Familja e Ukë Bytyçit Merr Rrogën e Tij Për Rreth Një Dekadë

Më 6 dhjetor 2002, Asambleja e Komunës së Suharekës kishte marrë vendim që të mbështeste familjen e kryetarit Ukë Bytyçi duke ia dhënë rrogën e tij për çdo muaj derisa autoritetet qendrore ta rregullonin pensionin përkatës. 

Gruaja e tij, Kimete Bytyçi, tash deputete në Parlamentin e Kosovës, thotë se familja ka të drejtë në marrjen e mbështetjes derisa kuvendi lokal të mos vendosë ndryshe. Kësaj familje i ishte dhënë edhe një banesë në qytet, atëbotë.

I ndjeri Bytyçi, i cili ishte edhe kryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Suharekë, ishte vrarë më 27 tetor 2002 në Leshan, derisa po kalonte përmes fshatit së bashku me simpatizantët që i gëzoheshin fitores së freskët në nivel komunal. 

Kjo mbështetje e cila është 360 euro për muaj, buxhetit të Suharekës nga 2002-ta e deri më tash i ka kushtuar në rreth 30 mijë euro, shifër që ka mundur të jetë rreth 40 mijë po të mos ndalohej gjatë viteve 2008 dhe 2009 pasi thesari komunal dyshonte në ligjshmërinë e vendimit. 

Vendimi lexon se bazohet në Rregulloren për Vetëqeverisjen e Komunave të Kosovës 2000/45 si dhe statutin e komunës. (Shih dokumentin)

Përveç pagës, vendimi po ashtu zotohej të ruante emrin dhe veprën e Bytyçit. “Ukë Bytyçi shpallet post-mortum Kryetar Nderi i Kuvendit të Komunës së Suharekës”, lexon ai. “Fotografia e Ukë Bytyçit do të vihet në Zyrën e Kryetarit, të Nënkryetarit, Kryeshefit Ekzekutiv, Drejtorëve të Drejtorive dhe në sallën e Kuvendit të Komunës”.

Vendimi thoshte më tej se shtëpia e kulturës në qytet do të merrte emrin e tij ndërsa një shtatore do të ndërtohej para kuvendit komunal. Familjes i është dhënë edhe një banesë në qytet. 

Kryetari aktual i Suharekës, Blerim Kuçi, thotë se mbështetja në formë të pagës është e ligjshme pasi ka vendimin e asamblesë, e paratë për pagesën merren nga kategoria e subvencioneve të kryetarit të komunës. 

“Ajo mbështetje është në lartësi të 360 eurove në muaj për gruan dhe fëmijët dhe do të bëhet derisa autoritetet qendrore nuk e rregullojnë çështjen e pensionit”, ka thënë Kuçi.

“Ajo mbështetje është në lartësi të 360 eurove në muaj për gruan dhe fëmijët dhe do të bëhet derisa autoritetet qendrore nuk e rregullojnë çështjen e pensionit”, Blerim Kuçi.

Ai ka shtuar se vendimi i 2002-ës i asamblesë komunale është obligativ për të si kryetar. “Këtë vendim vetëm asambleja mund ta anulojë nëse ia merr mendja dhe e ka atë guxim edhe pëlqim moral”, ka thënë Kuçi, një ish-bashkëpartiak i dikurshëm i Bytyçit në LDK.

Në vitin 2002, kur u mor vendimi për mbështetje financiare për familjen e ish-kryetarit, sipas Sali Asllanajt kryetar i kuvendit të atëhershëm komunal, ishte më shumë “zgjidhje politike e kohës”.

Vendimi, sipas Asllanajt, ishte nxjerrë edhe me “aminin” e plotë të ish-administratorit të UNMIK-ut për Suharekë. 

Asllanaj thotë se megjithatë pas disa vitesh sa ajo rrogë është dhënë rregullisht për familjen e Bytyçit e njëjta nuk është bërë për vitet 2008 dhe 2009. “Thesari nuk e ka bërë pagesën pasi ka thënë se nuk ka mbështetje ligjore dhe ka mbetur ashtu”, ka thënë Asllanaj.

Në fakt, ndonëse rregullorja e UNMIK-ut 2000/45 lejonte komunat të qeverisnin me buxhetin e tyre, as ajo, as ligji për vetëqeverisjen lokale dhe as neni 39 i statutit të komunës së Suharekës – ku bazohej vendimi – specifikisht nuk kanë rregulluar ndonjë obligim të kësaj natyre ndaj drejtuesve të lartë komunalë që humbin jetën në rrethana të ngjashme dhe sa janë në detyrë. 

Një iniciativë për rrëzimin e vendimit të datës 6 dhjetor 2002 nga ana e Asamblesë së Suharekës ishte marrë më 26 prill 2012, por kishte dështuar për shkak të mos pasjes së shumicës së votave. 

Ajo ishte iniciuar nga Gëzim Gega, asambleist në Kuvendin Komunal të Suharekës nga radhët e Partisë Socialiste të Kosovës (PSK), pasi ai konsideronte e asambleja ka bërë shkelje me vendosjen e fotos së ish-Kryetarit të Komunës në të gjitha zyret e drejtorëve të drejtorive të Komunës, nënkryetarit, shefit ekzekutiv si dhe në sallën e Komunës. “Këto gjëra janë të rregulluara me Ligjin për Presidentin e Shtetit, e jo për kryetaret e komunave”, thoshte Gega.

Ukë Bytyqi, në ndërtesën e komunës së Suharekës | Foto: Qazim Hasanaj

Sipas tij, kuvendët komunale nuk kanë të drejtë ligjore për t’i dhënë askujt rrogë apo pension të përhershëm. Iniciativa ishte mbështetur nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të Aleancës për Kosovën e Re (AKR) dhe një deputeti të pavarur por ishte kundërpeshuar me sukses nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe të LDK-së.

Kimete Bytyçi, gruaja e Ukë Bytyçit, tani deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se mbështetja kishte qenë ndihmesë për familjen e saj si dhe ka thënë që komuna është e obliguar të procedojë pagesën derisa asambleja të mos marrë vendim tjetër. 

“Neve duhet të na jepet statusi i familjes së dëshmorit”, ka thënë Bytyçi, për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Neve duhet të na jepet statusi i familjes së dëshmorit” Kimete Bytyçi

Ajo është edhe anëtare e Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione. Njëri nga gjithsej tre fëmijët jeton dhe punon jashtë shteti, në Zvicër. Djali i dytë punon në PTK. 

Sipas deputetes Bytyçi, djali i saj i madh, Valoni, ishte dashur të largohej për në Zvicër pas vrasjes së babait të tij “për shkak të rrethanave të krijuara në atë kohë”.

Gjykata Komunale për Kundërvajtje më 16 janar 2012 kishte nxjerrë një aktvendim me të cilin dënonte me gjobë Kimete Bytyçin me 300 euro për mosdeklarim të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës së deputetes më 21 korrik 2011. 

Në deklaratën e dërguar pastaj në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK), më 28 tetor 2011, ajo kishte deklaruar 1,000 euro para të gatshme në Bankën Ekonomike në Suharekë, 22 mijë euro pagë dhe shtesa vjetore në vit nga Kuvendi, 136 mijë euro të ardhura dhe të hyra vjetore nga djali në Zvicër, shtëpi me oborr në vlerë 200,000 mijë euro, banesën në Suharekë dhe 1 hektar toke trashëgim. 

Rastet tjera pa trajtim të ngjashëm

Më 24 prill 2001, ishte vrarë edhe Ismet Rraci kryetar i Asamblesë Komunale të Klinës dhe i degës së LDK-së për këtë komunë, derisa po shkonte në punë, nga persona të pa njohur.

Zyrtarë të Kuvendit Komunal të Klinës kanë treguar për Gazetën Jeta në Kosovës se familja e Rracit nuk merr mbështetje financiare sikur familja e ish-kryetarit të Suharekës. 

Po ashtu, familja e ish-kryetarit të Komunës së Istogut, Fadil Ferati, i cili kishte ndërruar jetë duke ushtruar postin e të parit të kësaj komune, për shkak të një sëmundje të rëndë, nuk merr mbështetje financiare nga komuna.

Kryetari Haki Rugova, i cili është edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), thotë se komuna nuk ka bazë ligjore për të ofruar përkrahje financiare për familjen e ish-kryetarit. 

“Kemi provuar, por nëse do t’i ofronim përkrahje atëherë do të bënim shkelje ligjore”, tha ai, derisa kërkoi që kjo çështje të rregullohet me ligj. “Përkrahjen e ka në mënyrë individuale për shkak se ka dhënë një kontribut të madh”, tha Rugova.

“Ministria nuk është në dijeni se ndonjë ish-kryetar ose familje kompensohet nga kuvendet komunale financiarisht.” Besnik Osmani

Sekretari i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Besnik Osmani, thotë se ministria nuk është në dijeni se ndonjë ish-kryetar ose familje kompensohet nga kuvendet komunale financiarisht. “Prandaj MAPL nuk është në njohuri të kompensimit eventual të kryetarit të mëhershëm të Komunës së Therandës z.Ukë Bytyçi apo mos kompensimit të kryetarit të mëhershëm të Komunës së Klinës z. Ismet Rraci”, thotë sekretari Osmani.

Ai thotë se draft-ligji për pagat e të emëruarve politikë është në fazën e hartimit dhe në të do të përfshihen edhe pagat dhe kompensimet e zyrtarëve të emëruar politikë në nivelin lokal, të kësaj natyre. “Aktualisht, pagesa e të emëruarve politikë komunalë është e rregulluar me Udhëzimin Administrativ nr.16/2008 për pagat e stafit politik, me të cilin rregullohet edhe kompensimi për kryetarët e komunave. Ky udhëzim nuk e ka rregulluar kompensimin e pagave pas rasteve eventuale të vdekjes së kryetarëve gjatë ushtrimit të mandatit të tyre”, thotë Osmani.

Por Osmani thotë se komunat kanë të drejtë, që nga të hyrat e tyre vetanake të planifikojnë buxhet për përkrahje financiare për familjet në nevojë. 

“Për këtë qëllim, komunat këtë e rregullojnë me legjislacion legal të nivelit komunal me të cilin përcaktojnë kriteret, afatet dhe lartësinë e shumave që mund të përfitojnë përmes kësaj skeme të asistencës”, tha ai.

Gazeta JnK ka kërkuar interpretim ligjor të bartjes të pagës së ish-kryetarit Ukë Bytyçi si mbështetje për familjen e tij nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. 

“Në rastin konkret të Komunës së Suharekës, ne nuk jemi në gjendje të konfirmojmë ligjshmërinë e veprimit, pasi që kjo është në kompetencë të organeve të auditimit të brendshëm apo të pavarur”, thuhet në përgjigjen e Sekretari të MAPL-së, Besnik Osmani.

Ilire Daija-Buza, ushtruese e detyrës zëvendës Auditorit të Përgjithshëm  thotë se çështja e marrjes së mbështetjes financiare nga Komuna e Suharekës për mbështetjen e  Familjes Bytyçi nuk ka qenë asnjëherë e përfshirë në auditimet e bëra nga ta deri më tani. 

“Si problem mund të trajtohet në auditimin e vitit 2011, i cili në komunën e Suharekës do të fillojë të hënën më 14.05.2012. Ky raport i auditimit do të publikohet në fund të qershorit”, thotë Daija Buza.