Reagim i Avni Kastratit Ndaj Gazetës Jeta në Kosovë

Artikulli i botuar më 28 maj 2012 në gazetën “Jeta në Kosovë” me titull “Kryetari i Mitrovicës me biznese të padeklaruara”, me autor gazetarin, Parim Olluri, nuk përkon me realitetin. Është një artikull joprofesional, ku shihet se gazetari nuk i ka konsultuar ligjet që rregullojnë këtë fushë, prandaj ka nxjerrur përfundime të gabuara. Si i tillë ka dëmtuar imazhin tim si kryetar i Komunës së Mitrovicës, prandaj e përgënjeshtroj këtë të “vërtetë” të konstruktuar me apo pa dije. E vërteta është krejt ndryshe prej asaj që thuhet në artikull. Më saktë është e kundërta e atyre përfundimeve që janë nxjerrë. Të gjitha bizneset, të cilat janë cekur në artikull si: “Oil trade” sh.p.k, mandej Sh.p.k “Amar” dhe Sh.p.k “Eco Kosova” janë biznese pasive, sipas Ligjit 03-L/222 për ATK dhe procedurat e çregjistrimit të tatimpaguesve. Kjo dëshmohet edhe me një shkresë të ATK-së, të cilën e posedoj unë, por edhe gazetari që e ka përgatitur këtë artikull. Pra bizneset janë pasive dhe këtë për këtë posedoj vërtetimet e ATK-së. Unë e kam kryer obligimin ndaj ligjit. Në anën tjetër, gazetari nuk është konsultuar me ligjin, prandaj edhe ka nxjerrur përfundime të gabuara. Vështirë se do ta bënte një gjë të tillë sikur t’i lexonte pikat 5 dhe 6 të  Ligjit 03-L/222 për ATK dhe procedurat e çregjistrimit të tatimpaguesve, ku thuhet:

Pika 5. Në rast se brenda 60 ditësh nga data e marrjes së kërkesës për çregjistrim nga tatimpaguesi, ATK-ja nuk e ka njoftuar tatimpaguesin sipas paragrafit 3, të këtij neni, tatimpaguesi do të konsiderohet te jetë i çregjistruar.
Pika 6: ATK-ja ka të drejtë që të çregjistroj nga regjistri i saj aktiv çdo tatimpagues, kur provohet se ai për çfarëdo arsye në vitin e fundit fiskal nuk ka ushtruar veprimtari. Në këtë rast, këta tatimpagues do të vihen në një regjistër të veçantë të tatimpaguesve joaktiv dhe ATK-ja do ta njoftoj Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit në lidhje me atë regjistër.

Nga kjo rezulton se procedurat e çregjistrimit në  Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit, nuk janë obligim i biznesit. Obligim i biznesit është që nga ATK-ja të fitoj statusin e një biznesi pasiv, të mos ketë obligime tatimore dhe që në vitin e fundit fiskal të mos ketë ushtruar veprimtari. Ne i kemi të qarta obligimet në raport me ligjin dhe i kemi kryer ato, por ju si gazetar dhe si medium nuk e keni kryer obligimin që të konsultoheni me ligjin para se të nxirrni përfundime që bien ndesh me ligjin. Dëshira juaj për të nxjerr një lajm të keq ka qenë më i madh se durimi për të arritur te realiteti. Si pasojë ju e keni anashkaluar të vërtetën e faktuar më një të “vërtetë” të konstruktuar.

Avni Kastrati, kryetar i Komunës së Mitrovicës.