“Çerdhja” e Grave të Drejtorëve

Në çerdhen e fëmijëve në Fushë-Kosovë punojnë gruaja e zëvendëskryetarit të Komunës, Fadil Krasniqi; ajo e drejtorit të Financave, Ramadan Jashanica; gruaja e drejtorit të Inspeksionit, Jakup Dërmani, si dhe gruaja e menaxherit të Prokurimit, Bedri Obërtinca.

Punë në këtë çerdhe ka gjetur edhe gruaja kryesuesit të Kuvendit, Jakup Tërrnava, si dhe gruaja e drejtorit të Shërbimeve Publike, Maliq Berisha.

Mirëpo, kjo situatë nuk i duket as konflikt interesi, e as nepotizëm, të parit të Komunës, Burim Berisha. Në debatin “Jeta në Komunë”, Berisha ka thënë se kjo çerdhe është njëri ndër institucionet më të mira në komunën e tij dhe se nuk ka asgjë të keqe me këtë punësim.

“Është temë e eksploatuar, nuk mundem me i qit prej pune. Janë të punësuar qe dhjetë vjet”, ka thënë Berisha, në debatin e udhëhequr nga Jeta Xharra, të transmetuar në radiotelevizion publik të Kosovës, RTK.

Berisha ka marrë kritika të shumta për sa i përket premtimit të tij të dhënë se do të siguronte ujë të pijshëm për banorët e Fushë-Kosovës, sidomos për disa fshatra të kësaj komune. Banorë të Bardhit të Madh janë ankuar se iu duhet të bartin ujë me cisterna dhe mjete të tjera, për shkak se edhe puset kanë shteruar.
 
Kryetari Berisha gjatë debatit është arsyetuar për moszbatimin e projektit të tij duke thënë se kanë bërë përpjekje për ta sanuar gjendjen, mirëpo po kanë problem rreth funksionalizimit të një stacioni për furnizim me ujë në fshatin Vragoli.

“Janë disa faktorë të cilët kanë bërë limitimin e realizimit të premtimit për ujin. Njëri prej tyre është kompania e ujësjellësit dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Ne jemi mbështetur në një marrëveshje për ndërtimin e një fabrikë në Vragoli, e cila ka përfunduar në dhe prodhon më shumë se 100 litra në sekondë, por ende nuk është futur në funksion”.

Sipas tij, problemi qëndron te pranimi teknik i këtij projekti, ndërsa Komuna është duke bërë presion që kjo të kryhet sa më shpejt.

<iframe src=”http://player.vimeo.com/video/45701568″ width=”500″ height=”380″ frameborder=”0″ webkitAllowFullScreen mozallowfullscreen allowFullScreen></iframe>

Sipas Berishës, komuna pret që furnizimi me ujë të mos jetë problem për këtë komunë në kohën kur të përfundojnë projektet për hapjen e disa puseve, si dhe projekti i cili tashmë ka filluar për ndërtimin e fabrikës së ujit në fshatin Shkabaj, nga ku do furnizohet Prishtina me rrethinë.
 
Komuna e Fushë-Kosovës është kritikuar gjithashtu se nuk ka mundur të sigurojë një mjek, i cili do punonte në ordinancën e fshatit Henc. Në këtë fshat, sipas Arsim Tërrnavës nga PDK-ja, Komuna ka ndërtuar një qendër të mjekësisë familjare, mirëpo ky investim ka shkuar huq pasi që kjo qendër nuk është funksionalizuar.
 
E për mosfunksionalizimin e kësaj qendre, kryetari i Komunës fajin ia hedh Ministrisë së Shëndetësisë, se nuk e ka lejuar punësimin e stafit për këtë qendër.

E paga e mundshme e këtij doktori për fshatin Henc do të mund të ishte kursyer nga faturat e telefonit, të cilat i paguan Komuna e Fushë-Kosovës. Sipas të dhënave të publikuara gjatë debatit “Jeta në Komunë”, Fushë-Kosova harxhon 30 mijë euro në telefon, apo dyfish më shumë sesa Komuna e Prishtinës, e cila ka deklaruar se harxhon 15 mijë euro telefon.

Këto të dhëna, kryetari nuk ka dashur t’i komentojë përderisa nuk ka hezituar t’i paraqesë sukseset e tij të arritura gjatë qeverisjes dyvjeçare.

Sipas kryetarit, sukses në këtë komunë është ndërtimi i sistemit alternativ të ndriçimit publik; ndërtimi i 9 sallave të sporti dhe 12 fushave të sporti; si dhe i shumë rrugëve në këtë komunë. Ai ka thënë se është i përkushtuar në themelimin e shkollave të sportit, të cilat do krijojnë mundësinë që kjo komunë të njihet për talente të reja në sport.

Si suksese, ai ka numëruar dhe ndërtimin e kanalizimit në lagjet ku banojnë komunitetet ashkali dhe rom; ndërtimin e varrezave të dëshmorëve; si dhe investimin në punimet arkeologjike në fshatin Harilaq, me ç’rast është zbuluar një kështjellë e shekullit të 5-të.
 
Nga ana tjetër, Komuna e Fushë-Kosovës njihet si komuna e cila ka arritur të sigurojë më së shumti të ardhura vetanake, kjo pasi që në këtë komunë ka koncentrim të bizneseve, si dhe investime në ndërtime.