Kosova, Kjo Humbëse e Madhe

1.

Ekonomia e Kosovës është e ngatërruar në një grackë zhvillimore, e cila qëndron e thurrur përmes riprodhimit të vazhdueshëm të ngecjes ekonomike. 

Është ky një mall që nuk ta do askush në botë – ai nuk eksportohet.

Por, për ekonomistët e zhvillimit, është e qenësishme të kuptuarit e arsyejeve që çojnë në riprodhimin e kësaj ngecjeje. 

Tentimet për ta arsyetuar atë sipas këndvështrimit historik të prapambeturisë së trashëguar nuk ofrojnë ndonjë shtegdalje pragmatike. 

Në fakt, sipas ekonomisë zhvillimore, është pikërisht hendeku zhvillimor i vendeve të varfra, ai i cili i bën ato të kenë normë potencialisht më të vrullshme të rritjes ekonomike. 

Por, çfarë ka që nuk shkon?

Mekanizmi i cili riprodhon ngecjen në Kosovë nuk është rezultat i luhatjeve të pritshme të ciklit biznesor dhe as i mungesës së potencialit zhvillimor. 

E vërteta është që struktura ekonomike në Kosovë, nga paslufta e tutje, është qëndisur asisoj, ku ngecja rezulton si prodhim krejtësisht organik, dhe i zakontë, i saj. 

2.

Ngrirja e ekonomisë së vendit në një grackë të zhvillimit, prodhon procese kokëfortësisht të ngurta ekonomike – të ardhura të ulëta, papunësi të lartë, varfëri ekstreme dhe aktivitet anemik biznesi.

Riprodhimi i ngecjes përkundër prezencës së burimeve të shumta zhvillimore, paraqet një paradoks të dy realiteteve paralele, të cilët bashkëjetojnë me njëri-tjetrin. 

Ta zëmë, përkundër pranisë së mjaftueshme të burimeve siç janë kursimet e kosovarëve, financimi i aktivitetit biznesor mbetet i shtrenjtë dhe biznesbërja anemike. 

Ngjashëm, industri e shërbime të tëra potenciale mbeten të paqena, edhe pse ato do të mund të ngriheshin duke eksploatuar me sukses fuqinë e papunë kosovare. 

Për t’u riprodhuar, kjo ngecje kërkon karburant. Shtytësit kryesorë të saj janë kapitali i shtrenjtë, kuadrot e pashkathëta punëtore, sistemi energjetik i paralizuar, si dhe ligjvënia e deformuar. 

Është e rëndësishme që ne t’i cilësojmë këta shtytës si “ngushtica të zhvillimit”.

Për t’i aktivizuar më vrullshëm burimet tona të zhvillimit, ne duhet fillimisht ta çlirojmë vendin nga këto ngushtica. 

3.

“Sapo e mësova macen të mos ushqehet, më ngordhi”. Sipas kësaj logjike, ne kemi ndërtuar funksionimin e ekonomisë së vendit që nga paslufta e tutje.

Veprimet kozmetike nga qeveritë e pasluftës drejt zhvillimit ekonomik, janë veçse një ambalazh  prapa të cilit fshihet një tendencë e grumbulluar e injorimit sistematik.

Më shqetësuesja mbetet moskokëçarja për t’i çliruar arteriet kryesore për furnizimin e vendit me ato çfarë unë do t’i quaja “resurset stukturore” për zhvillim – paranë, dijen, energjinë dhe ligjin.

Arteria financiare është tërësisht e hendikepuar për lubrifikimin e mjaftueshëm të ekonomisë me kapital të lirë. 

Arteria energjetike është e zhytur në krizë të thellë, duke mos ofruar karburant të bollshëm për rritje ekonomike të përshpejtuar.

Arteria arsimore nuk prodhon kuadro punëtoresh të shkathët sipas nevojave bashkëkohore për ngritjen e ekonomisë së shekullit të ri.

Ndërkaq, arteria ligjvënëse mbetet krejtësisht e deformuar për të ofruar siguri pronësore, si dhe zgjidhjen e shpejtë të kontesteve ligjore. 

E thënë troç, Kosova nuk ka para, nuk ka dije, nuk ka energji dhe nuk ka ligj.

4. 

Se si ngecja ekonomike është e riprodhueshme, shembulli në vazhdim është një ilustrim i mirë.

Çdo biznes – si dhe ekonomia në përgjithësi – ka një kapacitet optimal te zhvillimit, i cili është potencialisht i arritshëm, varësisht nga eksploatimi efiçient dhe i mjaftueshëm i resurseve. 

Por, tregu vetvetiu ka kapacitet të prodhojë situata ku sjellja individuale e bizneseve, e ngritur në nivel tregu, mund ta dëmtojë arritjen e potencialit të plotë zhvillimor. 

Ta zëmë, nga droja e rrjedhjes së punonjësve te konkurrentët e tyre në treg, bizneset shpeshherë hezitojnë të ngrejnë investimet për përmirësimin e kapitalit të tyre njerëzor. 

Ndonëse kjo sjellje mund të shihet si racionale nga këndvështrimi individual i sipërmarrjes, pasojat në nivel të shoqërisë janë të dëmshme. 

Kur kjo logjikë individuale replikohet gjerësisht nga tërë akterët privatë në treg, ai shndërrohet në problem sistemik për tërë ekonominë – atë të mungesës kolektive të fuqisë më të shkathët punëtore. 

Kësisoj, oferta e kufizuar e punonjësve të shkathët në treg shtrenjton angazhimin e tyre, duke rritur koston për bizneset dhe çimentuar tutje ngecjen biznesore.

5. 

Ajo çfarë do të mund të thuhej për sektorin e biznesit në Kosovë është që aktiviteti i tij për mbijetesë mbase mund të quhet “ekonomi”, por jo edhe “Ekonomi”. 

Ky sektor është kryesisht i dominuar nga bizneset e vogla, me fuqi punëtore të paspecializuar, kryesisht e rekrutuar nga gjiret familjare, me aktivitete kryesisht merkantiliste (blejrje e lirë, shitje e shtrenjtë) dhe pa ndonjë vlerë të shtuar.

Kjo strukturë biznesi është shtrat i përshtatshëm për riprodhim e ngecjes, ku profiti mbetet në margjina të papërfillshme, duke pamundësuar financimin e inovacionit dhe rritjes.

Është e rëndësishme të thuhet: profiti është instrumenti më efektiv për transformimin dhe modernizimin ekonomik, por edhe socio-kulturor të Kosovës. 

I ftoj të gjithë ata që e shohin këtë pretendim si thellësisht reduksionist, të sugjerojnë ndonjë alternativë historikisht të bazuar që mund të shpjegojë ndryshe transformimin e vendeve të varfra.

Përpjekja për ngritjen e profitit për shtresat e gjera të biznesit– pra, të pakoncentruar vetëm në disa ndërmarrje, apo disa sektorë – rikthen vëmendjen te ngushticat zhvillimore që e minojnë atë.

Heqja e tyre duhet parë si vija e parë e frontit, e betejës sonë të mundimshme, për t’u larguar nga struktura agraro-feudaliste në vend.

Ne duhet të gjejmë arsyet institucionale dhe ekonomike përse profiti në pjesën më të madhe të sektorit të biznesit në Kosovë mbetet i ulët. 

Sipas ekonomistit, Dani Rodrik, vet rritja ekonomike e një vendi mund të matet përmes aftësisë së sektorit privat për të akumuluar asetet e tij private – shtytës i të cilave është vetë profiti.

Akumulimi i këtyre aseteve varet përgjithësisht nga tre faktorë kyçë: e para, kostoja e financimit dhe kapitali i shtrenjtë ulin aftësinë akumuluese.

E dyta, mosqasja me shkathtësi të duhura në treg të punës, mungesa e infrastrukturës publike, si mungesa e institucioneve të inovacionit e teknologjisë, ulin kthimin e investimeve për bizneset.

E treta, faktorët institucionalë, siç janë: korrupsioni apo mossforcimi i të drejtave pronësore, apo faktorët ekonomikë, siç janë brishtësia makroekonomike apo tatimet e larta, ulin profitabilitetin për bizneset.

6.

Ngushtica financiare në Kosovë është tejet evidente. Sasia e kredive si përqindje e tërë aktivitetit ekonomik në vend mbetet rreth 20% përgjatë 5 vjetëve të fundit. Në Serbi kjo përqindje është 56%, në Slloveni 94%, ndërkaq në një vend të OECD-së – Britani – 215%.

Kjo është një shifër mjaft domethënëse: sektori privat nuk është lokomotivë e zhvillimit dhe akumulimi i aseteve të tij mbetet i ngrirë dhe ndikohet dukshëm nga kapitali i shtrenjtë.

Fakti që Kosova ka normën më të ulët të kredive të këqija në rajon lë të nënkuptohet që bankat kanë mekanizëm efektiv të filtrimit të huamarrësve të rrezikshëm, gjë që sfidon seriozisht argumentin që kamatat e larta reflektojnë rrezikun e lartë nga problemet e sforcimit të kontratave. 

E dyta, vendi është i destinuar të përfundojë në humnerë energjetike në mungesë të kapaciteteve të reja gjeneruese. Efekti në biznesbërje është thellësisht negativ: sipas USAID-it, mbi 260 milionë euro ishin humbjet për bizneset në vitin 2012 nga ndërprerjet e energjisë elektrike.

Humbjet nga ndërprerjet e rrymës, si përqindje e shitjeve vjetore nga bizneset, ishin 7.3% në Kosovë në 2013-ën, krahasuar me 0.1% në Slloveni, 0.8% në Mal të Zi, apo 2.6% në Shqipëri.

E treta, në rrafshin ligjzbatues, sipas Bankës Botërore (BB), zgjidhja e një kontesti ligjor – pra, zbatimi i një kontrate përmes sistemit gjyqësor merr plot 420 ditë, kushton rreth 33% e vlerës së pretendimit dhe kërkon 53 procedura të mundimshme.  

E katërta, në lidhje me tregun e punës, sipas BB-së, kuadrot teknike, siç janë operatorët e makinerisë, si dhe ata me shkollim universitar, janë në deficit të theksuar. Por, tregu mbetet i tejngopur me nëpunës zyrash, zejtarë e shitës. 

7. 

Ndonëse adresimi i hendekut zhvillimor rëndom vështrohet nga pikëpamja e mobilizimit të resurseve zhvillimore, kjo qasje mund të rezultojë e pasuksesshme. 

Trajtimi i ngecjes ekonomike nga prizmi i heqjes së “ngushticave të zhvillimit” ofron një perspektivë të freskët për ta riformuluar qasjen institucionale ndaj saj. 

Para se gjithash, kjo do t’i ofronte cilësdo qeveri në ardhje, një mundësi të shkëlqyer për ta rikthyer kredibilitetin qeverisës përmes rivendosjës së pronësisë së munguar mbi procesin zhvillimor. 

Ajo do të paraqiste një shkëputje të rëndësishme nga përpjekjet e së kaluarës të cilat i serviren vendit një përzierje e mjegulluar synimesh pa ndonjë sens të qartë të prioriteteve strategjike.

Kjo do t’i ofronte vendit – më në fund – një listë të realizueshme të prioriteteve strategjike dhe jo një ushtimë shurdhuese të listave të gjata të dëshirave zhvillimore.

Fokusi te heqja e ngushticave e ripërqendron vëmendjen institucionale te frenuesit më seriozë ekonomikë dhe ngre kthimin shoqëror nga investimi më i përqendruar i parasë së kufizuar publike.

Një kryeministër i ardhshëm me legjitimitet për të zbatuar një agjendë transformuese të zhvillimit, duhet ta rishpërndajë paranë publike – buxhetin – tek adresimi i çështjeve që e bëjnë kapitalin e shtrenjtë, tregun e punës të ngrirë, sistemin energjetik të amputuar, si dhe ligjvënien e shtrembëruar. 

Ngufatja që prodhojnë ngushticat e zhvillimit është pjesë e “radarit politik” të pushtetmbajtësve; çështja është çfarë do t’i shtyjë ata ta shohin heqjen e tyre sipas lentës së përfitimit politik. 

Pasiguria që mund t’u shkaktohet atyre në të ardhmen në mbajtjen e pushtetit, është instrumenti më i qëndrueshëm që kjo çështje të merret më seriozisht nga ta.  

*

Artan Loxha është ekonomist i zhvillimit. Ai ka mbarur studimet në ShBA (Columbia University) dhe Britani të Madhe (London School of Economics), ndërkaq ka punuar në Bankën Botërore në Uashington si ekspert i politikave të punësimit.