Shpaguan Financuesit e Fushatës me Tender

Gara në mes të partive po bëhej e nxehtë. Zgjedhjet për kryetar komune të Prizrenit nuk kishin nxjerr fitues as në raundin e parë e as në balotazh. Votuesit e Prizrenit po bëheshin gati për balotazhin e dytë dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ramadan Muja, kishte vënë në funksion të gjithë mekanizmat për të mbledhur vota.

Ai po organizonte dreka e darka me biznesmenë nga të cilët kërkonte që t’ia financojnë fushatën dhe si favor u jepte premtime se do t’ua kthente me tenderë të komunës. Takimet filluan që në verën e vitit 2009 dhe kishin vazhduar së paku deri në fundin e janarit 2010. Këto premtime Muja mbase nuk do t’i bënte më, sikur ta dinte se të gjitha detajet e këtyre takimeve një ditë do të bëhen publike. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar një letër kërcënuese që i është dërguar Ramadan Mujës, në fund të vitit të kaluar, nga disa biznesmenë që i kërkonin t’i mbajë premtimet. Në këtë letër, nuk bëhet fjalë për premtime që Muja u ka bërë votuesve të Prizrenit për përmirësimin e jetës dhe ekonomive familjare, por për zotime ndaj biznesmenëve që ia kanë financuar fushatën zgjedhore (Shih dokumentin, faqe 1),(Shih dokumentin, faqe 2).

Sipas kësaj letre, Muja i ka mbledhur në disa takime biznesmenët e fshatit Zhur, fshat nga i cili vjen edhe ai, dhe në kompensim të financimit të fushatës zgjedhore dhe dy raundeve të balotazhit, u ka ofruar përfitime të mëdha nga tenderët e komunës së Prizrenit. 

Aty përmendet një takim që është mbajtur në restorantin “Kështjella”, që është pronë e Zafir Berishës, ish kryetar i PDK-së, dega në Prizren. Edhe vet Berisha kishte marrë pjesë në këtë takim. 

Në faqen e parë të kësaj letre thuhet se në këto takime, gjatë fushatës zgjedhore 2009-2010, kanë marrë pjesë edhe Minir Krasniqi, Drejtor i Administratës, Hasan Hasani, Drejtor i Shërbimeve Publike dhe Sadik Paçarizi, Drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinorë në Prizren. 

Përveç restorant “Kështjellës”, thuhet në letër, takimet janë mbajtur edhe në Motel “Sharr” në Prevallë, restorantet “Marlboro” dhe “Kod Fuad” në Reqan dhe restorantin “Gold” në Mushnikovë. 

Bëhet fjalë për kompanitë “Progress NewCO”, “Daja Rrah”, “Renelual Tahiri” dhe “Vëllezërit e Bashkuar”.

“Në takimin e dytë, në restorant ‘Kështjella’, pas balotazhit të parë për Kryetar Komune, ku përveç juve, në takim kanë qenë prezentë edhe Zafir Berisha, Minir Krasniqi, Nebih Hoxha…ne e kemi rikonfirmuar përkrahjen tonë financiare në balotazh, por në rast të fitores suaj edhe ju i keni marrë disa obligime për përkrahjen tonë të cilën e kemi marrë edhe si obligim personal tuajin z. Kryetar”, thuhet në letër. 

Disa nga biznesmenët ankohen se pas fitores Muja kishte harruar obligimet ndaj tyre që nuk do t’i kishte pasur po të kishte humbur. 

“Ju po na injoroni që gati 2 vite edhe pse vet i keni marrë obligimet”, thuhet në të. 

Biznesmenët kanë kërcënuar se do t’i shkojnë edhe në shtëpi kryetarit të Prizrenit. 

“Do të na ngelni borxh edhe pas skadimit të mandatit. Zoti kryetar, kjo do të thotë, pasi të shkoni në shtëpinë e juaj, ne do të vijmë të kërkojmë edhe aty obligimin që e keni marrë personalisht dhe me vullnetin tuaj”, vazhdon letra.

Ish-kryetari i degës së PDK-së në Prizren, Zafir Berisha, ka konfirmuar se është mbajtur takimi në restorantin e tij. 

Ai ka deklaruar se në këtë takim me biznesmenët e Zhurit, Muja ka dhënë premtime të mëdha për përfitime në tenderë të komunës. Muja premtonte se ai do të angazhohet personalisht që t’u jap punë. Kjo nuk është ndonjë risi në Kosovë që kryetari të ndërhyjë në zyrën e prokurimit”, ka deklaruar Berisha, i cili e ka pranuar po ashtu se e ka mbështetur në atë kohë Ramadan Mujën. “Mos realizimi i projektit për tregje në Prizren është arsyeja pse jam prishur me të”. 

Muja ia premtoi tregun djalit të dajës së tij, Përparim Hoxhës

Gjatë hulumtimit, janë kontaktuar të gjithë biznesmenët që janë përmendur në këtë letër. 

Biznesmenët që e kanë shkruar këtë letër janë djali i dajës së Ramadan Mujës, Përparim Hoxha dhe ortaku i tij, Nezir Xhoxhaj, që të dy pronarë të ndërmarrjes “Progress NewCO” në Prizren.

Nezir Xhoxhaj, Përparim Hoxha, Ramadan Muja

Përparim Hoxha ka deklaruar se ashtu siç ka shkruar në letër — se do t’i shkojë në shtëpi kryetarit Muja — edhe ka vepruar. 

“I kam shkuar në shtëpi dhe do të vazhdoj t’i shkoj”, është shprehur Hoxha. 

Ai ka thënë se Ramadan Mujës, vetëm ai, dy herë ia ka dhënë nga 25 mijë euro për të financuar fushatën. Nuk dihet se sa kanë dhënë tri kompanitë tjera përveç “Progresi NewCo”.

Hoxha nuk ka dashur të deklarohet se pse këto para nuk janë dhënë në zyre të partisë apo në xhirollogarinë bankare të saj. Ai ka thënë se e ka nënshkruar një dokument në hetuesi i cili e obligon të heshtë derisa të kryhen hetimet. 

Hoxha i kishte dhënë paratë në shkëmbim të premtimit të Mujës për vendosjen e tregut të qytetit brenda hapësirave të ndërmarrjes “Progresi NewCo” të cilën i pari e ka privatizuar në vitin 2007. 

Këto premtime Muja edhe kishte filluar t’i zbatonte pasi kishte marrë postin. Ai kishte nisur procedurat e tenderimit dhe nga zyra e prokurimit në Prizren ishte shpallur tender i hapur me titull, “Ofrimi i hapësirave të nevojshme për tregje në Prizren”. 

E në anën tjetër edhe biznesmenët e ndërmarrjes “Progresi NewCo” kishin nisur të investonin, të bindur se do ta fitojnë tenderin. Plani ishte që tregu ekzistues “Fatoni”, që është në hapësirë publike, të zhvendosej në hapësirën e “Progresit”. 

Në këtë mënyrë do të siguroheshin të hyra të mira dhe afatgjate për ata që e kishin ndihmuar kampanjën zgjedhore të Kryetarit. 

Ashtu siç ishte pritur, komuna e Prizrenit kishte shpallur tenderin, në të kishin tenderuar disa kompani dhe atë e kishte fituar Përparim Hoxha me “Progresi NewCo”. 

Por ajo që nuk ishte pritur ishte vendimi i befasishëm i kryetarit Muja që të mos e nënshkruajë kontratën për këtë tender të fituar në mënyrë plotësisht ligjore. 

Ramadan Muja ishte paralajmëruar nga këshilltarët e tij se nënshkrimi i këtij tenderi do të mund t’i sillte probleme të mëdha me ligjin pasi do t’i binte se të hyrat nga tregu, të cilat i inkasonte komuna, kryetari i komunës po ia falte familjarit të tij.

Muja ndryshon planin urbanistik të qytetit

Për të vendosur të gjitha tregjet në hapësirat e ndërmarrjes Progresi, Komuna e Prizrenit kishte bërë edhe planin rregullues urbanistik të qytetit dhe kishte nxjerrë vendim që në hapësirën ekzistuese ku është tregu “Fatoni” të bëhen ndërtime të larta. 

Mirëpo, në momentin kur Muja vendosi që të mos e nënshkruaj kontratën për dhënien e tregut, u nxor një vendim tjetër për ndryshimin e planit urbanistik të qytetit. 

Pas nxjerrjes së vendimit të dytë të Asamblesë së Komunës, pronarët e “Progresit” kishin bërë ankesë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ministria fillimisht kishte vendosur në favor të pronarëve. Mirëpo, kishte reaguar komuna e Prizrenit me një shkresë përmes së cilës kishte kërkuar nga ministria që të rishqyrtohet vendimi. E pas kësaj, Ministria ndërroi mendjen dhe kësaj radhe vendosi në favor të komunës, duke e miratuar planin e ri urbanistik.

Komuna nuk ka pranuar të flas për arsyet konkrete të ndryshimeve të planit urbanistik. Ndërsa sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku, ka deklaruar se arsyeja pse janë nxjerrë dy vendime të ndryshme për planin urbanistik të qytetit, janë disa “gabime teknike” në dokumentacionin e komunës.  

Mirëpo pas këtyre dy vendimeve lënda ka shkuar në Gjykatën Supreme të Kosovës e cila ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë dhe të Komunës së Prizrenit për ndryshimin e planit urbanistik të qytetit – duke e kthyer gjendjen e tregut krejt në pikën e nisjes. 

“Në përputhje me nenin 65 të Ligjit për Konflikt Administrativ, kur gjykata e anulon aktin kundër të cilit ka filluar konflikti administrativ, gjendja kthehet në gjendjen në të cilën ishte para se të nxjerrë aktin e anuluar, prandaj organi i paditur duhet të vendosë sërish, duke pasur parasysh se nuk bëhet fjalë për gabim teknik vetëm për sa i përket anës së djathtë apo të majtë të rrugës, por se akti është nxjerrë, siç ka konstatuar vet paditësja, duke mos i respektuar rregullat e procedurës të parashikuara me Ligjin për Planifikim Hapësinorë, me numër 2003/14”, thuhet në vendimin e nxjerrë këtë vit.

Tenderët që financuesit e PDK-së i fituan në komunën e Prizrenit

Ndërkohë, edhe kompanitë e tjera që përmenden në këtë letër, që të gjitha janë nga Zhuri. 

Pronari i kompanisë “Daja Rrah” ka deklaruar shkurt se ai nuk ka marrë asnjë premtim konkret nga Muja gjatë fushatës për tenderë të komunës. 

As pronari i kompanisë “Renelual Tahiri”, që është përmendur si pjesëmarrëse në takime, po ashtu nuk ka dashur të flas në detaje. Ai ka deklaruar se i financon të gjitha partitë politike, e jo vetëm PDK-në dhe ka theksuar se nuk ka gisht në këtë letër.

Në bazë të dhënave online në faqen zyrtare të komunës së Prizrenit, Kompania “Daja Rrah” që nga viti 2009 ka fituar së paku 5 tenderë, atë për ndërtimin e kompleksit memorial “Shtjefën Gjeqovi”, në Zym të Prizrenit, në vlerë prej 63 mijë e 453 eurove, izolimin e çatisë mbi holl në objektin e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në vlerë prej 18,338.75 euro, rikonstruimin e shtëpisë së “Shaip Pashë Spahiut” në Prizren, në vlerë prej 112,920.55 euro, ndërtimin e Qendrës së Kulturës Sportive në fshatin Reqan të Prizrenit në vlerë prej 87.151.63 euro dhe ndërtimin e tre nënstacioneve për shërbime zjarrëfikje në Prizren në vlerë prej 166.679.28 euro, që në total i bie 448 543, 86 euro.

Kompania “Renelual Tahiri” ka fituar së paku 7 tenderë. Atë për ndërtim me elemente betoni të rrugës “Gucia 99” në Prizren në vlerë prej 14.199.98 eurove, tenderin për ndërtim me elemente betoni të rrugës në lagjen Omaj në fshatin Zhur në vlerë prej 31.739.29 eurosh, ndërtimin e rrugës me asfalt “Tahir Sinani” (lagje Bajram Curri – drejtimi Vlashnje) – loti i I në Prizren në vlerë prej 1.408.862,81 eurosh, ndërtimin me elemente betoni të rrugës në fshatin Landovicë  të Prizrenit në vlerë prej 79,929.20 eurove, ndërtimin e rrugës në fshatrat Hoqë e Qytetit – Poslishtë të Prizrenit në vlerë prej 55.045.80 eurosh, ndërtimin e rrugës në fshatin Lubizhdë të Hasit në vlerë prej 105.170.58  eurosh dhe tenderin ndërtimi me asfalt i rrugës në fshatin Leskovec të Prizrenit në vlerë prej 517.466.26 €. Në total i bie 2.212.413.92.

Kompania Ndërtimore “Vëllezërit e Bashkuar”

E kompania ndërtimore “Vëllezërit e Bashkuar”, sipas të dhënave në faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit ka fituar vetëm tre tenderë. Atë për ndërtimin me elemente betoni të rrugës në lagjen “Arbana” në Prizren në vlerë prej 15,406.00 erosh, tenderin për ndërtimin e rrugës dhe infrastrukturës “Xhevat Berisha” Prizren në vlerë prej 643.859.91 eurosh dhe tenderin për ndërtim me elemente betoni të rrugës “Faredin Hoti 4” në Prizren, në vlerë prej 10.377.00 eurosh. Totali i këtyre tenderëve është  669 642.91 euro.

Përfaqësuesi i kompanisë ndërtimore “Vëllezërit e Bashkuar”, Sefer Susuri, nuk e ka pasur problem të flas. Kompania e tij ka fituar së paku tre tenderë në komunën e Prizrenit. Susuri ka deklaruar se nga komuna e Prizrenit i ka marrë tenderët në të cilët ofertuesi ka qenë më i lirë e jo për shkak të ndonjë premtimi konkret, megjithëse e ka pranuar se Muja u kishte premtuar se do t’i favorizonte ata si vendas që i ka.

“Ka pasur premtime në kuptimin e mbështetjes morale, por nuk është folur për mbështetje financiare. Unë për vete nuk i kam marrë këto premtime se ai ka me na dhanë punë, por në kuptimin me na favorizu me kushte të barabarta”, është shprehur Susuri. 

Sipas Merita Mustafës, e cila e udhëheqë programin antikorrupsion në Institutin Demokratik të Kosovës, lidhja në mes të bizneseve dhe partive politike është aq e fortë sa është shumë e vështirë për tu shkëputur. Sipas Mustafës, partitë politike dhe bizneset i mbajnë shumë sekrete marrëdhëniet që i kanë në mes vete e nëse zbulohet ndonjëherë kjo lidhje, ajo vlerëson se do të merret vesh se si partitë politike i përfaqësojnë më shumë interesat e bizneseve se sa të qytetarëve.

Muja refuzon të përgjigjet

Kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, i ishin dërguar pyetje me e-mail, por ai nuk ka kthyer përgjigje. Po ashtu, edhe disa nga këshilltarët e tij dhe zëdhënësi i komunës janë kontaktuar por kanë thënë se nuk janë të autorizuar nga Kryetari për t’u përgjigjur në lidhje me këtë temë. 

Ramadan Muja

Muja ka pasur një muaj kohë të përgjigjet. 

Në fund të javës së parë të marsit ekipi ynë ka pasur mundësi t’i shtrojë pyetje drejtpërdrejt Ramadan Mujës pasi ai ishte hasur teksa drekonte në një restorant në Prizren, por ai sërish nuk ka pranuar të flasë. Për më shumë, Muja është kërcënuar se do t’ia thyej kamerat ekipit nëse nuk largohet.