9 përfundime të nxjerra nga raporti i FMN-së

1.Ekonomia e Kosovës nuk po shënon rritje aq shpejt sa do të duhej.

FMN: Rritja e parashikuar prej 3 për qind për vitin 2015 “është më mirë se ajo e disa prej fqinjëve të Kosovës, por ende është nën nivelin e duhur që ekonomia të krijojë vende të mjaftueshme pune dhe t’i rrisë të ardhurat e shtetit.”

Përfundimi: Thënë shkurt, Kosova ishte në pozitë aq ulët sa 3 për qind nuk do të thotë shumë. Është sikur të keni pagë prej 400 euro në muaj dhe pastaj vitin e ardhshëm të fitoni 412 euro në muaj. Jeni me fat nëse kjo do të mbulojë inflacionin. 

2. Ekonomia mbahet gjallë falë diasporës.

FMN: “Remitancat e qëndrueshme kanë siguruar vazhdimësinë e rritjes përkundër rezistencave të jashtme dhe të brendshme.”

Përfundimi: Veprimtaria e brendshme ekonomike e Kosovës dhe investimet e huaja janë në gjendje të dobët. Diaspora, e përqendruar në Evropën Perëndimore dhe Amerikën Veriore, është duke e mbajtur atë gjallë duke dërguar në shtëpi qindra milionë euro në vit. Një gjë e tillë siguron kafshatën e bukës për shumë njerëz në Kosovë, por jo edhe një rrugë drejt prosperitetit. Çdokush që ka ndihmuar ndonjëherë një mik apo familjar në kohë të vështira, apo ka përfituar vetë ndihmë, e di këtë.

3. Rritjet e sektorit publik i kanë shkaktuar dëm shtetit. Pikë. 

“Vitin e kaluar, autoritetet kanë rritur në masë të konsiderueshme pagat publike dhe benefitet, dhe rregulli fiskal është përmbushur vetëm përmes shkurtimeve të thella të shpenzimeve tejet të nevojshme kapitale.”

Përfundimi: Hashim Thaçi ka rritur drastikisht pagat e shërbimit civil gjatë dy mandateve të tij si kryeministër, aq shumë sa në disa sektorë ato janë dyfishuar. Kjo mund t’i ketë fituar vota – mbase jo të mjaftueshme – por Kosova e ka paguar dhe vazhdon ta paguajë çmimin. Këto para kanë mundur të shpenzohen në projekte për përmirësimin e vendit në disa fusha: arsim, shëndetësi, infrastrukturë, zhvillim ekonomik, mes tjerash.

4. Na hyri inspektori tatimor.

FMN: “Rritjet e fundit të taksave të akcizës janë gjithashtu masa të mirëpritura, meqë ato forcojnë resurset e shtetit për t’u përballë me obligimet më të larta, pa krijuar çrregullime madhore. Mund të ketë nevojë për masa shtesë këtë vit dhe vitin e ardhshëm; një reformë në TVSH-në që do të nxiste rritje domethënëse të të hyrave do të mund të ishte opsion i rëndësishëm.”

Përfundim: Kosova duhet të gjejë më shumë para për t’i mbuluar këto zotime të mëdha financiare, përfshirë pagat e qeverisë dhe projektet e autostradave, siç është rruga me Maqedoninë – dhe të mos të futet në borxh më të thellë. Qeveria veçse ka vendosur ta rrisë taksën e akcizës (me gjithë pakënaqësinë e prodhuesve vendorë të alkoolit). Mos t’ju zënë befas rritjet e mëtejme të tatimeve.

6. Bankat janë të shëndetshme, por ende nuk po japin kredi të mjaftueshme.

FMN:   “Bankat e Kosovës kanë kapital të mirë, janë likuide dhe fitimprurëse… Por, përkundër gjendjes së mirë dhe likuiditetit të mjaftueshëm të bankave, kredidhënia vazhdon të jetë e kufizuar, pjesërisht për shkak të mjedisit në të cilin ato veprojnë..”

Përfundimi: Përderisa tregu i huadhënies në Kosovë është përmirësuar viteve të fundit, normat e kamatës vazhdojnë të jenë të larta (do kush kredi me 10 për qind?). Është vështirë të zhvillohet ekonomia nëse nuk lehtësohet marrja e kredisë. Përderisa do të ishte shumë lehtë që t’i fajësonim bankat se po bëhen tepër lakmitare, ato kanë arsye të jenë aq dorështrënguara. Është ende tejet vështirë që t’ikthejnë mjetet kur huamarrësit dështojnë, veçanërisht për shkak se sistemi juridik është shumë i ngadaltë.

7. Kosova duhet të prodhojë më shumë.

IMF: “Një sfidë kyçe për përparimin e Kosovës është rritja e kapacitetit të prodhimit dhe eksportit të ekonomisë së saj. Me plotë të drejtë, kjo është politika me prioritetin më të lartë për autoritetet.”

Përfundimi: Do të duhet shumë kohë deri kur Kosova të prodhojë dhe eksportojë mallra fizike në masë të madhe. Por ende ka potencial të madh në sektorin e teknologjisë. Nuk ka arsye që një ditë të mos bëhet Estonia e Ballkanit.

8. Energjia është e rëndësishme, shumë e rëndësishme.

FMN: “Sfida e menjëhershme do të jetë që të trajtohet infrastruktura e vjetërsuar energjetike e Kosovës. Në vitet në vijim, termocentralet e vjetra mund të mos jenë në gjendje të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të energjisë elektrike për sektorin privat, që do të paraqiste pengesë madhore për zhvillim.”

Përfundimi: Gjendja energjetike e Kosovës është më e mirë se që ishte dikur. Por ndërprerjet e energjisë elektrike ende ndodhin shumë shpesh dhe kjo ka ndikim në biznese, të cilat ose kanë shpenzuar shumë para në gjeneratorë ose i përjetojnë ndërprerjet në vuajtje. Do të duhen vite para se të jetë avancuar infrastruktura e energjisë – dhe të jetë ndërtuar termocentrali kontrovers Kosova e Re. Do të mirëpritej më shumë energji nga burime të ripërtëritshme. Subvencionet për biznese dhe ekonomi familjare për instalimin e paneleve solare do të ishte hap i madh përpara.

9. Shumë njerëz nuk janë të punësuar.

IMF:  “Kosova ka një nga shkallët më të ulëta të punësimit në Evropë (në përgjithësi dhe posaçërisht tek të rinjtë dhe gratë), pjesërisht për shkak të mospërputhjeve të mëdha të shkathtësive. Autoritetet duhet ta rrisin qasjen dhe cilësinë e shkollimit parafillor dhe fillor, si dhe të aftësimit profesional.”

Përfundimi: Problemi i Kosovës nuk është vetëm se nuk ka punë të mjaftueshme. Një ankesë e vazhdueshme e bizneseve dhe menaxherëve në Kosovë është se ata thjeshtë nuk po mund t’i gjejnë njerëzit e duhur që mund të kryejnë punë të caktuara. Më shumë përpjekje për t’i futur gratë në tregun e punës gjithsesi se do të ndihmonin. Kjo duhet të trajtohet me urgjencë, duke e rregulluar sistemin arsimor.