Dhëndri i Erdoganit Udhëheq Privatizuesin e Distribucionit

Kur Rexhep Taip Erdogan kishte takuar kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, më 2010, në shenjë miqësie mes dy shteteve, e kishte quajtur këtë të fundit vëlla.

Muaj më vonë, në vendin që drejtohet nga “vëllai” Thaçi, një korporatë turke që udhëhiqet nga një i afërm i Erdoganit do të shpallej ofertues i preferuar për blerjen e distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

“Çalik Holding”, ku dhëndri i Erdoganit Berat Albayrak është Kryeshef Ekzekutiv, e cila është në konzorcium me “Limak Holding”, mund të shpallet nga Qeveria e Kosovës pronar i Kompanisë së Distribucionit dhe Furnizimit të Energjisë Elektrike.

Dy korporatat turke i kanë ofruar Qeverisë së Kosovës një shumë prej 26.3 milionë eurosh për blerjen e këtij aseti publik.

Komiteti Qeveritar i Privatizimit që kryesohet nga Besim Beqaj, ministër për Zhvillim Ekonomik, më 8 qershor të këtij viti ka shpallur Ofertues të Preferuar konzorciumin turk.

Vendimi përfundimtar për pranimin ose jo të “Ofertës së Preferuar” pritet të merret në një mbledhje të ardhshme të kabinetit qeveritar.

Kompania tjetër që ishte në garë Elsewedy Electric S.A.E nga Egjipti kishte ofruar më pak se konzorciumi turk duke kërkuar pronësinë e distribucionit në këmbim të 22.8 milionë eurove.

Çmimet në rajon

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), në një deklartë për media, ka thënë se vlera prej 26 milionë eurosh për “shitjen e një aseti me rëndësi kombëtare është qesharake”. 

Sipas KOSID-it, vetëm në 12 vitet e fundit, KEK ka investuar rreth 180 milionë euro në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. 

“Përveç kësaj, në krahasim me vlerat e shitjes së aseteve të ngjashme në rajon, vlera e shitjes së aseteve në vend përbën edhe krim ekonomik: Maqedonia ka shitur 90 për qind të aksioneve për 225 milionë euro dhe i merr mesatarisht 30 milion euro në vit investime në rrejt. Shqipëria ka shitur 76 për qind të aksioneve për 125 milion euro. Mali Zi ka shitur në faza të ndryshme rreth 80 për qind të aksionve për vlerën mbi 380 milionë euro. Ndërsa Kroacia dhe Serbia nuk kanë shitur dhe as që kanë nisur procesin e shitjes”, thuhet në deklaratën e KOSID-it.

Megjithatë, blerësi i Kompanisë së re të Distribucionit e Furnizimit parashihet që të nënshkruajë një marrëveshje me KEK-un, një ndërmarrje e cila do të mbetet edhe më tej në pronësi publike, për të mbledhur borxhet e konsumatorëve të energjisë elektrike.

Qeveria parasheh t’i japë një përqindje nga shuma e mbledhur e borxheve kompanisë private e cila do të inkasojë borxhet që rrjedhin nga faturat e papaguara të energjisë elektrike. Shuma e përqindjes që do të përfitoje privatizuesi do të përcaktohet gjatë negociatave mes Qeverisë së Kosovës e blerësit të DISCO-se.

Ndërkohë në fund të vitit 2009, konsumatorët i kanë pasur 350 milionë euro borxh KEK-ut ndërsa shifra është rritur për 20 milionë euro në vitin 2010. Afro 400 milionë euro është raportuar në fund të 2011-ës të jetë borxhi i konsumatorëve ndaj KEK-ut.

Pakoja Çalik-Limak

“Çalik Holding” e “Limak Holding”, fillimisht kishin aplikuar veç e veç vitin e shkuar për blerjen e kësaj njësie të Korporatës Energjetike të Kosovës por ishin bashkuar tek në muajin prill të këtij viti kur Qeveria e Kosovës kishte vendosur për shtyrjen e afatit për aplikim në procesin e privatizimit të distribucionit.

“Procesi i Privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit të KEK është kryer sipas ligjeve të Kosovës dhe standardeve më të larta ndërkombëtare për një proces transparent, të drejtë dhe konkurrues. Ky vlerësim është bërë edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë të kyçur në këtë proces”, ka deklaruar Fëllanza Hoxha, menaxhere e projektit të privatizimit të kësaj njësie të KEK-ut.

Bazuar në vlerësimet e tyre, konzorciumin e përbejnë “kompani miliardëshe dhe që kanë reputacion të mirë ndërkombëtar”. 

Partneri i Calik-ut, korporata Limak në konzorcium me Aeroports de Lyon, kishte marrë me koncesion për 20 vjet Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Kur është nënshkruar kontrata me Qeverinë e Kosovës, në qershor të 2010-tës, ky konzorcium pati marrë obligime që të investojë mbi 100 milionë euro në modernizimin dhe zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Po ashtu konsorciumi “Limak-Lion” i ka ofruar Qeverisë së Kosovës një mesatare prej 39,42 për qind të të ardhurave bruto gjate kohës se koncesionimit.

Gjate menaxhimit te tyre me Aeroportin, kompania e njohur British Airways ka paralajmëruar se prej kësaj vjeshte nuk do të aterojë më në Aeroportin Ndërkombëtar te Prishtines.

British Airways, siç ka shkruar Gazeta Zëri më 28 Maj, kishte shfaqur pakënaqësi ndaj ndërrimit të kontraktorëve të furnizimit me kerozinë aeroplanësh.

Ndërkohë Berat Albayrak nuk ka dhënë një përgjigje kur është pyetur për kriteret që ka plotësuar Calik për të blerë këtë njësi të KEK-ut si dhe për lidhjet e tij me kryeministrin turk Erdogan edhe pse kabineti i tij ka premtuar se shefi i korporatës do ta bëjë këtë. 

Kryeministri Hashim Thaçi dhe homologu i tij Erdogan janë takuar së paku pesë herë në Kosovë dhe në Turqi prej marsit 2010 deri më qershor 2012.

“Me kënaqësinë më të madhe e konfirmoj se pikërisht ky bashkëpunim yni, mes Kosovës dhe Turqisë, mbështetje edhe juaja personale, e bashkëpunëtorëve tuaj dhe krijimi i kushteve e mundësive, si dhe hapësirave kreative për biznesin, ka bërë që nga Turqia të kemi investitorë të fuqishëm në Republikën e Kosovës, të cilët disa janë edhe prezentë sot në Kosovë, e ka interes për të ardhur edhe në të ardhmen”, kishte thënë Thaçi, më 3 nëntor 2010, në një konferencë të përbashkët me Erdoganin në Prishtinë.

 
Foto: kryeministri-ks.net  

Erdogan akuzohet për favorizim të “Çalik Group”

Autoritetet turke në vitin 2008 i kishin sekuestruar pasurinë njërit prej baronëve më të mëdhenj të shtypit të viteve 90-ta në Turqi.

Dinc Bilgin, që kishte në pronësi shtëpitë mediale si “ATV” e “Sabah”, kishte edhe një bankë e cila kishte falimentuar duke i krijuar kështu borxhe të mëdha ndaj shtetit turk.

Fondi për Sigurimin e Depozitave, një agjenci qeveritare turke, kishte nxjerrë në shitje dy shtëpitë mediale në pronësi të Bilgin. Ato i kishte blerë korporata “Çalik”, për një shumë prej 1.1 miliard eurosh. 

Berat Albayrak | Foto:Calik.com

Mënyra se si ishte kryer transaksioni kishte nxitur dyshime të opozitës në Turqi për ndërhyrjen e kryeministrit Erdogan në interes të “Çalik Group”.

Partia kryesore opozitare atëkohë, shkruan gazeta turke “Hyrriet”, kishte dorëzuar tek kreu i parlamentit turk një kërkesë për mocion parlamentar për të diskutuar rreth dyshimeve për ndërhyrjet e kryeministrit Erdogan në këtë tender. 

Kërkesa e tyre  për të diskutuar në parlament ishte hedhur poshtë nga ligjvënësit shumica e të cilëve i përkasin Partisë për Drejtësi e Zhvillim (AKP) të kryeministrit Erdogan.

Partia Republikane e Popullit, shkruante “Hyrriet”, sidoqoftë pati akuzuar kryeministrin Erdogan për abuzim me autoritetin e tij duke ndërhyrë në tenderin për shitjen e pasurive të sekuestruara. 

Fitues i tenderit ishte korporata që menaxhohet nga Berat Albayrak, i martuar në vitin 2004 me Esra Erdogan, të bijën e kryeministrit të shtetit turk. 

Paratë për blerjen e këtyre dy shtëpive mediave, sipas kësaj partie opozitare, korporata Çalik që menaxhohet nga dhëndri i Erdoganit i kishte siguruar nga bankat që janë në pronësi shtetërore.

“CHP (Partia Republikane e Popullit) tha në mocion se transaksioni është financuar nga bankat shtetërore dhe se nuk janë dhënë detaje tjera për procesin. Po ashtu nuk është bërë i njohur për publikun emri i investitorit të huaj”, shkruante gazeta turke “Hyrriet”.

Kjo ishte përmendur edhe në një kabllo të ambasadës amerikane në Ankara më 2008, të publikuar nga Wikkileaks. 

Ahmet Çalik | Foto: calik.com

“Kritikët e kanë vënë në pikëpyetje këtë shitje. Caliku e bleu grupin në një aksion në një çmim të nënvlerësuar. Caliku i mori paratë nga një biznesmen prej Katarit dhe mori borxhe të pambuluara (siguruara me astete) në vlerë prej 750 mijë dollarësh amerikanë nga dy banka shtetërore për të paguar për blerjen”, thoshte kablloja. 

“Çalik” më vonë kishte njoftuar se një kompani me bazë në Katar e quajtur “Lusail International Media Company” kishte blerë 25 për qind të aksioneve në “Turkuvaz Radyo Televizyon” . Pjesa tjetër e Turkuvaz i përket “Calik Group”. 

Përmbajtja e marrëveshjes së partneritetit në mes të Autoritetit të Investimeve të Katarit  që ka krijuar LIMC-në dhe Calik Group-it ishte hartuar në janar të vitit 2008. 

Kur Ahmet Calik, themelues e kryesues i kësaj korporate, kishte shoqëruar presidentin turk Abdullah Gul në një vizitë zyrtare në Siri kishte pasur rastin që të njoftonte edhe Emirin e Katarit , Hamad Bin Khalifa. 

Ahmet Çalik, i cili vlerësohet se është mik me kreun e ekzekutivit turk në një kabllogram tjetër të ambasadës amerikane në Turqi të vitit 2009 e të e publikuar nga Wikileaks, e kishte shoqëruar presidentin Gul në muajin shkurt dhe kryeministrin Erdogan në muajin prill gjatë vizitave zyrtare në Katar. 

Autoriteti i Investimeve në Katar, shkruan tegazeta “Hyrriet”, kishte vendosur të krijonte një kompani të veçantë për të investuar në blerjen e ATV e Sabah vetëm dy muaj para shitjes.