Kur i Hedhim Hi Syve

Më 2009 po asistoja në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane në përpilimin e Planit të Veprimit për Zgjidhjen e Sfidave të Raportit të Progresit. Kur diskutimet arritën tek sfida e papunësisë së lartë tek të rinjtë dhe komisioni duhej të paraqiste një plan veprimi, njëri nga deputetët propozoi që të shkruhej se ky problem është trajtuar, ngase është aprovuar Ligji për Fuqizimin e Rinisë.

Ky rast mu kujtua gjatë kësaj jave kur po diskutonim në një debat publik për të gjeturat e raportit të progresit për Kosovën 2015. Përfaqësuesi i Qeverisë në këtë debat, pasi lexoi disa pika ku raporti lavdëron qeverinë, u përqendrua edhe në disa pika anësore ku raporti kritikon institucionet kosovare. Sipas përfaqësuesit zyrtar, Qeveria do mundohet që gjatë 2016 të zgjidh problemin e mungesës së objektit për Avokatin e Popullit.

Këta dy shembuj tregojnë qasjen e Qeverisë për zgjidhjen e sfidave nga raportet e progresit, nga ai i pari më 2005 e deri tek ky i fundit më 2015.

Problemet si papunësia nuk zgjidhen duke aprovu ligje. E as nuk funksionalizohet puna e Avokatit të Popullit duke ia zgjidh problemin e objektit. Përveç objektit, raporti i progresit përmend edhe shumë sfida tjera që e përcjellin punën e Zyrës së Avokatit të Popullit, duke përfshi edhe padëgjueshmërinë e institucioneve më të larta shtetërore për të trajtu rekomandimet e Avokatit të Popullit që kanë të bëjnë me shkeljet e të drejtave të njeriut.

Në disa infografika të publikuara nga Instituti GAP, ku krahasohet progresi në dhjetë vitet e fundit në fushat kryesore politike, ekonomike dhe standardet evropiane, shihet se janë së paku 13 fusha të rëndësishme të politikave publike ku asnjëherë brenda një dekade nuk ka pasur progres të kënaqshëm. Në këtë mes hyjnë lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, stabiliteti makroekonomik, reformimit të administratës publike, funksionimit të ekonomisë së tregut, e të tjera fusha si këto.

Tani, kur e sheh se për dhjetë vite, stabiliteti makroekonomik dhe ekonomia e tregut janë vlerësuar me nota negative, nuk është çudi se si na është vonuar Marrëveshja e Stabilizim Asociimit apo liberalizimi i vizave, por e kundërta është për tu çuditur. Nuk na nevojiten MSA e liberalizimi i vizave si shpërblim për dialogun me Serbinë. MSA e liberalizimi i vizave do të duhej të shikoheshin si shenja të progresit të brendshëm.

Për institucionet kosovare nuk duket se kritikat e Komisionit Evropian janë të rëndësishme. Edhe më tutje, sfidë më e madhe për këtë Qeveri mbetet rehatimi i familjarëve dhe bashkëpartiakëve në borde të ndërmarrjeve publike e agjencione të pavarura, se sa adresimi i sfidave të raportit të progresit.

Javën e kaluar, Kryeministri hapi mbledhjen e 58 të Qeverisë me zotimin se do të adresohen kritikat e raportit të progresit, për të vazhduar pastaj me të njëjtin ritëm të qeverisjes sikurse në 57 mbledhjet paraprake të Qeverisë. Marrja e vendimeve të cilat bien ndesh me interesin nacional të vendit, e të cilat i shkojnë për shtati interesave të ngushta personale. I tillë ishte edhe vendimi i fundit i Qeverisë për të nominuar për anëtar të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë tre persona amatorë partiak të të dy partive në pushtet.

Me këtë mënyrë të qeverisjes, ku kritikës për mos plotësim të bordeve i përgjigjemi me emërim të anëtarëve partiak, ku papunësisë tek të rinjtë i përgjigjemi me aprovim të një ligji, e ku funksionalitetin e Avokatit të Popullit e zgjidhim me ndërtim të një objekti, ata po e rrejnë veten dhe neve se po i adresojmë sfidat, por nuk do arrijmë të rrejmë të tjerët.

Kjo është edhe një arsye shtesë përse dialogu në Bruksel duhet të përfundoj sa më parë. Nuk e kemi luksin si shoqëri ku qeveritarët tanë shpërblehen për shkak se kanë qenë të dëgjueshëm në negociata, e ku zgjedhjet parlamentare gjithsesi duhet të sjellin koalicione mes të fortëve të cilët janë në pozitë që të vazhdojnë bisedimet pa fund. Të fillojmë të merremi me problemet konkrete ekonomike, sociale e ligjore, e jo vetëm me fasadim të problemeve për tu dukur mirë në sy të bashkësisë ndërkombëtare.