Dy ngjarje nën një llupë

1.

Teksa po shfletoja të dhënat e fundit zyrtare mbi treguesit kryesorë ekonomikë në vend, po përpiqesha t’i jepja vetes një shpjegim racional mbi ngjarjet e fundit.

Çfarë kishte të përbashkët mes shfaqjes së fundit të dhunës në rrugët e Prishtinës dhe protestave të vitit 2004?

Përgjigja nuk është gjithaq intuitive.

Si në 2004, ashtu edhe në 2015, dhuna paraqet një sinjal të qartë të shpërbërjes së modelit që udhërrëfen mënyrën e organizimit ekonomik në vend. 

Në të dyja rastet, dhuna ngjau teksa vendi po përpiqej t’i përshtatej sforcërisht një rendi të ri të brendshëm ekonomik.

Elementeve përbërëse të modelit ekonomik kosovar – shpenzimeve publike, dërgesave nga diaspora, dhe donacioneve të huaja – u ka skaduar fuqia shtytëse.

Si pasojë, Kosova ka hyrë në tokën e askujt, pa një alternativë adekuate ekonomike për absorbimin e mllefit shpërthyes shoqëror.

Ç’është epilogu i këtij hipotetizimi?

Karakteri sporadik i riparaqitjes së dhunës – ç’prej çlirimit e tutje – ka rezultuar sa herë që vendi është detyruar ta braktis rendin e vjetër në kërkim të një rendi të ri ekonomik.

2.

Atëbotë, në 2004, shumëkush ishte gjetur i befasuar më valën e shpërthimit të përnjëhershëm të dhunës përgjatë gjithë vendit.

Stabiliteti politik ishte lëkundur seriozisht nga përhapja e rrufeshme e trazirave pa ndonjë paralajmërim.

Por, histeria publike që përcolli asokohe përpjekjen e arsyetimit të atyre ngjarjeve fare pak ishte përqëndruar në zbërthimin e shkaqeve ekonomike që çuan në shpërthimin e dhunës.

Interpretimi konvencional që i’u bë shtytësve të atyre ngjarjeve u mjaftua me vënien e theksit mbi pakënaqësitë që rridhnin nga mossqarimi i statusit politik të vendit.

Por, kishte një të vërtetë tjetërfare – ekonomike – e cila linte fare pak dilemë që Kosova atëbotë kishte rrëshqitur – zyrtarisht – në reçension ekonomik.

Në 2004, protestave të dhunshme u kishte paraprirë reçensioni dhe deflacioni.

Ekonomia e vendit po tkurrej në raport me vitet paraprake, ndërkaq niveli i çmimeve po binte.

3.

Arsyjet e këtij prapakthimi kishin të bënin me shthurrjen e arkitekturës ekonomike të instaluar në periudhën e menjëhereshme të pasçlirimit.

Themelet e kësaj arkitekture – donacionet ndërkombëtare dhe sektori i patundshmërive – ishin lëkundur seriozisht.

Vëllimi i donacioneve të huaja ishte ulur ndjeshëm në favor të vatrave të reja të krizave në botë.

Ndërkaq, procesi emergjent i rindërtimit të pronave të shkatërruara gjatë luftës kishte marrë fund dhe sektori i palujtshmërive nuk mbante dot më inercionin ekonomik.

Kësisoj, Kosova po hynte në një terren të panjohur ekonomik; atë të nevojës së rimendimit të rendit të saj të brendshëm ekonomik, në kërkim të burimeve të reja të rritjes.

Nevoja organike e ekonomisë për një trancizion adekuat paraqiste kontekstin në të cilin ishte krijuar një ambient i përshtatshëm për shprehjen e dhunshme të pakënaqësisë shoqërore.

Por, atëbotë, ky model i shpenzuar ekonomik u la i pandryshuar.

Pakënaqësia shoqërore u menaxhua kryesisht me mjete politike, duke lanësuar kështu procesin e zgjidhjes së statusit politik të vendit me vlerësimin politik nga Kai Aide.

4.

Siç ishte me 2004, ashtu edhe sot, preteksti fillestar për eskalimin e protestave të janarit në dhunë është fare anësor karshi kontekstit i cili përbën shtytësin kryesor.

As mbytja tragjike e tre fëmijëve kosovarë në lumin Ibër në 2004, dhe as Trepça sot, apo Jabllanoviqi dje, nuk përbëjnë shkakun e vërtetë për shfaqjen e dhunës në rrugë.

Por, a qëndron tërheqja e paraleles me vitin 2004?

Them se po.

Të paktën në një aspekt. 

E përbashkëta e këtyre dy ngjarjeve ishte shpërberja e premisave që përbënin thelbin e sistemit ekonomik në të dyja kohërat.

Në 2004, siç u tha, rënia e konsiderueshme e ndihmave ndërkombëtare dhe tkurrja e pritur e sektorit të ndërtimit mjaftuan për zhytjen e Kosovës në reçension ekonomik.

Ky reçension – si dhe ulja e çmimeve që pasoi – përbënte kontekstin në kuadër të së cilit qe prodhuar dhuna e atij viti.

Ndërkaq, pas shpalljes së pavarësisë, qeveria e re kishte trashëguar një arkë të konsiderueshme suficiti të pashpenzuar nga vitet paraprake.

Ky suficit i shërbeu kastës së re pushtetare për mbivendosjen e një shtylle të re në strukturën e shterrur zhvillimore, duke ushqyer rritjen ekonomike karshi krizës globale.

Kësisoj, pushtetarët e rinj arritën të prodhonin përceptimin e përkohshëm të rigjallërimit ekonomik, sidomos përmes investimeve të hovshme në infrastrukturën fizike.

Por, sot, ne kemi një situatë krejtësisht të re.

Hapësira fiskale, e tillë çfarë ekzistoi përkohësisht, nuk është më.

Në fakt, ajo u tret nga një logjikë e përqëndrimit të resurseve publike në një kuadër të kufizuar të projekteve kapitale infrastrukturore.

Thjeshtë, arka e shtetit, në formën aktuale në të cilën është, ka arritur kufirin si një përbërës qenësor i arkitekturës së deritanishme të rritjes ekonomike.

Ndërkaq, norma e rritjes së dërgesave nga diaspora – si premisa e dytë e modelit tonë ekonomik – është zvogëluar dukshëm.
 
Norma mesatare e rritjes së nivelit të remitencave për periudhën 2005-2009 ishte 11%, por ajo është ulur në vetëm 2% rritje mesatare për periudhën 2010-2013.

Kjo rënie ka ngjarë pjesërisht për faktin e thjeshtë të gjendjes ngecëse dhe deflacionare në vendet e Bashkimit Evropian.

Politikat shtrenguese fiskale në BE kanë kurthuar unionin në një periudhë e cila mund t’i gjasojë stagnimit dhe deflacionit të gjatë japonez.

Ky kontekst përbën një shqetësim serioz mbi mënyrën se si kjo situatë në BE po lëndon seriozisht varshmërinë akute të Kosovës ndaj remitencave nga vendet evropiane.

5.

Në të dyja periudhat, shthurja e shtyllave kryesore të sistemit ekonomik kishte prodhuar ulje të konsiderueshme të nivelit të çmimeve.

Në vitin 2004, norma e rritjes së çmimeve në Kosovë ishte negative – apo deflacionare.

Në janar te vitit 2015 – muaji i protestave dhe eskalimit te migrimit – vendi regjistroi rritje negative të çmimeve me normën -0.6% në krahasim me muajin e njejtë të vitit të kaluar.

Ndërkaq, në vitin 2014 niveli i inflacionit ishte krejtësisht anemik, me normë rritjeje prej vetëm 0.4%. 

Rëndom, niveli i çmimeve i imponohet Kosovës kryesisht nga dinamika e inflacionit në vendet e eurozonës, duke qenë një ekonomi thellësisht importuese.

Kjo rënie mund të jetë ndikuar poashtu, pjesërisht, nga ulja e kostos së derivateve, edhe pse ajo u shfaq në Kosovë me vonesë shkaku i sjelljeve karteliste në tregun e karburanteve.

Por, deflacioni përgjithësisht ka, poashtu, karakter të brendshëm.

Ai paraqet shenjë të stagnimit vendor, posaçërisht në raport me tretjen e shtyllave të deritanishme të strukturës sonë ekonomike.

Rreziku që i kanoset vendit nga prezenca e shenjave të deflacionit ka të bëjë me faktin që ajo – historikisht – paraqet spirale të përshkallëzimit të stagnimit.

Ulja e çmimeve dekurajon prirjet afariste dhe shkakton nevojën e uljës së kostos së prodhimit – shpeshherë përmes largimit të punëtorëve.

Deflacioni është poashtu penalizues ndaj kapitalit industrial; ulja e çmimeve bën kthimin e kredive bankare nga industrialistët më të kushtueshëm në terma realë.

6.

Mbase, për shumëkë, një konstatim i këtillë teknokratik – i ndërlidhjes së pazakontë mes deflacionit dhe shpërthimeve të dhunshme sociale – mund të jetë qesharak.

Zatën, pakkush do të përpiqej të maste nivelin e çmimeve për të qenë më kuptimplotë në përpjekjen e racionalimit të shfaqjes së dhunës.

Por, ndonëse e pamjaftueshme të pohohet me rigorozitet statistikor, është intriguese që materializimi i dhunës në të dyja rastet përkoi me rritje negative të çmimeve.
.

7.

Kryeministri i ri ballafaqohet me një situatë që kërkon adresimin e gjithë moskokëçarjes institucionale ndaj zhvillimit ç’prej pasluftës.

Kjo situatë nuk mund të ndryshojë brenda natës.

Rimendimit dhe gjetjes së burimeve të reja të qëndrueshme ekonomike do t’i duhet kohë.

Por, përkundër sfidave, Kosovës i nevojiten veprime emergjente.

Vendi duhet ta evitojë ngatërrimin e tij në iluzionin e shpërblimit nga implementimi i reformave të thella strukturore.

Ato duan kohë, ndërkaq publiku i gjerë nuk e ka atë.

Masat emergjente janë një strategji e ndërmjetme e ndërtimit të urave që rikthejnë shpresën e humbur.

Tre hapa emergjentë më sillen në kokë.

E para, Qeveria duhet ta shpallë publikisht papunësinë një emergjencë kombëtare dhe ta krijojë Fondin Emergjent për Punësim.

Ky fond do t’i kishte si cak të papunët afatgjatë, duke ua ngritur punësueshmërinë në treg përmes angazhimit në sektorin privat.

Ky grup është më i priruri për manifestime të dhunshme.

E dyta, Qeveria duhet ta fuqizojë Skemën për Garantimin e Kredive, duke u’a lehtësuar qasjen në financa bizneseve të përjashtuara nga tregu i kapitalit.

Është e qartë: bizneset në Kosove mbesin impotente në krijimin e vendeve të reja të punës.

Në fakt, sipërmarrja në vend ka një logjikë tjetërfare nga ajo çfarë rëndom ndodh në vende jashtë tranzicioneve të egra. 

Afarizmi në Kosovë buron – në masë të madhe – nga skamja, dhe jo nga instinkti biznesor.

Rreth gjysma e sipërmarrëseve kosovarë raportojnë të kenë qenë të papunë para hapjes së biznesit të tyre të parë.

E treta, izolimi i afaristëve nga tregjet evropiane rrjedh në masë të madhe nga kostoja e konsiderueshme e përmbushjës së standardeve të BE-së për cilësi të produkteve.

Përmbushja e këtyre standardeve nga shtresat e gjera të biznesit kosovar paraqet një të “mirë publike”, e cila kësisoj arsyeton përfshirjen proaktive të Qeverisë.

Materializimi faktik i hapjes tregtare ndaj Evropës duhet të jetë një objektivë kombëtare e vendit.

Ndonëse liberalizimi i vizave ka rëndësi të madhe për qytetarët e vetëm të izoluar evropian, fuqizimi i kapaciteteve të biznesit për konvergjim me standardet e BE-së për cilësi të produkteve është akoma më jetik.

Kostoja financiare e masave të tilla emergjente është më e ulët se ç’mund të jetë nga pasojat që do rridhnin shkaku i humbjes kolektive të shpresës.