Apologjia e Serbisë

Kur ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder në 60 vjetorin e pushtimit të Normandisë, në vitin 2004, qëndronte pranë krerëve të shtetit dikur kundërshtar i Gjermanisë, Francës, e festonte këtë ditë si dita e çlirimit të Gjermanisë nga fashizmi. 

Gazeta frënge, e cila shfaqi fotot e udhëheqësve francezë e gjermanë të përqafuar, e shpalli atë si “ditën e fundit të Luftës së Dytë Botërore.”

Ndonëse Kosova dhe Serbia kanë të tjera faqe historie, Serbia, po të donte, do të mund të merrte pak shembull nga Gjermania. Liderët politik kosovarë e serbë nuk është se nuk janë përqafuar për pushtet e për stabilitet, por dita e fundit e luftës së serbëve ndaj kosovarëve, zor se do të arrijë. Pas historisë së gjatë të lakmisë, e pas luftrave që ndërronin emër e fytyrë deri te mizoria e luftës së 16 vjetëve më parë në Kosovë, politika serbe është ushqyer njëjtë.

Gatishmëria për të pranuar krimet e së shkuarës sinjalizon synimet paqësore të politikës së jashtme, por keqardhja zyrtare e Serbisë për agresionin dhe mizorinë e ushtruar në Kosovë, nuk është as e pakët as e vonë, sepse s’është fare. 

Gatishmëria për të pranuar krimet tregon angazhimin e shtetit për të drejtat e njeriut dhe përcjell respektin për vuajtjet e tjetrit. Serbia zyrtare, deri më tash, nuk ka treguar as gatishmërinë, as respektin, e larg qoftë ndershmërinë.

Në anën kosovare ndërkaq, kujtesa kolektive është e gjallë. Adoleshenca e Jabllanoviqit mund të mos ketë qenë torturuese dhe e hidhur siç qe adoleshelca e bashkëmoshatarëve të tij kosovarë. Mosha e rritur dhe çdokush që e ka kaluar moshën të cilën e pati ministri në luftën e 99-tës, e ka në memorie një episodë lufte, një ikje, një tmerr, një vrasje apo një tragjedi familjare. 

Nuk është i çuditshëm as leksiku i tij dhe emërtimi i familjarëve të viktimave- egërsira, sepse është leksiku i politikës radikale e nacionaliste serbe. 

Aktivistë, liderë politik, organizata e studiuesë argumentojnë se për pajtim, Serbia ka nevojë të nxjerrë një falje të qartë dhe të paguajë dëmshpërblimin për viktimat e saj. Por arti i politikës nuk është arti i kinemasë që çmonton dhe monton pjesët e realitetit, ndonëse kjo mjeshtri i shkon më së miri Serbisë, që po këto rregulla artistike ndjek, dhe nxjerr në pah detajet dhe reliktet historike për ta përshtatur lojën e vet politike.

Çizmja e Milloheviqit ka ndërruar formë e model, siç ka humbur edhe fuqinë e 26 vjetëve më parë, kur diktatori i fundit në Ballkan, në fushën e Mëllenjave, premtonte se do ta shkilte Kosovën. 

Të tjera çizme kanë ardhë, me tjera synime e tjetër dikurs, e gjithsesi me tjetër fuqi, por djepi i tyre, siç u pëlqejnë ta quajnë këtë tokë, ka mbetur këtu. Liderët politik serbë mund të mos jenë më totalitaristët ideologjik të maskuar me nacionalizëm, ata mund të jenë demokratët nacionalistë që predikojnë ‘shenjtërinë’ dhe frymëzimin serb, pushtetin mbi gjithçka, edhe pa i larë hesapet me të shkuarën. 

Dhe kjo, nuk i bën më pak tiranë. Lojë çizmesh e lojë goje që vie erë.

Tiranët e vdekur dhe gjeneralët e gjallë 

Dy vjet më parë ultra-nacionalisti, president i Serbisë, Tomislav Nikoliq, pati kërkuar falje për krimet e kryera në Srebrenicë. Ai kërkoi falje për të gjitha krimet që ndonjë individ kish bërë në emër të serbëve e të Serbisë. Boshnjakët ia bën me dije që ta rishikojë leksikun dhe të ketë guxim që në kërkim-faljen e tij të pranonte se në Srebrenicë qe kryer gjenocid.

Bota vazhdimisht ka bërë thirrje për apologjinë e luftërave të tmerrshme. Por tiranët e vdekur dhe gjeneralët e gjallë rrallë kanë qenë të shkrirë e të aftë të pranojnë pendimin e respektin për tjetrin. 

Është sfidë ndaj kohës e pajtimit, që vizat ndarëse të mos thellohen e që duhma e epokave të mos kthehet. Po kohëra shumfishe janë vendosur e shtresëzuar në Ballkan. Epitetin e tokës së gjakut Ballkani nuk e ka marrë kot, prandaj ai mbetet sfinksi që buzqeshë me ironi. Fqinjtë dyshojnë në fqinjtë, siç kanë dyshuar gjithmonë. Dyshimi sot, vjen kryekëput nga mosgatishmëria e fqinjit tjetër të pranojë krimin e tij. 

Mohimi i historisë- të vërtetat e ndryshme

Marrëdhëniet e ftohta në Ballkan qëndrojnë në kontrast të plotë me shkrirjen në Evropën Perëndimore. Gjermanët për shembull, kanë shpenzuar dekada në përballjen dhe përpjekjen për shlyerjen e krimeve të epokës naziste. Gjermania sot është lider në diplomaci. 

Pranë kësaj fuqie, Bundestagut gjerman, rri memoriali i varreve hebreje. Për të mos harruar tmerrin dhe mizorinë e historisë. 

Gjermania Perëndimore në mes të viteve 1960-të nisi ndërtimin e muzeve dhe memorialeve për viktimat e tmerreve gjermane; në tekstet shkollore nisi t’u mësojë gjeneratave të reja të vërtetën e historisë, ndërkaq udhëheqësit e kërkuan vazhdimisht faljen për gjithë viktimat, por këtë e bën me përulësi dhe pranimin e të gjitha fajeve.  Studiuesve gjermanë e francezë i janë dashur vite punë për të arritur në përpilimin e shkrimit të një historie të njëjtë për të vërtetat mes dy shteteve.

Por, Serbia nuk është Gjermani. Në vend të kërkim-faljes për viktimat, liderët politik serbë i vrasin edhe një herë ato. Aktivistët, media e shoqëria cilivile serbe ka lëvizur pak në këtë vijë. Të rinjtë serbë janë të hutuar e gati në padijeni të plotë për atë që ka ndodhur në Kosovë 16 vjet më parë. Të vërtetën nuk ua mëson as shkolla, as media, as politika. Mohimi dhe thirrjet revizioniste vazhdojnë, ndërkaq dita e fundit e luftës Serbi-Kosovë kushedi kur do të vijë. Skeptikë, në fund të fundit, janë të gjithë. 

Historikisht, shtetet që kanë kërkuar mobilizimin e popullatës për luftë kanë hartuar tregime nacionaliste të së kaluarës. Kanë theksuar dhunën paraprake të kundërshtarëve të tyre për t’i justifikuar veprimet. 

Nëse lufta ka mbaruar, tregimet nacionaliste serbe rrojnë në mesin e të gjithëve. Në një mjedis ku vjen erë varfërie e qymyri këto tregime duken të traumatizuara e të mërzitshme, por gjithsesi torturuese. “Vrit gjithçka, digj gjithçka, zhduk gjithçka!”, nuk ka marrë asnjëherë faljen e viktimave të veta. 

Koha për keqardhjen e sinqertë e të thellë duket e zorshme të vijë. Retorika serbe do të duhej ta torturojë veten me një “change” dhe “exchange” horizontal e vertikal në vend se të mbetet një karikaturë e shpifur.