I Dyshuari për Falsifikim Shërben me Kafe Deputetët

Bedri Nika dyshohet se ishte zënë me 80 mijë dollarë fals, duke i shitur në Drenas, por prapë ai vazhdon t’i shërbej me kafe deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit. 

Nika, kontratën me  Kuvendin e ka nënshkruar personalisht në emër të  ndërmarrjes “Shqiponja”, si menaxher i saj.

Policia e Kosovës e kishin kapur atë me vëllain e tij dhe persona të tjerë kah mesi i dhjetorit të vitit të kaluar me para fals. Nika dhe vëllezërit thonë se janë bashkëpronarë dhe menaxhojnë kompaninë “Shqiponja” e cila po menaxhon me bufetë në Kuvendin e Kosovës nga vitit 2010, kurse në prokurorinë e shtetit nga 6 shkurti i vitit të kaluar. Ndërmarrja “Shqiponja” ka fituar tenderë publikë edhe pas kapjes me para të falsifikuara të Bedri Nikës. 

Shefi i Prokurimit në Kuvendin e Kosovës, Naim Gjoshi, ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se kontrata për shërbime në bufenë e Kuvendit është nënshkruar nga Bedri Nika. “Kontrata është nënshkruar më 6.10. 2010 dhe skadon më 6.10.2012”, thotë Gjoshi.

Kur ishte kapur në Drenas, Bedri Nika ishte në shoqëri edhe të ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Naser Rugova, aktualisht anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Rugova është arsyetuar se në Drenas ka qenë për disa punë që kanë të bëjnë me ndotjen e ambientit, pasi ofron shërbime konsulente për një kompani mjedisore.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi, ka thënë se rasti kundër Bedri Nikës dhe të tjerëve është në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dhe pritet që më 30 prill të konfirmohet aktakuza, pas caktimit për mbajtjen e seancës. 

“Sipas aktakuzës Fatmir Nika akuzohet për veprën penale falsifikimi i parasë nga neni 244 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës, ndërsa të pandehurit Avni Mehana, Beqir Nika, Bedri Nika dhe Safet Idrizi – Falsifikimi i parasë, nga neni 244 paragrafi 3 të Kodit Penal të Kosovës”, ka thënë zëdhënësja.

“I pandehuri Kadri Nika, për shkak të veprës penale mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve në kundërshtim me nenin 328 paragrafi 2 të KPK”, ka vazhduar ajo. 

Në bazë të hetimeve, paratë e falsifikuara, sipas Kozmaqit, ishin të destinuara për tregun e brendshëm pasi që të pandehurit janë kapur duke i shitur ato në Drenas.

Po ashtu, Bedri Nika është duke u hetuar edhe për një vepër tjetër të vitit 2005 e cila ka të bëjë me integritetin seksual.

Kuvendi nuk merr masa pa vendim gjykate

Zyrtarët e Kuvendit të Kosovës kanë thënë se nuk mund të marrin masa, pa pasur një vendim nga gjykata. 

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, thotë për Gazetën JnK se askush nuk është fajtor pa u gjykuar. “Kuvendi nuk ka nevojë t’i paraprijë me diçka për shkak se ne jemi në suaza të dokumentacionit prej ditës së parë kur është shpallur tenderi”, thotë ai. 

Kompania e cila mban bufenë dhe restorantin në Kuvend, sipas tij, është e rregullt me raportet mujore për punën që bën. “Ne nuk ndërmarrim masa, pa u shpallur fajtor”, thotë Krasniqi. 

“Ne e shohim atë si biznes i cili e ushtron veprimtarinë e vetë konform kontratës që ka me Kuvendin e Kosovës”, pohon Krasniqi.

Neni 65 i Ligjit të Prokurimit Publik që flet për pranueshmërinë e tenderuesve në një prokurim publik parasheh ndalesa për kompanitë private drejtuesit e të cilave janë dënuar për mashtrim, janë përfshirë në asociacion të përbashkët me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm si dhe që janë dënuar nga një gjykatë kompetente për përfshirje në praktikat e korrupsionit e avantazhit.

 
Bufeja e Kuvendit të Kosovës  

 

Shqiponja shërben edhe Prokurorinë e Shtetit 

Policia e Kosovës ka bërë kallëzim penal për falsifikim të parave ndaj Bedri Nikës në Prokurorinë Speciale tregon, zëdhënësi i Policisë së Kosovës (PK), Brahim Sadriu. “Për këtë rast Policia ka ngritur Kallëzim Penal dhe e ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thotë Sadriu. 

Liridona Kozmaqi, zëdhënëse në Prokurorinë e Shtetit, ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se tenderin e shpallur më 20 dhjetor 2011 për ofrimin e shërbimeve në bufenë e kësaj Prokurorie e ka fituar “Shqiponja” me pronar Fehmi Nikën. 

“Pas zhvillimit të procedurave për hapjen dhe vlerësimin e ofertave të pranuara nga operatorët ekonomikë të interesuar, Zyra për Prokurim e Sekretariatit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në pajtim të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik, më 6 shkurt 2012, ka nënshkruar kontratën përkatëse me drejtorin e kompanisë ‘Shqiponja’, Fehmi Nikaj”, thotë Kozmaqi.

“Gjatë kontrollit nuk gjetën asgjë tek unë”

Bedri Nika i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se gjithçka po bëhet me qëllim kundër tij në lidhje me veprën me të cilën akuzohet. Ai dyshon se e tëra vjen si pasojë e faktit se me shtrirjen e biznesit të tij në Drenas po i rrezikohet biznesi të tjerëve.

“Shkuarja e ime në Drenas me biznes e rrezikon dikë, rrezikon bizneset”, tha ai. “Konsideroj se kjo e tëra vjen prej bizneseve tjera”.

Ai tha se hetimet kundër tij janë “alarme të rreme matrapazësh”.

“Gjatë gjithë kontrollit të cilin e kanë bërë asnjë send nuk është gjetur. Konsideroj se ky ka qenë një alarm i rrejshëm për arsye se nuk më është  ofruar diçka që është gjetur nga policia për ato çfarë flitet, as për euro e as për dollarë të falsifikuar”, ka shtuar Nika.

“Kam thënë edhe para prokurorit se nuk kam koment për ketë punë përderisa Policia e Kosovës e angazhon një forcë të tërë të policëve për me ardhë me një alarm të rrejshëm. Në fakt gjatë gjithë kontrollit që është bërë, edhe të klientëve edhe të vetë lokalit, asnjë send nuk është gjetur”, tha Bedri Nikaj.

Bedri Nika thotë se në ndërmarrjen “Shqiponja” e ka pozitën e menaxherit dhe e ka konfirmuar se kontratën me Kuvendin e ka nënshkruar vetë ai.

“Unë  jam i gatshëm t’i përgjigjem drejtësisë. Nuk jam duke i ikur dhe as nuk do të ikë”, është shprehur ai. 

Rastësia e Rugovës 

Deputeti Naser Rugova i cili ishte i pranishëm në kohën kur Bedri Nika dhe personat e tjerë ishin kapur në Drenas, thotë së krejt rastësisht kishte qëlluar aty – për një konsulencë me Ferronikelin. 

“Për ketë e kam dhënë një deklaratë zyrtare në polici në Drenas, ndonëse këtu po mundohen të spekulojnë qarqet e caktuara”,  ka thënë ai, duke mos sqaruar se kush janë ato qarqe. Rugova ka akuzuar  mediat se ato po mundohen t’i shesin gazetat me lajme të cilat i shpikin.

Ai ka pohuar se njihet me Bedri Nikajn për një kohë të gjatë. “E njoh Bedri Nikën sepse kam qenë këshilltari i kryeministrit më 2004, deputet dhe kam pirë kafe në Kuvend”, ka thënë Rugova, për Gazetën Jeta në Kosovë.  

Bedri Nikaj në zgjedhjet e fundit në Kosovë ka qenë kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD). Kjo parti ishte krijuar pas  ndarjes nga LDK-ja.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), ndërmarrja e Nikëve nga Drenasi është e regjistruar si N.T.H. “Shqiponja” me adresë rruga Xheva dhe Fehmi Lladrovci Drenas, përderisa pronar i saj, sipas ARBK-së, që nga themelimi është Fehmi Nika. 

Kjo ndërmarrje është e regjistruat më 15 tetor 2008 dhe ka deklaruar gjashtë të punësuar.