Kthimi i Amerikanëve si Lobistë

Bill Klintoni e ka bulevardin me emrin e tij dhe një statujë në Prishtinë, në nderim të rolit për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Por zyrtarë të tjerë të rangut të lartë të Shtëpisë së Bardhë, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në luftën e Kosovës për liri, duket se po përfitojnë nga puna e tyre e mëparshme në një mënyrë më delikate.

Sipas një hulumtimi nga Gazeta Jeta në Kosovë, një numër i firmave të lobimit të angazhuara nga Qeveria e Kosovës, janë të lidhura me ish-zyrtarët amerikanë të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në pavarësimin e Kosovës.

Një kontratë lobimi është nënshkruar në fillim të muajit mars nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik me Podesta Group, me vlerë prej 50 000 dollarësh amerikane në muaj.

Sipas marrëveshjes, e cila u publikua nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, Podesta Group “do të hulumtojë dhe analizojë çështjet kyç për Kosovën”.

Kontrata po ashtu përshkruan se si Podesta Group “do të këshillojë Kosovën lidhur me politikat amerikane, aktivitetet në kongresit dhe degën ekzekutive dhe zhvillimet në skenën politike amerikane në përgjithësi, si dhe të mbajë kontakt me anëtarët e Kongresit dhe stafin e tyre, zyrtarët e degës ekzekutive, anëtarë të shtypit, si dhe organizata joqeveritare, sipas nevojës”.

Kryetari i Podesta Group, Tony Podesta, është vëllai i John Podestës, i cili ishte shef i kabinetit të presidentit Bill Clintonit, gjatë konfliktit në Kosovë. Vëllezërit Podesta, atëherë e emëruan firmën Podesta Associates. Johni tani kryeson Qendrën për Progres Amerikan, një kompani “think-tank” liberale në Washington.

Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës në mënyrë diskrete e angazhoi për shërbime lobiste një tjetër firmë me seli në Washington, për 50 000 dollarë në muaj, pasi më herët ishte detyruar ta ndërpresë një marrëveshje të tillë me të njëjtën firmë, për shkak të shkeljes së ligjeve të prokurimit publik.

Më 31 gusht 2011, Kosova nënshkroi për shërbimet e firmës lobuese Patton Boggs. Dokumenti i regjistrimit, i cili gjendet në Departamentin Amerikan të Drejtësisë, thotë se Patton Boggs ofron për Kosovën “këshilla ligjore dhe për çështje avokimi që nevojiten për zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale”.

Kompania gjithashtu do të përkujdeset “për nxitjen e investimeve dhe mundësive tregtare për Kosovën, si dhe grumbullimin i fondeve nga programe për ndihmë të jashtme”.

Edhe pse marrëveshja me kompaninë ishte nënshkruar më 31 gusht, kjo kurrë nuk është deklaruar nga Qeveria e cila ishte detyruar ta prishë një marrëveshje të tillë më 2010.

Frank Wisner, këshilltar për punë të jashtme i Paton Boggs-it, u takua me kryeministrin Thaçi në korrik të vitit të kaluar në Amerikë. Sipas komunikatës të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, ata diskutuan “zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe arritjet e deritanishme të institucioneve”.

Wisner është i njohur më herët si mbështetës i Kosovës. Condoleezza Rice, sekretare e Shtetit gjatë presidencës së George Bushit, e emëroi më 2005 Wisnerin si përfaqësues Special të SHBA-së për Bisedimet për Status të Kosovës. Wisner luajti një rol thelbësor në negociatat për pavarësinë e Kosovës.

Edhe sektori privat kthen sytë nga DC-ja

Firmat të cilat kërkojnë të investojnë në shtetin e dytë me të ri në botë, po ashtu, janë drejtuar te lobistët me seli në Washington që kishin lidhje me Kosovën dhe rrugën e saj drejt pavarësisë.

Telco AG, një firmë telekomi nga Lihtenshtajni, iu drejtua firmës lobuese nga SHBA, Rhoads Group, në vitin 2009 kur ishin duke shikuar ta fitonin një kontratë me Qeverinë e Kosovës për shërbime këshilluese për shitjen e Post Telekomunikacionit të Kosovës.

Ajo pagoi 75 000 dollarë (rreth 55 000 euro) në synimin e saj për të fituar tenderin, sipas raporteve zyrtare të Zyrës së Senatit të Dokumenteve Publike të SHBA-së, për lobim në Kosovë dhe në SHBA në lidhje me çështjet që lidheshin me këtë tender. Asnjë firmë tjetër nuk angazhoi lobistë nga SHBA-ja gjatë procesit.

Në mesin e ekipit të caktuar për lobim në Kosovë ishte edhe Shawn Sullivan, i cili kishte ardhur nga një firmë tjetër. Nga 1995 deri më 2003, Sullivan shërbeu në kapacitete të ndryshme në Departamentet e SHBA-së të Shtetit dhe Mbrojtjes. Më 2001, ai u emërua këshilltar Politik i Komandantit Gjeneral të NATO-së në Kosovë dhe më vonë përfaqësuesi Personal i Sekretarit të Përgjithshëm  të NATO-së për Serbi.

Telco i tha Gazetës Jeta në Kosovë se në atë kohe vendimi për t’i punësuar lobistët ishte një taktikë legjitime, me qëllim që t’i “neutralizojë” propozimet e tjera nga SHBA-ja.

Firma gjigante nga SHBA, Bechtel, gjysma e konsorciumit e cila po ndërton projektin më të madh të infrastrukturës në Kosovë, një autostradë me vlerë një miliard euro, e angazhoi Mark Tavalarides nga grupi lobist Van Scoyoc Associates. Përafërsisht në të njëjtën kohë, firma nënshkroi me Qeverinë e Kosovës, për të lobuar në “çështjet lidhur me autostradën e Kosovës”.

Sipas të profilit të Tavlarides, ai “luajti një rol kyç në politikat e jashtme të administratës së Bill Clintonit, siç janë përfundimi i luftës në Kosovë dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet të Greqisë dhe Turqisë”.

Informatat për tenderin

Gazeta Jeta në Kosovë nuk ka mundur ta konfirmojë me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik se a ka qenë Podesta Group e përzgjedhur nëpërmes një tenderi të hapur.

Një zëdhënës i ministrisë refuzoi të tregonte se çfarë procedurash janë përdorur për përzgjedhjen e firmës dhe nuk mundi të shpjegonte rëndësinë e marrëveshjes, pasi që një zyrtar kyç, ishte jashtë vendit. Ministri Besim Beqaj po ashtu nuk pranoi të komentojë.

Një kërkim në listën zyrtare të tenderëve të Qeverisë, po ashtu, nuk dha ndonjë tender relevant në lidhje me këtë kontratë.

Qeveria më herët ka dhënë tenderë të tillë, pa iu nënshtruar procedurave korrekte, apo duke dhënë tender njëburimor.

Në shtator 2010, pasi që Qeveria punësoi Patton Boggs për 50 000 dollarë në muaj, kabineti u detyrua ta anulojë vendimin në nëntor.

Kjo ndodhi pasi që gazeta Prishtina Insight nxori në pah se ky vendim shkeli ligjin e prokurimit publik të Kosovës.

Ishte shkelje sepse kabineti thjesht kishte përzgjedhur firmën Patton Boggs, në vend se të mundësonte një proces konkurrues tenderimi. Ministria njëkohësisht nuk e kishte justifikuar te Agjencia e Prokurimit Publik se pse e zgjodhi një mënyrë të tillë përzgjedhjeje.
 
Zyrtarë të Qeverisë thanë se e anuluan marrëveshjen në bazë të këshillave ligjore, por mohuan që kishin thyer rregullat e prokurimit.

Një vit më vonë, marrëveshja u rishfaq në mënyrë të heshtur, nëpërmes një tenderi njëburimor.

Ministria e Punëve të Jashtme tha se e kishte dhënë kontratën ne koordinim me Agjencinë për Prokurim.

Gazeta Jeta në Kosovë e ka parë një kopje të kërkesës nga Ministria e Punëve të Jashtme për Agjencinë për Prokurim, që në mënyrë sekrete t’i jepet kontrata Patton Boggs-it me tender njëburimor.
 
Siç dukej, ministria kosovare nuk e dinte se ligjet amerikane kërkojnë që kontratat e këtilla duhej të publikohen online nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë. MPJ argumentoi se nëse kontrata do të bëhej publike do të pengonte punën e lobimit të Patton Boggs-it.

LOBISTËT NGA SHBA-JA

Lobimi për autostradën në emër të Bechtelit

Mark Tavlarides

Shërbimet e Mark Tavlarides në Qeverinë e SHBA-së kulmuan me një pozitë të lartë në stafin e Këshillit për Siguri Kombëtarë në Shtëpinë e Bardhë, organizata nëpërmes se cilës presidenti ushtron detyrat esenciale për mbrojtjen e vendit. Si drejtor i Marrëdhënieve Legjislative, Tavlarides kishte një rol kyç në Politikat e Jashtme të Administratës Clinton, siç ishin përfundimi i luftës në Kosovë dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet Greqisë dhe Turqisë.

 

Shawn Sullivan loboi për kontratën e PTK-së

Shawn Sullivan

Në vitin 2001, NATO-ja emëroi Sullivanin, këshilltar Politik të Komandantit Gjeneral të NATO-së në Kosovë dhe përfaqësues personal të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së në Serbi. Në këtë post, Sullivan ishte negociatori kryesor për zgjidhjen e konfliktin e armatosur ndërmjet autoriteteve të Qeverisë së Serbisë dhe një grupi paramilitar të inspiruar nga UÇK-ja në jug të Serbisë. Para caktimit në këtë posti nga NATO-ja, Sullivan ishte këshilltar politik i katër komandantëve të KFOR-it amerikan në Kosovë. Sullivan po ashtu ka një eksperiencë të madhe politike në zgjedhjet kombëtare, shtetërore dhe lokale.

Frank Wisner, lobim ndërkombëtar për Kosovën nëpërmes Patton Boggs

Frank Wisner

Wisner është i njohur qysh herët si mbështetës i Kosovës. Condoleezza Rice, sekretare e Shtetit gjatë presidencës së George Bushit, e emëroi më 2005 Wisnerin si përfaqësues Special të SHBA-së për Bisedimet për Status të Kosovës. Wisner luajti një rol thelbësor në negociatat për pavarësinë e Kosovës.

Podesta Group lobon për MZHE-në 

John Podesta

John Podesta në vitin 1998 u emërua shef i Stafit të Presidentit Bill Clinton, në mandatin e tij të dytë, dhe e ushtroi këtë detyrë deri në fund të mandatit, në janar 2001. Ai tashmë e ka lëshuar Podesta Group, ndërsa kryeson Qendrën për Progres Amerikan, një kompani “think-tank” liberale në Washington.