Tregu i Zi Nis Nga Qeveria

Fatlum Pllana nuk e kishte imagjinuar se në objektin e Qeverisë së Kosovës, ku ishte lokacioni që punonte, do të mund t’i shkeleshin të drejtat e veta si punëtor për një vit e gjysmë sa punoi aty. Në fakt, ai as nuk ka menduar për këtë kur e kishte gjetur punën. 

Pllana, 22 vjeç nga Prishtina, shërbeu si kamerier në bufenë e Qeverisë ku administron kompania “Amadeus” prej nëntorit të vitit 2010 deri në fillim të marsit 2012. Ai do të largohej nga kjo kompani pasi, siç tregon, ajo kishte katër muaj që s’po e paguante. Janë 800 euro për të cilat Fatlumi pohon se nuk është kompensuar asnjëherë. (shih dokumentin)

Fatlumi në fakt ishte bërë pjesë e tregut të zi të punës. Ai nuk kishte kontratë pune. Pagën kryesisht e merrte kesh. Nga tetëmbëdhjetë muaj sa kishte punuar aty, vetëm katër pagesa i janë bërë përmes transferit bankar. Megjithëse ai pohon se punën e kishte nisur në nëntor të vitit 2010, xhirollogarinë në bankë e kishte hapur pesë muaj më vonë sepse deri atëherë ishte paguar përmes zarfit. 

Ligji kosovar i punës obligon të gjitha organizatat punëdhënëse të kenë kontrata të shkruara me punëtorët. Pagesa mund të bëhet përmes xhirollogarisë bankare ose kesh, por në të dy rastet duhet të paguhen taksa. Për paratë që ka marrë në zarf, Fatlumi thotë se, me sa e din, nuk janë paguar taksa as në burim dhe as për pension. 

 
Fatlum Pllana

 

“Në njëfarë forme kam qenë punëtor i Qeverisë ngase kompania për të cilën punoja ka qenë e kontraktuar përmes një tenderi publik, por kjo kënaqësi zgjati krejt pak se shkelja e të drejtave aty fillon prej ditës së parë të punës për të gjithë punëtorët”, thotë Fatlumi, derisa bën me dorë në drejtim të objektit të Qeverisë dhe në dorë mbanë bexhin që tregon se është punëtor i kësaj kompanie. 

“Bexhin nuk e kam dorëzuar pasi e kam lënë punën. Është e vetmja dëshmi që kam punuar aty me që kontratë nuk kam pasur sikur asnjë prej punëtorëve”, shprehet Fatlumi. 

Ai thotë se ka ndenjur aty pasi ka pasur nevojë për punë. Dhe duket se, për shumë punë. 

“Orari im ka qenë prej orës shtatë në mëngjes deri në pesë pasdite”, kujton Fatlumi. Sipas ligjit të punës, i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar 2011 (neni 20 pika 2), orari nuk duhet të jetë më gjatë se 40 orë në javë. Fatlumi ka punuar më shumë se dhjetë shtesë në javë.  

Po ashtu, gjatë tetëmbëdhjetë muajve në punë, ai ka marrë dy javë pushim vjetor ose dhjetë ditë pune. Me ligjin e punës ai ka pasur të drejtë të pushojë edhe 20 ditë për një vit. Dhe megjithëse ai ka pushuar vetëm 10 ditë, as ato nuk i janë paguar. 

Të dielat në Qeveri 

Kjo nuk është vetëm historia e tij. Agron Haliti, 23 vjeç nga Prishtina, ka një rrëfim të ngjashëm. Ai për një vit e gjysmë sa pohon se ka punuar aty, asnjë rrogë të plotë nuk e ka marrë përmes bankës. Sipas qarkullimit të gjendjes bankare për tetëmbëdhjetë muaj, ai ka marrë vetëm 150 euro përmes bankës. (shih dokumentin)

“Pjesën tjetër të rrogës, 50 euro m’i kanë dhënë në dorë”, thotë Agroni. 

Ai tregon edhe për të shtunat e të dielat që i ka kaluar në punë. “Kur ka qenë kabineti i Kryeministrit në punë, ne natyrisht se kemi dalë të punojmë. Për këtë asnjëherë nuk jemi paguar. Madje nëse i kemi thënë pronarit ai na ka thënë ‘po punoni për kryeminsitrin, jo për  mua’”.  

Agroni thotë se kompania “Amadeus” i ka mbetur borxh edhe katër rroga pa llogaritur edhe pushimin vjetor. “Janë 800 euro dhe sa herë i kontaktoj për to më thotë ‘nesër’”.  

 
Agron Haliti  

 

Gazeta Jeta në Kosovë ka folur edhe me një ish-kuzhinier, Elmedin Sinanin, të kësaj kompanie, i cili ishte detyruar të lërë punën për shkak të një sëmundje për të cilën nuk mund të merrte pushim mjekësor. 

“Unë punova një muaj e gjysmë, u sëmura, m’u desh të shkoja në Tiranë. Ata as pushim qoftë edhe pa pagesë nuk më jepnin. Kësisoj m’u desh ta lë krejt punën, por kam mbetur pa marrë asnjë centë për një muaj e gjysmë sa kam punuar”, thotë Sinani. 

Sipas nenit 59 të ligjit të punës, “i punësuari, në rast të sëmundjes, ka të drejtë në pushim mjekësor të rregullt mbi bazën, deri në njëzet (20) ditë pune brenda një (1) viti me kompensim prej 100 % të pagës”. 

Gazeta ka folur edhe me disa ish punëtorë të cilët vazhdojnë të shërbejnë në bufenë e Qeverisë dhe të cilët nuk kanë guxuar të flasin me emra duke mbajtur shpresë se pronari do t’ia lajë borxhet që iu detyrohet. Disa të tjerë nuk kanë pranuar të flasin. 

Kompania: Gjithçka në përputhje me ligjin

Pronari i “Amadeusit”, Arsim Makolli, i mohon të gjitha të dhënat e prezantuara nga ish punëtorët dhe disa nga punëtorët e tij aktualë. 

“Punëtorët e mi punojnë prej orës tetë deri në katër, rrogat i kanë të mira, kontrata kanë, pushimin vjetor ua paguaj dhe nuk u kam borxh”, ka thënë Makolli, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai ka shtuar se nuk është përgjegjës për asnjë shkelje gjatë punës në bufe. “Kushdo që iu ka dhënë juve informata të kësaj natyre, kanë qenë armiqtë e mi”, është shprehur ai. 

Por Makolli nuk ka qenë në gjendje të sigurojë as edhe një kontratë të vetme të ndonjë punëtori të tij në bufenë e Qeverisë megjithëse gazeta e ka pritur për dy javë. 

Kompanitë private obligohen me ligj të punës krejt njëjtë sikur institucionet e tjera, por Makolli arsyetohet me të qenit ‘privat’. “Unë jam kompani private dhe nuk kisha dashur që ju me interpretu diçka këtu si shkelje të Qeverisë”, rekomandoi ai. 

“Amadeus” e kishte fituar për herë të parë tenderin e shpallur nga Ministria e Administratës Publike në gusht të vitit 2009 për të ofruar shërbimet hoteliere në, siç quhet, objekti i ish-Bankosit ku është i vendosur Kryeministri dhe kabineti i tij, Ministria e Financave, ajo e Integrimit Europian, e Punëve të Jashtme si dhe disa komisione qeveritare. 

“I njëjti operator e ka fituar tenderin sërish në gusht të 2011 për 36 muajt e ardhshëm në mesin e shtatë ofertuesve të tjerë duke ofruar çmimin më të lirë”, thotë drejtori i prokurimit në MAP, Arton Berisha. 

Përkushtimi institucional vetëm në erë 

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, në një debat më 1 maj, vitin e kaluar, kishte thënë: “Jam i përkushtuar për mirëqenien e punëtorëve në Kosovë dhe jam i angazhuar maksimalisht për një bashkëpunim të ngushtë në mes të Qeverisë dhe sindikatave në të mirë të mirëqenies së punëtorëve të Kosovës”. 

Pavarësisht kësaj, në kuadër të 5,100 inspektimeve nga Inspektorati i Punës, gjatë nëntëmujorit të parë 2011, janë shqiptuar mbi 700 vërejtje. 

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), në një deklaratë javën e kaluar, u rikujtoi të gjithë personave të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor janë të detyruar të regjistrohen, pajisen me Numër Fiskal, deklarojnë dhe paguajnë tatimet (bazuar në statusin e tyre) dhe të mbajnë tatimin në burim dhe kontributet pensionale për punëtorët e tyre.