Biznesmenët e Fuqishëm Mbikëqyrin Konkurrencën

Disa nga biznesmenët më të fuqishëm në Kosovë mbikëqyrin Komisionin e Konkurrencës, institucionin që ka për detyrë të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë së tregut duke ndaluar veprimet që kufizojnë, shtypin ose çrregullojnë garën.

Për këtë mbikëqyrje “të rreptë” janë kujdesur partitë politike parlamentare duke emëruar në Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri — të cilit Komisioni i Konkurrencës i raporton — pronarët e disa prej bizneseve më të mëdha në vend.

Me ligjin për konkurrencën, anëtarët e komisionit të konkurrencës intervistohen nga ky komision i Parlamentit para se të emërohen. Po ashtu, komisioni parlamentar pranon raportet dhe rekomandimet e konkurrencës si dhe organizon dëgjime në lidhje me anëtarët e konkurrencës në lidhje me to.

Neni 24.2 i ligjit po ashtu thotë se “në ndëgjimet e tilla mund të përfshihen edhe çështje tjera në lidhje me veprimtaritë e KKK-së”.

Anëtarë të këtij komisioni parlamentar janë pronari i zinxhirit të hipermarketeve “ETC” dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramiz Kelmendi, dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Hashim Deshishku, i cili është aksionar në kompani të sigurimeve, banka, institucione financiare, kompaninë “Lesna” etj.

Ahmet Krasniqi, kryetar i Komisionit të Konkurrencës, thotë se komisioni përkatës parlamentar kontrollon punën e institucionit që garanton konkurrencën në treg. Por, ai shton se deri më tash nuk ka vërejtur anim të këtyre deputetëve “për mbrojtjen e bizneseve të caktuara”.

Deri më tash nuk kam vërejtur anim të këtyre deputetëve “për mbrojtjen e bizneseve të caktuara”. Ahmet Krasniqi

Mirëpo, të paktën në një rast, Konkurrenca kishte filluar hetimet për kompanitë e sigurimeve, ndërsa anëtari i komisionit parlamentar, Hashim Deshishku, kishte pyetur disa herë përfaqësuesit e saj për hetimet e filluara. 

Objekt i shqyrtimit në vitin 2009 ka qenë mënyra e shitjes së sigurimit kufitar përmes bashkësigurimit, apo “Poolit”, si formë e domosdoshme e sigurimit të palëve të treta nga aksidentet që shkaktojnë motoristët me targa të huaja gjatë kohës se qëndrimit në Kosovë.

Kosova nuk është e anëtare e Këshillit të Byrove dhe si rezultat kartoni i gjelbër nuk mbulon dëmet e shkaktuara nga këta motoristë në Kosovë, prandaj, sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëse nuk do aplikohej sigurimi kufitar palët e dëmtuara brenda kufijve të Kosovës nga motoristët me targa të huaja nuk do kishin mundësinë e kompensimit të dëmit.

Ishte gjetur se dhjetë kompani sigurimesh – “Siguria”, “Insig”, “Croatia Sigurimi”, “Sigal”, “Sigma”, “Illyria”, “Graëf Elsig”, “Kosova e Re”, “Sigkos” dhe “Dardania” – kishin dëmtuar tregun dhe konsumatorin duke u marrë vesh në verën e vitit 2009, në një takim në Gjakovë, që të kenë çmim të njëjtë të polisave të sigurimit.

Kompanitë ishin gjobitur me nga 100 mijë euro.

Deputeti Hashim Deshishku, i cili është aksionari kryesor në kompaninë e sigurimeve “Sigkos” me 51 për qind të aksioneve, pranon se në Komision i kishte pyetur përfaqësuesit e Konkurrencës, siç thotë ai, se a kanë filluar hetimet në pajtim me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

“Autoriteti i Konkurrencës e ka bërë problem në atë kohë çmimoren e kompanive të sigurimeve. Këto të fundit e kanë për obligim ta dërgojnë çmimoren në BQK dhe kur të aprovohet nga banka, atëherë çmimorja është ligjore”, thotë Deshishku, duke shtuar se një raport i tillë i Konkurrencës nuk ishte miratuar as nga Kuvendi i Kosovës.

Kam pyetur përfaqësuesit e Konkurrencës, se a kanë filluar hetimet në pajtim me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Hashim Deshishku

Ai thotë se prania e tij në Komisionin për Zhvillim Ekonomik nuk përbën kurrfarë konflikti interesi, pasi që, sipas tij, në bazë të ligjeve në fuqi zyrtarët publikë obligohen që t’i delegojnë detyrat nëse kanë mbi 5 për qind të aksioneve në biznese.

“Nëse i kam deleguar këto detyra, atëherë për çfarë konflikti interesi mund të bëhet fjalë?”, pyet Deshishku.

Sipas tij, më shumë kontribut si deputet ai jep në fushën e tregtisë se sa po të caktohej në ndonjë komision tjetër. “Çfarë do të ishte kontributi im, ta zëmë, në Komisionin për Shëndetësi? Do të isha vetëm makinë votimi”, thotë Deshishku.

Deputeti i LDK-së pyet se a do të ishte më mirë që deputetët të jenë të varfër, apo të pasur? “Shikoni sistemin amerikan. Në Senat ka më shumë përfaqësues nga biznesi”, përgjigjet ai.

Në deklarimin e pasurisë të vitit 2012, deputeti Hashim Deshishku ka deklaruar se në kompaninë e sigurimeve “Sigkos” ka 51 për qind të aksioneve, 100 për qind të aksioneve në institucionin financiar “Lesna” dhe 2.48 për qind të aksioneve në bankën “NLB”.

Mediat e kanë renditur Deshishkun si politikanin e tretë më të pasur në vend, pas zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe pronarit të ETC-së, Ramiz Kelmendi. Pasuria e Deshishkut besohet se arrin 13 milionë euro.

Më 2012, ai ka deklaruar 18,000 euro të hyra vjetore nga Lesna Trade, 17,050 nga Kuvendi i Kosovës, 8,736 euro dhe 32,499 euro nga qeraja dhe 189,948 euro dividenta nga Sigkos. Gjithsej 266,233 euro.

Ai ka deklaruar edhe dy shtëpi në vlerë 800 mijë euro, tokë në vlerë 692 mijë euro, banesë në vlerë 180 mijë euro dhe lesna trade në vlerë 4,999155 euro.

Edhe deputeti i AAK-së, Ramiz Kelmendi, pasuria e së cilit nga kompania “ETC” besohet se arrin në 56 milionë euro, thotë se prania e tij në Komisionin për Tregti nuk përbën kurrfarë konflikti interesi. “Komisioni i Konkurrencës raporton në Komision për punën e tyre dhe ne si anëtarë të komisionit mund t’i bëjmë vetëm pyetje dhe kjo i bënë ata edhe më aktiv në punën e tyre”, shprehet Kelmendi.

“Konkurrenca mund të ketë më shumë punë tek bankat, kompanitë e sigurimeve, e jo te tregtia me mallra se aty ka shumë kompani.” Ramiz Kelmendi

Kelmendi thotë se kompania “ETC” deri më tani nuk është hetuar për shkelje të konkurrencës, sepse në këtë sektor ka shumë biznese.

“Konkurrenca mund të ketë më shumë punë tek bankat, kompanitë e sigurimeve, e jo te tregtia me mallra se aty ka shumë kompani. Nuk mund të flasim për ekskluzivitetin e importit të produkteve, sepse një gjë të tillë e bëjnë shumë biznese”, potencon ai.

Sipas tij, po të paraqiste konflikt interesi prania e tij në Komisionin Parlamentar për Tregti, atëherë do të duhej të ndryshonte ligji, i cili do t’ia pamundësonte avokatit, apo mjekut të bëhen deputetë. “Këto gjëra janë shumë mirë të definuar me ligj’, nënvizon Kelmendi.

Në vitin 2012, në deklaratën e tij të pasurisë, Kelmendi ka deklaruar të hyra vjetore prej 54,425 eurove nga kompania “Elkos” ku është pronar dhe 10,636 nga Kuvendi i Kosovës. Gjithsej 65,061 euro në vit.

Ai ka deklaruar 14,053,962 euro detyrime financiare si dhe 2,939,127 euro para të gatshme në bankat kosovare.  Po ashtu, Kelmendi kishte deklaruar 18,000,000 euro stoqe të mallit, 4,983,418 euro pajisje në Elkos, 1,373,032 euro mjete transportuese, 9,500,000 investime kapitale në vijim dhe 602,169 euro inventar – gjithsej 34,458, 619 euro.

Vetëm tokë Kelmendi ka deklaruar 10,479,479 euro, tokë dhe ndërtesa 3,901,251 euro, 27,445,753 euro ndërtesa dhe 550,000 euro shtëpi. Gjithsej 42,376,483 euro.

Anëtarja tjetër e këtij komisioni parlamentar Teuta Sahatqija ka deklaruar 7 mijë euro të hyra vjetore nga Ide Comunication ku ka funksionin e inxhinieres dhe 20 për qind të aksioneve në të njëjtën kompani në vlerë 32 mijë euro. Deputeti Berat Buzhala ka deklaruar 30 mijë euro të hyra vjetore nga Ipko në funksionin e Analistit të Mediave si dhe rreth 800 mijë euro në pasuri të paluajtshme, veturë dhe para të gatshme. Deputeti Lutfi Zharku ka deklaruar 640 euro në muaj honorar nga Universiteti AAB, 4,300 euro aksione në Komercialna Banka – Shkup, the mbi 330 mijë euro pasuri të paluajtshme dhe vetura.

Gjashtë nga 11 anëtarët tjerë të komisionit nuk kanë deklarur se kanë punë ose lidhje tjera me biznese.

Drejtori ekzekutiv i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, thotë se nëse deputetët nuk kanë hequr dorë nga aksionet në bizneset e tyre, apo pozita menaxhuese, atëherë pozicionet e tyre përbëjnë konflikt të pastër interesi.

“Pavarësisht kësaj lidhjet dhe historitë e tyre me biznese është dashtë të jenë bazë e qëndrueshme që të njëjtit mos të jenë anëtarë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik dhe Tregti”, thotë Abdixhiku.