Lëmshi me Buxhetin e Shtetit

Po bëhen gati gjysmë viti prej kur Kosova është pa institucione të rregullta qeverisëse: pa Qeveri e pa Kuvend. Kjo stërzgjatje e ngërçit politik ka filluar që të qes jashtë funksionit një nga një edhe agjencitë e pavarura dhe rregullatorët e tregut në të cilat mandati i anëtarëve të bordit po skadon dita e ditës.

Se çfarë efekti ka ngërçi politik në rregullatorët e tregut e dëshmon më së miri edhe veprimtaria e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, të cilët morën dy vendime për rritjen e çmimit të energjisë me Bord të cunguar. 

E në anën tjetër, peticioni i nënshkruar nga mbi 30 mijë qytetarë nuk gjen adresë për tu shqyrtuar.

Por, përkundër asaj se tani e gjashtë muaj nuk kemi institucione qeverisëse kuptimplota; përkundër asaj se Qeveria në largim nuk mund të zbatoj Agjendën Legjislative të 2014; përkundër asaj se Plani i Punës së Qeverisë së Kosovës nuk mund të zbatohet ngase një Qeveri si kjo i ka ditët e numëruara dhe nevojitet qeveri e re e dalë pas zgjedhjeve të 8 qershorit, është diçka që nuk po ndalet së shfrytëzuari e keq shfrytëzuari: Buxheti Shtetërorë.

Disa muaj pas aprovimit të Buxhetit 2014 nga Kuvendi dhe disa muaj para shpërbërjes së Kuvendit, Qeveria kishte marr vendim për rritjen e pagave në sektorin publik, vendim i cili e nxorri nga kornizat Buxhetin e 2014. 

Tani, kur nuk kemi Kuvend për të rishikuar Buxhetin dhe në të njëjtën kohë për të mbikëqyrur shpenzimin e parasë publike, ashtu siç i takon Kuvendit me Kushtetutë, Qeveria në largim është duke marrë vendime të cilat dalin jashtë autorizimeve që i takojnë me Ligjin për Financat Publike dhe Përgjegjësitë.

Pas aprovimit të Buxhetit nga Kuvendi, Qeveria ka marrë vendime të cilat ridestinojnë mbi 50 milion euro, ridestinime në mes të kategorive buxhetore, në mes ministrive, apo në mes ministrive dhe ndërmarrjeve publike. 

Përveç kësaj, Qeveria rriti pagat e tërë shërbyesve publik (mbi 120 milion euro shtesë), rriti përfitimet e kategorive sociale për 25%, rriti kompensimet për ish të burgosurit politik. Vetëm më 2014, kategoria e subvencioneve sociale në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është ngritur për mbi 34 milion euro.

Vendimet e papërgjegjshme të Qeverisë, përveç që kanë bërë lëmsh Buxhetin e Shtetit, kanë rrezikuar edhe qëndrueshmërinë e institucioneve të pavarura. Pak para zgjedhjeve, Qeveria mori vendim që të gjithë studentët e rinjë që regjistrohen në vitin e parë në Universitetin e Prishtinës do të kenë studimet falas; studentët në tri nivelet universitare do të paguajnë 50% më pak; kurse bursat për studentë do të rriten nga 1000 në 1500. Tani, ky vendim i Qeverisë ka vënë UP-në para kolapsit financiar. 

Përveç kësaj, Qeveria ka marr vendim për ndarjen e gjysmë milioni euro për Radio Televizionin Publik, duke shkelur direkt pavarësinë financiare të këtij mediumi, duke shkelë Ligjin për transmetuesin publik si dhe duke shkelë edhe Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.

Në anën tjetër, të hyrat buxhetore për gjashtë mujorin e parë të 2014 janë më të ulëta se në të njëjtën periudhë të 2013 për 4.9%. Shpenzimet kapitale janë më të ulëta për 11.1% se sa në të njëjtën periudhë të 2013. Kurse, pagat e zyrtarëve publik, si ministrat, këshilltarët politik, e deri tek grupet punuese qeveritare për politika të cilat nuk do ti shtyj asnjë qeveri e re, vazhdojnë të shpenzojnë buxhetin në mëditje, shpenzime të drekave, paga, etj.

Këto vendime, të shtyra nga mania e papërmbajtshme për të fituar zgjedhjet parlamentare, janë klasifikuar si vendime të dëmshme edhe nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për Kosovën. 

Me një menaxhim të këtillë të buxhetit pa asnjë kriter, duke mos respektuar vendimin e Kuvendit, duke marrë vendime të pa planifikuara, shtrohet pyetja se përse na u dashka një Ligj për Buxhetin apo një Ligj për Menaxhim të Financave Publike? E aq më pak, çfarë na duhen planifikimet afatmesme, siç është Korniza Afatmesme e Shpenzimeve, kur nuk arrijmë të respektojmë as për dy muaj ndarjet buxhetore siç janë ato të 2014?

Kosovës nuk i duhet një Kryeministër apo një ministër i financave që shfrytëzojnë taksat e qytetarëve sipas tekeve të tyre personale. Për tu ndalë rrugën keqpërdorimeve si këto, Presidentja, liderët politik dhe Kushtetuesja duhet të gjejnë një rrugëdalje nga ngërçi politik sa më parë.