Siguria Prapa Grilave

Më 2008, si hulumtues në Institutin GAP më kishte rastisur të intervistoj zëdhënësin e Policisë së Kosovës (tanimë një ish-zëdhënës), lidhur me arsyen nga pikëpamja e sigurisë e mbajtjes së grilave para institucioneve publike. 

Përgjigjja e tij, me një tendencë humori por që tingëllonte goxha e vrazhdë, ishte se grilat janë aty për “mos me hy lopt”! 

Pas aksionit të Inspektoratit të Komunës së Prishtinës për largimin e rrethojave të institucioneve publike, kishte reagime të shumta rezistuese. Arsyetimi më i shpeshtë që u përdor kundër largimit të këtyre rrethojave ishte aspekti i sigurisë. Duke i dëgjuar kundërshtimet e përgjegjësve të Qendrës së Studentëve, apo ato të Radio Televizionit të Kosovës dhe institucioneve tjera, m’u kujtua përgjigjja e zëdhënësit të policisë: kush po e rrezikon sigurinë? Lopët? 

Tendenca për të larguar rrethojat para institucioneve publike ka ekzistuar edhe më herët. Ish-udhëheqja komunale e Prishtinës i kishte dërguar letër Ministrisë së Administratës Publike që t’u asistojë në këtë nismë, por pa sukses. 

Edhe për largimin e rrethojave para Ministrisë së Kulturës, apo para objektit qeveritar të njohur si “Gërmia” ka pasur rezistencë. Por a mund të paramendoni se sa më vrazhdë do të dukej sheshi “Nëna Terezë” në rast se do të ktheheshin rrethojat në shesh para këtyre objekteve?

Sipas sociologut urban Lewis Mumford, rrugët e qytetit, sheshet e tij, fasadat e ndërtesave, WC-të, hapësirat e brendshme e lokaleve të banimit, mënyrat e vendosjes së rrjetit të kanalizimit të ujërave të zeza dhe të bardha, gjithçka që zë hapësirën materiale të qytetit, lidhet drejtpërdrejt me natyrën e pushtetit që kontrollon qytetin dhe me kulturën e elitave të drejtuesve të tij. 

Si do të kishte vlerësuar Mumford natyrën e pushtetit në Kosovë dhe kulturën e elitave politike kosovare, nëse do të kishte vizituar Prishtinën? Çfarë përshtypje do t’i linin një sociologu urban si Mumford, rrethojat e larta para objekteve publike?

Në qershor të 1999-ës, kur institucionet civile ndërkombëtare u vendosën në objekte të ndryshme në Prishtinë dhe qytete tjera të Kosovës, veprimi i parë që ndërmorën ishte vendosja e rrethojave përreth objekteve. Madje, në ndërtesat e OKB-së, rrethojat u ngjyrosën edhe me ngjyrat e OKB-së: bardh e kaltër dhe me gjemba mbi to.

A kemi nevojë tash, edhe 15 vjet pas luftës që të mbajmë objektet të rrethuara me tela? A po dëshirojmë të dërgojmë një sinjal për Prishtinën si një qytet i pasigurt?

Kam përshtypjen se opinioni publik në përgjithësi, si partitë politike, shoqëria civile, mediet dhe forumet tjera sociale, kemi krijuar një gjendje të atillë ku me dyshim e shohim çdo nismë. Reagimi i parë për një veprim të ri të pushtetit është reagimi kundërshtues. Kemi krijuar një premisë ku çdo veprim i pushtetit në parim është i keq, deri sa të vërtetohet e kundërta. 

Zona urbane në kryeqytet nuk duhet të luajë vetëm rolin e interesave ekonomike, ose të shërbejë si hapësirë ku institucionet publike ushtrojnë pushtetin e tyre prapa rrethojave. Një zonë urbane duhet të shërbejë edhe si hapësirë ku njerëzit jetojnë të qetë, zbaviten, shëtisin, bëjnë sport, edukohen. 

Një nga problemet e mëdha të Prishtinës është edhe pamja e vrazhdë e qytetit. Sipas një ankete të Institutit GAP më 2009, përveç rrethojave të hekurta, në pamjen e vrazhdë të qytetit ndikojnë edhe fasadat e vjetra të ndërtesave kolektive, pjatat satelitore në ballkonet e banesave, shtyllat e ngarkuara me kabllo të rrymës dhe operatorëve kabllorë, ndërtimet pa leje, kontejnerët e shkatërruar, etj. 

Lirimi i hapësirave publike në kryeqytet është një veprim që duhet mbështetur. Largimi i rrethojave duhet të zëvendësohet me hapësira gjelbëruese. Ky duhet të jetë vetëm hapi i parë në drejtim të përmirësimit të imazhit të qytetit dhe krijimit të një zone urbane në të cilën mbështetet zhvillimi i një jete të qetë për të gjithë banorët.