Nënshkrimi i Kontestueshëm që Ktheu Ilir Tolajn

Ilir Tolaj, të cilit pritet t’i konfirmohet aktakuza për një numër veprash të rënda penale, mund të ketë punuar për gati dy vjet në Ministrinë e Shëndetësisë në marrëdhënie të kundërligjshme pune.

Mes prillit dhe shtatorit 2010, Tolaj ishte këshilltar politik i Ministrit të Shëndetësisë Bujar Bukoshi. Më 29 shtator 2010, Tolaj ishte emëruar nga ministri Bukoshi si Sekretar i Përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, detyrë që e kishte mbajtur deri më 12 janar 2012 kur ishte arrestuar.

Bujar Bukoshi, i cili kishte shërbyer si Ministër i Shëndetësisë në periudhën mars dhe tetor 2010, pritet të flasë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, të hënën. Ai akuzohet në lëndën kundër Tolajt dhe të tjerëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar qasje në kontratat e punës në këto poste për Tolajn dhe e ka dosjen e kontratës dhe vendimeve në lidhje me marrëdhënien e tij të punës.

Derisa ishte këshilltar politik i Bukoshit, në korrik 2010, Tolaj ishte arrestuar dhe intervistuar nga prokurorët e EULEX-it që ishin duke u hetuar. Gjykata e la të lirë pasi ai deponoi 50.000 euro. Ligji i punës, i cili i rregullon këshilltarët politikë, nuk definon qartë se çfarë duhet të bëjnë mbikëqyrësit e punonjësve në raste të këtilla.

Aaktakuza e ngritur më 12 korrik nga prokurorja e EULEX-it Maria Bamieh e ngarkon atë për ndikim nga kjo pozitë e këshilltarit në vendimmarrjen e MSH-së.

Sipas ligjit për shërbimin civil dhe rregulloren e qeverisë për pozitat e larta drejtuese në shërbimin civil, vendimi për emërime të larta miratohet nga Qeveria.

Më 29 shtator Tolaj ishte ri-emëruar Sekretar i Përhershëm i MSH-së nga Bukoshi me arsyetimin se Gjykata Supreme kishte hedhur poshtë vendimin e Këshillit për Emërime të Larta për shkarkimin e Tolajt nga po e njëjta pozitë në kohën e ministrit Alush Gashi (më 9 maj 2008), post që e mbante nga 9 gusht 2007.

Por, si Sekretar i Përhershëm ai hynte në kategorinë e shërbyesve civilë. Ligji për shërbimin civil të Republikës së Kosovës, i hyrë në fuqi në qershor 2010, rregullon se nëpunësit civilë pezullohen menjëherë nga detyra, me pagesë 50 për qind të rrogës se tij/saj, nëse ndaj tij/saj “është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të tij/saj” ose “kur prania e nëpunësit civil në zyrë mund të pengojë hetimet”.

Përveç kësaj, emërimin e parë të Ilir Tolajt më 9 gusht 2007 e kishte bërë Komisioni për Emërime të Larta Publike dhe e kishte nënshkruar atëherë Kryeministri Agim Çeku. Në 28 shtator 2010, vetëm ministri Bukoshi kishte nënshkruar vendimin që kthente Tolajn në pozitën e Sekretarit të Përhershëm. Sipas ligjit për shërbimin civil dhe rregulloren e qeverisë për pozitat e larta drejtuese në shërbimin civil, vendimi për emërime të larta sikur në rastin e sekretarëve permanentë miratohet nga Qeveria.

Ish-Ministri Bujar Bukoshi nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë për kontratat e Tolajt dhe emërimet e tij përkundër se ky i fundit gjendej nën procedurë penale. “Nuk dua të flas për çështjen e Tolajt. Faleminderit për interesimin tuaj”, është shprehur Bukoshi.
Tolaj akuzohet për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit dhe shpërdorim  në tentativë, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave, keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi, lidhje të kontratave të dëmshme, dhënie ryshfeti dhe shmangie nga tatimet.

“Ilir Tolaj ka lidhje të fuqishme politike të cilat i kontribuojnë rrezikut që ai t’i ikë juridiksionit. Në veçanti ai është i lidhur me Bujar Bukoshin i cili gjithashtu është i akuzuar në këtë rast”, thuhet në aktakuzë.

Tolaj ka 300 mijë euro në xhirollogaritë bankare

Aktakuza e prokurores së EULEX-it Maria Bamieh e ngarkon Ilir Tolajn për shmangie të tatimit prej 15 mijë eurosh, vepër e dënueshme me Kodin Penal të Kosovës me gjobë dhe me burg prej pesë deri në gjashtë vjet.

Sipas aktakuzës, mes janarit 2006 dhe dhjetorit 2008, Tolaj pranoi shuma të mëdha parash në llogaritë e tij nga Qeveria e Zvicrës. Bëhej fjalë për raporte mjekësore të personave që supozohet të kenë punuar më parë në këtë shtet perëndimor dhe që u duheshin për obligime përkatëse. Ato shkonin nga 200 deri në 1000 euro për raport.

Mes janarit 2006 dhe dhjetorit 2008, Tolaj pranoi shuma të mëdha parash në llogaritë e tij nga Qeveria e Zvicrës. Dyshohen të jenë të ardhura nga ryshfetet” Aktakuza kundër Tolaj dhe të tjerëve

“Këto dyshohen të jenë të ardhura nga ryshfetet”, thuhet në aktakuzë. “Ai nuk pagoi taksa në vlerë që e kalon shumën prej 15 mijë eurosh”.

Fillimisht Tolaj u kishte thënë prokurorëve se ai nuk kishte qenë në dijeni të këtyre obligimeve dhe më 26 gusht 2010 autorizon dy zyrtarë të cilët shkojnë dhe regjistrojnë obligimet dhe më pas po atë vit Tolaj shlyen tatimet. Po sipas aktakuzës, në bazë të vendimeve respektive të Qeverisë, Tolaj përfiton nga zvogëlimi i gjobave në shumën totale prej 6,592.98 eurove.

Në të njëjtin dokument tregohet se Tolaj ka 300 mijë euro në llogaritë bankare në Kosovë.

Tolaj në Ministri, QKU dhe Fakultet

Në deklaratën e tij të pasurisë për vitin 2011 në Agjencinë Kundër-Korrupsionit, Tolaj përveç Sekretarit të Përhershëm të MSH-së deklaron edhe funksionet si specialist i sëmundjeve infektive në QKUK dhe profesor në fakultetin e mjekësisë në UP. Të ardhurat e tij vjetore deklarohen në shumën e 12,400 eurove.

Gruaja e Tolajt po ashtu deklarohet se punon në QKUK dhe Fakultetin e Mjekësisë me të ardhura vjetore 9,800 euro.

Ilir Tolaj deklaron 20,000 euro të mbajtura në Pro-Credit Bank si dhe një hua prej 50 mijë eurosh.

Si pasuri të paluajtshme ai deklaron një vilë prej 300 metra katrorë (trashëgimi) në vlerë 600 mijë euro, një truall 390 metra katrorë (trashëgimi), në vlerë 80 mijë euro, shtëpi 200 metra katrorë (trashëgimi) në vlerë 150 mijë euro si dhe shtatë hektarë tokë bujqësore (trashëgimi) në vlerë 700 mijë eurosh.