Qëndresa e Thaçit

Hashim Thaçi është vetëm 46-vjeçar, por ka qenë figurë udhëheqëse politike për më shumë se një të tretën e jetës së tij.

Para zgjedhjeve të muajit qershor vërtetë mendoja se Hashim Thaçi kishte pësuar përmbytje politike – apo se vështirë do të arrinte t’i mbijetonte këto zgjedhje, sepse më dukej se njerëzit kanë shumë më shumë arsye për të mos e votuar PDK-në se sa për ta votuar atë.

Por, ai mbijetoi falë një fushate të matur dhe falë mbajtjes së kursit, Gjykatës Kushtetuese dhe një opozite që u vërtetua se nuk është edhe aq e fuqishme.

E ndërsa Thaçi është duke i bërë gati çelësat e Zyrës së Kryeministrit, të cilët duhet t’ia dorëzojë një bartësi tjetër të këtij posti, Kosova mund ta ketë atë në udhëheqje edhe për pesë vite tjera, por në cilësinë e Presidentit.

Por çfarë lloj presidenti do të jetë ai? A do të bëhet Thaçi si Tomisllav Nikolliqi i Serbisë, i cili në skenë është vetëm nominalisht ndërsa në thelb është i pensionuar. Apo, mos është frymëzuar nga Rexhep Erdogani i Turqisë, i cili duket se është i përkushtuar që këtë post ta mbajë përjetë. Natyrisht se ekzistojnë edhe plot opsione të ndërmjetme.

Edhe pse është tepër herët që për këtë punë të ngritet alarm, është paksa brengosës fakti se Kosova e ka pasur vetëm një lider që kur është bërë shtet, por edhe fakti se ky lider dhe partia e tij si duket janë zotuar që të mbesin në pushtet.

PDK pati një mundësi të mirë pasi opozita u bashkua kundër tyre. Rezultatet e zgjedhjeve treguan se baza kryesore e përkrahjes për PDK-në po zhvendosej nga fshatrat drejt qyteteve.

 Kjo gjë u dha atyre një rast, mendoj unë, që të tërhiqen në opozitë, të punojnë në ristrukturim dhe riformësim të partisë së tyre në një fuqi më të re dhe më dinamike, e cila do të joshte më shumë se 30 për qind të elektoratit.

Mbase edhe kjo ishte pjesë e planit. Por për momentin PDK vazhdon t’i qëndrojë besnike status kuosë, e edhe Thaçi do vazhdojë të jetë i pranishëm në jetën politike. Por, pyes veten nëse këta votues të rinj urbanë do vazhdojnë të shtohen kësisoj.