mundi të shkojë si Ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Belgjikës, më në fund iu gjet vendi në Japoni.

Ai do ta ketë privilegjin që letrat kredenciale t’ia dorëzojë Perandorit Akihito.

“Pas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe dekretimit nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës, Ahmet Shala është mirëpritur që të jetë Ambasador i Kosovës në Tokio edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Japonisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të MPJ-së.

Vetë Shala, këtë vendim e priti diku jashtë Prishtinës.

“Flasim javën tjetër”, tha ai për Gazetën Jeta në Kosovë, kur iu kërkua të komentojë dekretimin e tij për ambasador në shtetin e  fuiqishëm të Lindjes së largët.

Dekretimi i Ahmet Shalës nga ana e Presidentes së Kosovës për Ambasador në Japoni, vije pas përpjekjeve të gjata për ta nisur atë në një mision diplomatik të vendit.

Japonia ka pranuar ta mirëpres si diplomat ish-ministrin, figura publike e të cilit në shtetin prej nga shkon, është goxha kontroverse.

Mbi Shalën rëndojnë dyshime sidomos për kohën kur ai ka qenë zëvendës- drejtor i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (tash AKP), e cila merret me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore.

Madje emri i Ambasadorit të ri të Kosovës në Japoni, është përmendur edhe në procese gjyqësore.

Tentimet për ta dërguar Shalën diku Ambasador, kanë nisur që nga koha kur ai nuk u riemërua në ekipin “Thaçi 2”. Një diplomat kosovar i afërt me ambasadën kosovare në SHBA ka treguar në kushte anonimiteti se së pari ishin bërë përpjekje në kanale jozyrtare që ai të dërgohej në Washington. “Ky vend nuk kishte dhënë sinjale se e donte Shalën atje”, tha ai.

Ambasadori i deritashëm atje Avni Spahiu u transferua si ambasador në Turqi kurse në Washington u dërgua biznesneni Akan Ismajli. Ahmet Shalës sikur nuk i gjendej vendi.

Por përpjekjet e MPJ-së për ta bërë diplomant, nuk reshtën.

Më 2 nëntor 2011, Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një shkresë zyrtare  Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë dokument të siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Ministri Hoxhaj i propozon sërish Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme kandidatin Ahmet Shala për Ambasador në Mbretërinë e Belgjikës.

Këtij dokument-propozimi, ministri Hoxhaj ia kishte bashkangjitur edhe biografinë me plot të arritura të kandidatit Shala, e cila fillon në vitin 1985 si i punësuar në Kombinatin “Trepça” dhe kulmon me postin e Ministrit të Ekonomisë dhe Financave në vitin 2008.

Krejt kjo bëhej në kohën kur Ilir Dugolli, Ambasador aktual në Bruksel, ishte në mesin e mandatit të tij.
Seanca dëgjimore e Ahmet Shalës para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit, ishte mbajtur në prill të këtij viti.

Aty Shala ishte pyetur për shumë çështje.

Si kandidat për ambasador, Shala ishte pyetur për mbështetjen që ai sa ishte në detyrën e ministrit tëi Ekonomisë dhe Financave, i kishte dhënë kontratës së lidhur ndërmjet Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) dhe Dardafonit.

Pasojat e kësaj kontrate që ishte vlerësuar si shumë e dëmshme për PTK-në si kompani publike, më vonë do t’i bartte në formë aktakuze, ish-drejtori i përgjithshëm i PTK-së, Shyqri Haxha.

Por në deklarimin e tij para Komisionit Parlamentar, Shala ishte deklaruar se ndihet i qetë.

“Ndihem i qetë për spekulimet që janë bërë ndaj meje dhe ato le të mbesin në sedrën e secilit…”, ishte shprehur ai. “Nuk dëshiroj të reagoj lidhur me to..”.

I bindur se dëshira e tij për Ambasador në Bruksel do të plotësohet, Shala para anatërëve të Komisionit ishte shprehur se ka nisur të mësojë madje edhe gjuhën frënge.

“…Gjuhën frënge e kam hedikep dhe e njoh sa për një komunikim fillestar, por kam filluar ta mësoj”, ishte shprehur Shala.

Në planin e MPJ-së dhe dëshirën e Shalës për të shkuar si diplomat në Bruksel, diku ishte ngatërruar filli.

Kjo për faktin se Shala nuk është dekretuar asnjëherë nga Presidentja e shtetit për Ambasador, në asnjërin prej vendeve në të cilat MPJ synonte ta dërgonte për shkak se vendet nuk jepnin sinjal për pranimin e tij.

Arbër Vllahiu, këshilltar politik dhe komunikim me media i Presidentes së Kosovës, pyetjes së Gazetës Jeta në Kosovë nëse Ahmet Shala ka qenë i dekretuar nga Presidenca për të shkuar si Ambasador në më shumë se një vend, i është përgjigjur fare shkurt. “Jo!”.

Ai nuk tregon as se në cilat vende Shala ka qenë i propozuar nga MPJ për ambasador. Për këtë thirret në konfidencialitet. “Është proces në besim”, thotë këshilltari Vllahiu.

Pascal H. Gregoire, shef i Misionit Diplomatik në Ambasadën e Mbretërisë së Belgjikës në Prishtinë, thotë se viteve të fundit, Ambasador i Republikës së Kosovës në këtë shtet të Beneluksit është shkëlqesia e tij, ambasador Ilir Dugolli.

“Autoritetet e vendit tim, Belgjikës, as zyra jonë, nuk kemi qenë të informuar deri më tash për ndonjë mundësi të ndërrimit”, thotë Pascal H. Gregoire për Gazetën Jeta në Kosovë.

Por tentimet për ta dërguar Shalën në Belgjikë kanë qenë goxha të forta.

Burime të Gazetës Jeta në Kosovë në MPJ kanë treguar se tollovia e krijuar ka qenë shumë kokëçarëse.
“I tërë procesi i rivendosjes së ambasadorëve ishte i parregullt. Pa bërë asnjë shkelje nga ambasadori paraprak e për më tepër në gjysmën e mandatit, tentohej të ndërroheshin”, thotë ky zyrtar për Gazetën Jeta në Kosovë, i afërt me tërë procesin.

Kjo hallakamë kishte ndikuar jo vetëm te ambasadorët në detyrë, por edhe te vendet mikëpritëse.
“Shtetet përkatëse e shohin me dyshim ambasadorin në detyrë me të cilin ndoshta kanë pasur shumë raporte të mira. Pyesin se çfarë ka bërë ambasadori. Në fund nuk është fare mirë as për shtetin”, thotë zyrtari nga MPJ.

Sidoqoftë, zyrtarisht askush në MPJ nuk e përmend faktin se ajo ka tentuar që Ahmet Shalën ta çojë fillimisht jo në Japoni, por në SHBA e më vonë në Belgjikë. Kjo edhe pse para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Shala kishte pranuar edhe pyetje të tipit nëse “…detyrën e ambasadorit në Belgjikë e konsideron ofertë apo dhuratë të Qeverisë”.

“…Këtë post e shoh si kontribut për vendin…”, ishte shprehur Shala.

Por edhe në këtë rast, andej pari ishin pështjellë akuzat e Nazim Bllacës.

Anëtarët e Komisionit Parlamentar, Shalën e kishin pyetur edhe për akuzat që ndaj tij kishte bërë  Bllaca, i vetëshpallur vrasës si ish agjent i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

Bllaca i cili aktualisht është në disa procese gjyqësore, ka deklaruar se Shala ishte ndihmës në tjetërsimin e paligjshëm të pronave shoqërore gjatë kohës sa ishte zv/drejtor në AKM.

“Ministri i Ekonomisë, Ahmet Shala, në kohën sa ka punuar në Agjencionin Kosovare të Mirëbesimit, i ka shpronësuar 6 hektarë tokë shoqërore dhe të njëjtën e ka bartur në pronësi të Nazim Bllacës dhe Faredin Gashit”, pati akuzuar Bllaca, duke iu referuar pronës së ndërmarrjës shoqërore “Ratar”, që shtrihet përreth magjistralës Prishtinë-QMI.

Këto akuza ishin mohuar në mënyrë kategorike nga ish Ministria e Ekonomisë dhe Financave të cilën në atë kohë e drejtonte Ahmet Shala.

“Shpifjet dhe dezinformatat e lartpërmendura, për qëllimet dhe motivet e të cilave nuk do dëshironim as të komentonim, na obligojnë moralisht që të ju informojmë se z.Ahmet Shala, tani Ministër i Ekonomisë dhe Financave, dhe ish-zëvendës drejtor i AKM, nuk ka bartur kurrë asnjë pronë shoqërore për personat në fjalë dhe për asnjë person tjetër”, thuhej në reagimin e MEF’it në vitin 2009.

Pak a shumë kështu ishte shprehur dhe para anëtarëve të Komisionit Parlamantar.

“…Dëshiroj që institucionet tona t’i përmbyllin këto spekulime”, kishte deklaruar Shala.

“…Nuk dëshiroj të bëhem pre e lojërave të ndryra qoftë gazetareske apo institucioneve të tjera”, ishte shprehur ai.

 “…Çdo gjë është bërë komform ligjit”.

Në fakt, deri më tash, nuk është thënë se ai është duke u hetuar nga organet shtetërore.

Blerim Krasniqi, zëdhënës në EULEX, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se ky mision nuk komenton rastet dhe nuk jep asnjë koment në lidhje me proceset e mundshme të hetimeve.

Skënder Hyseni, ish ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, thotë se ia kishte bërë të qartë edhe Presidentes së vendit opinionin e tij për propozimet për ambasadorë. Sipas tij, ky proces i ndërrimit të ambasadorëve ishte tendencë që të politizohet shërbimi diplomatik i vendit.

“Nuk po flas për persona, por për proceset”, tha Hyseni.

Nëse në vendet tjera të zhvilluara kjo nuk ka bërë punë, kanalet kontaktuese të MPJ-së duket se kanë qenë të suksesshme në Japoni për të marrë pranimin e saj.

Në qershor të këtij viti atje ishte për vizitë tre ditëshe edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ku kishte takuar edhe homologun e tij japonez, Yoshihiko Noda.

Zyrtarisht Shala nuk është përmendur në atë vizitë. Por një nga emrat më të fuqishëm në Qeverinë e parë të Thaçit, kthehet tash në Tokio për të qëndruar shumë më gjatë. Ai mund të jetë edhe një rehabilitim i tij politik pas dështimit për t’u emëruar në vende tjera apo në Qeverinë aktuale.

07.09.2012 10:48:22

Ahmet Shala Pranohet Ambasador në Japoni

Ish-Ministri kontrovers është pranuar ambasador në Japoni, pas disa orvatjeve për ta dërguar si përfaqësues diplomatik në vende të fuqishme.

Ish-Ministri i Ekonomisë dhe Financave në vitet 2008-2010, Ahmet Shala, është pranuar të premten ambasador në Japoni.

“Mund t’iu konfirmoj se vendimi për emërimin e ambasadorit Ahmet Shala në krye të misionit diplomatik të Kosovës në Japoni është pranuar dhe përshëndetur edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Japonisë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Artan Behrami, për Gazetën Jeta në Kosovë.

MPJ njftoi se Shala ishte dekretuar ana e Presidentes së Republikës së Kosovës. “Shala do të zëvendësojë në këtë pozitë Ambasadorin e deritashëm të Kosovës në Japoni, Sami Ukelli, i cili do të shërbejë në postin e Drejtorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës”, njoftoi MPJ. “Kosova dhe Japonia po fuqizojnë marrëdhëniet bilaterale dhe shkëmbimet në të gjitha fushat”.

Gazeta ka evidencë se institucionet e Kosovës ishin munduar ta dërgojnë ambasador ish-ministrin kontrovers në disa vende të zhvilluara.