EULEX Përmendet si Uzurpator nga AKP-ja

Në një raport të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), që e ka Gazeta Jeta në Kosovë, EULEX-i përmendet si pjesë e Listës së Uzurpatorëve të Ndërmarrjeve Shoqërore. 

Janë gjashtë objekte të këtyre ndërmarrjeve për të cilat AKP-ja ka konstatuar se janë uzurpuar nga gardianët europianë të ligjit në Kosovë. EULEX-i, sipas AKP-së, nuk ka pranuar të paguajë qira për shfrytëzimin e këtyre objekteve duke rekomanduar që paratë t’i kërkohen UNMIK-ut që ka qenë më herët i vendosur në këto ndërtesa. 

“AKP ka bërë shkresa në EULEX për kompensim të qirasë, ndërsa përgjigja e tyre thotë se duhet drejtuar në UNMIK, pasi është thënë se EULEX është me mandat të rezolutës 1244. Edhe UNMIK-u akoma nuk ka kthyer përgjigje”, ka thënë Ylli Kaloshi, zyrtar për media në Agjencinë e Privatizimit. 

AKP-ja ende nuk e di sa është vlera e borxhit që ka EULEX-i prej vitit 2008 si dhe UNMIK-u që ka shfrytëzuar objektet e ndërmarrjeve shoqërore që nga viti 2000. 

“Kjo nuk mund të dihet pasi që nuk kanë pranuar asnjëherë që të lidhin marrëveshje mbi qiranë. Kur zyrtarët e tyre të pranojnë të lidhin marrëveshje atëherë mund të kalkulohet vlera e borxhit”, ka deklaruar Kaloshi. 

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, nuk ka mundur të japë një përgjigje rreth kësaj çështje. Oliver Salgado, zëdhënës në UNMIK, ka thënë se kjo çështje ishte e rregulluar më herët mes Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM) që është paraardhëse e AKP-së si dhe Misionit të UNMIK-ut. Ky mision sipas tij kishte një marrëveshje mbi qiranë me AKM-në dhe gjithçka ishte rregulluar duke u bazuar në të. Por, misioni nuk ka sqaruar përmbajtjen e marrëveshjes. 

Për këtë marrëveshje, AKP-ja nuk ka informacione. “Agjencia Kosovare e Privatizimit, si pasardhëse e AKM-së, nuk ka informacione që ka ekzistuar ndonjëherë ndonjë marrëveshje e tillë”, ka deklaruar Kaloshi. 

Tetë ndërmarrje të uzurpuara

Në Listën e AKP-së figurojnë tetë ndërmarrje të cilat është konstatuar se janë uzurpuar nga misionet e huaja në Kosovës. EULEX-i përmendet në gjashtë prej tyre. Në rajonin e Prishtinës figuron NSH “Përparimi”. 

“AKP iu ka drejtuar me shkrim EULEX-it prej nga është marrë përgjigje se kjo përgjegjësi duhet adresuar në UNMIK”, ka thënë Kaloshi. 

Ndërkaq në rajonin e Mitrovicës janë evidentuar tri ndërmarrje shoqërore. Në objektin e “Kosovosirovina”, sipas AKP-së, ka qenë dhe aktualisht është i vendosur UNMIK-u. 

Ndërmarrje tjetër është  NSH “SHIK Crvena Zastava/Savremeni Dom”, në të cilën ka qenë i vendosur UNMIK-u e më vonë EULEX-i. Po ashtu e njëjta ka ndodhur edhe me Ndërmarrjen Shoqërore “Shala” në Mitrovicë e cila fillimisht është shfrytëzuar nga misioni i OKB-së në Kosovë e më pastaj nga Misioni Europian për Sundim të Ligjit.

“Për të gjitha këto raste të shfrytëzimeve në Mitrovicë AKP i është drejtuar me shkrim EULEX-it, ndërsa ata kanë orientuar përgjegjësinë në UNMIK, i cili deri më tani nuk ka marrë parasysh kërkesat e AKP-së për kompensim të qirasë”, ka thënë Kaloshi. 

Në Gjilan nga EULEX-i është shfrytëzuar objekti i NSH Agrokultura e në regjionin e Pejës janë shfrytëzuar objektet e “Dukagjiniremont”. Objekti i kësaj ndërmarrje në Gjilan tashmë i ka kaluar Komunës së Gjilanit ndërsa Dukagjiniremont sipas AKP-së është shitur në valën e  49-të të privatizimit. 

Ndërkaq në Prizren nga EULEX-i është duke u shfrytëzuar prona e NSH Farmakos përkatësisht njësia e saj e quajtur “Ndërtesa e Kaltër”.  Ndërkohë UNMIK-u në Prizren ka shfrytëzuar pronën e NSH Ballkani nga Suhareka përkatësisht njësinë e saj të quajtur “Goma”.

Vetëm për shfrytëzimin e dy objekteve të ndërmarrjeve shoqërore, sipas Agjencisë së Privatizimit, është paguar qiraja deri më tash nga UNMIK-u e EULEX-i. 

“Në territorin e Komunës së Prishtinës ekzistojnë dy raste ku UNMIK-u dhe EULEX-i kanë bërë kompensimin për shfrytëzimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore. Është fjala për ndërmarrjen shoqërore (NSh) Amortizatorët dhe NSh Mekanizimi”, ka deklaruar Kaloshi.