Ish-Ortaku i Beqajt Përfiton Tender nga Ministria e Zhvillimit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj, do të udhëtojë jashtë vendit përmes agjencisë turistike MCM pronë e Milazim Zeqirajt, një ish-ortak i tij nga fusha e biznesit. 

MZHE-ja ka kontraktuar gjatë këtij muaji kompaninë e Zeqirajt për të ofruar shërbime të udhëtimet me aeroplanë për zyrtarët e saj kur ata të vizitojnë vendet tjera.  

Beqaj e Zeqiraj kishin aksione në një kompani të përbashkët të quajtur “Koing”, që kishte për aktivitet kryesor ndërtimin e ulët dhe të lartë. 

Për MZHE-në kjo nuk përben kurrfarë shkeljesh pasi, siç thotë ajo, Zyra e Prokurimit vendos për tenderët e jo ministri Beqaj. 

“Ministri Beqaj aktualisht nuk ka asnjë kompani në të cilën është bashkëpronar edhe pronari i MCM-së” Gëzim Baxhaku

“Ministri Beqaj aktualisht nuk ka asnjë kompani në të cilën është bashkëpronar edhe pronari i MCM-së. Ju propozojmë që nëse dyshoni për konflikt të mundshëm interesi t’i drejtoheni Agjencisë së Kosovës Kundër Korrupsion”, ka thënë Gëzim Baxhaku, këshilltar për media i ministrit Beqaj, për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Ndryshe e vlerëson këtë situatë Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit. 

“Ne vendosëm që të fillojmë hetimin e këtij rasti dhe nuk do ta trajtojmë vetëm si konflikt të mundshëm të interesi” Hasan Preteni 

Hasan Preteni, drejtor i kësaj agjencie, thotë se kjo nuk duhet të trajtohet vetëm si rast i konfliktit të interesit. 

“Ne vendosëm që të fillojmë hetimin e këtij rasti dhe nuk do ta trajtojmë vetëm si konflikt të mundshëm të interesit por do të fillojmë me hetimin paraprak – që do të thotë se nëse arrijmë të sigurojmë provat e nevojshme, ne rastin do ta përcjellim në Prokurori”, ka thënë Preteni për Gazetën JnK.

MZHE eliminon konkurrentët e MCM-it 

Zyra e Prokurimit e MZHE-së më 30 dhjetor 2011, në tenderin për furnizim me bileta udhëtimi me aeroplanë, ka shpallur fituese kompanitë Veneta Travel, Altavia Travel si dhe kompaninë MCM. 

Ky aktivitet i prokurimit ishte anuluar më 13 shkurt 2012 pasi, sipas MZHE-së, operatorët ekonomikë që janë shpallur fitues nuk kanë sqaruar ofertat e tyre me çmimin më të lirë. 

“Më datën 15.02.2012 është shpallur për herë të dytë i njëjti tender. Pas procedurave ligjore fitues është shpallur AT MCM e cila kishte çmimin më të lirë”, ka thënë Baxhaku. 

Më 6 mars kjo ministri ka publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) njoftimin për dhënie të kontratës për këtë tender. Nënshkrimi i kontratës sipas këtij njoftimi ishte planifikuar më 16 mars të këtij viti.

“Shuma e përafërt e kontratës duke u bazuar në shpenzimet e vitit paraprak është 15.000 – 20.000 euro dhe lartësia e saj varet nga numri i udhëtimeve”, ka thënë Baxhaku. 

Përzgjedhja e kompanisë MCM, sipas Baxhakut, është bërë në bazë të kushteve të ofruara për kontratë e jo në bazë të ndikimeve tjera. 

“Ndryshe duhet theksuar se kompania fituese ishte kontraktore për sigurimin e biletave të aeroplanit edhe në kohën e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, para ardhjes së ministrit Beqaj në krye të MZHE-së”, ka thënë Baxhaku. 

Zyrtarët e kompanisë MCM nuk kanë dhënë përgjigje rreth tenderit të fituar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Sali Mehana, drejtor financiar në MCM dhe person kontaktues i kësaj kompanie në Njoftimin për Dhënie Kontrate të këtij tenderi, ka deklaruar se një përgjigje për këtë çështje mund të kthejë vetëm pronari i kompanisë 

Milazim Zeqiraj, pronar i MCM | Foto: www.mcm.travel

 

“Unë e kam njoftuar pronarin e kompanisë për këtë çështje. Ai mund të kthejë përgjigje rreth këtij tenderi”, ka thënë Mehana. Ndërkohë Zeqiraj, pronar i MCM-it, nuk ka dhënë një përgjigje edhe pse është njoftuar paraprakisht përmes vartësve të tij rreth kësaj teme. 

As zyrtarë të kompanisë Altavia Travel që kanë konkurruar në këtë tender nuk kanë dhënë një përgjigje rreth këtij aktiviteti të prokurimit. 

Ndërkohë Ilaz Beqiri, pronari i “Veneta Travel”, që konkurroi në këtë tender, e vlerëson si kurdisje të MZHE-së përzgjedhjen e MCM-së për ofrimin e shërbimeve të udhëtimit me aeroplanë.

“Ne jemi shpallur fitues në tenderin e parë i cili është anuluar dhe është hapur tenderi i dytë me kritere të reja që janë diskriminuese për kompanitë” Iljaz Beqiri 

“Ne jemi shpallur fitues në tenderin e parë. Tenderi është anuluar dhe është hapur tenderi i dytë ku MZHE-ja ka qitur kritere të reja në dosjen e tenderit që janë diskriminuese për kompanitë”, ka thënë Beqiri. 

MZHE-ja, sipas tij, ka parashtruar si kriter që kompania të jetë përfaqësuese në Kosovë e një aviokompanie. Kjo kërkesë, sipas tij, nuk ishte në dosjen e tenderit të parë. 

“Veneta Travel dhe kompani tjera në Kosovë janë pjesë e IATA-s që është një organizatë që menaxhon marrëdhëniet mes avio-kompanive dhe agjentëve të shitjes së biletave. Kur je pjesë e kësaj organizate nuk ke nevojë të jesh përfaqësuese e një aviokompanie. Problemi qëndron në atë se MCM është përfaqësues i një avio-kompanie dhe kjo kërkesë ka dalë si ide e tyre për t’i rrëzuar kompanitë tjera”, ka deklaruar Beqiri. 

Anëtarët e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (IATA) sipas tij janë të barabartë pa marrë parasysh a e përfaqësojnë ose jo një aviokompani në një vend. 

“Veneta Travel”, ka thënë Beqiri, kishte ofruar çmimin më të ulët në tenderin e parë duke kërkuar 77 centë fitim për biletë. Altavia Travel sipas tij kishte ofruar 2 euro e 48 centë ndërsa MCM kishte kërkuar 6 euro për biletë. 

Në tenderin e dytë MCM ka kërkuar shumëfish më pak. Nga 6 euro sa kishte kërkuar herën e parë, sipas tij, në tenderin e dytë MCM ka kërkuar 10 centë fitim në një biletë.

“Dyshoj se këtu ka manipulime. Dikush i ka treguar se si të ofertojë për të fituar e për t’i eliminuar të tjerët në tenderin e dytë”, ka deklaruar Beqiri. 

Ortakëria e Beqajt me Zeqirajn 

Më 11 maj të vitit 2009, një grup afaristësh kishin regjistruar në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë (MTI) kompaninë “Koing”.  Ndërtimi i lartë dhe ndërtimi i ulët ishte aktiviteti kryesor i kësaj kompanie ku hisedarë ishin Besim Beqaj, tash ministër i Zhvillimit Ekonomik, Milazim Zeqiraj pronar i MCM, Ekrem Lluka pronar i “Dukagjinit”, Xhevat Jusufi pronar i kompanisë “Buqaj” si dhe Fatmir Krasniqi. 

Person i autorizuar në certifikatën e biznesit figuronte Leonita Shabani e cila tash mban pozitën e këshilltares së ministrit Beqaj. 

Beqaj në këtë ortakëri ishte futur gjatë kohës sa ishte kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK). 

Asnjëri nga grupi nuk ishte kryeaksionar por secili nga të pestit kishte hise nga 20 për qind. 

Ministri Beqaj më herët kishte deklaruar se kompania nuk kishte pasur afarizëm ekonomik dhe ishte mbyllur me t’u emëruar në pozitën e Ministrit për Integrime Evropiane në fillim të vitit 2010. 

Veç këtij biznesi, Beqaj, para se të jepte dorëheqje nga aksionet me kërkesë të Agjencisë Kundër Korrupsion, kishte hise edhe në Element Kosovo Technology Investment ku ishte në ortakëri me “Canter Technology Investments Limited”, një kompani që kishte për aktivitet biznesi fushën e arsimit. Një biznes tjetër nga e njëjta fushë ishte edhe Cambridge School në Pejë ku ministri Beqaj ishte kryetar i bordit drejtues. 

Afaristi tjetër Milazim Zeqiraj përveç që ka në pronësi MCM Group është aksionar në NLB Prishtina e kompaninë e sigurimeve “Sigkos”. Bazuar në shënimet në uebfaqen e MCM Group, biznesmeni Zeqiraj ka në pronësi edhe hidrocentralin “Burimi” në Istog si dhe ka pasuri të patundshme në emër të tij si ndërtesat e fabrikave “Fateks”, “Eximkos”, “Tregtia e Kosovës” si dhe “Remont”.