Mustafa Thotë se Kërkoi Anulimin e Kontratës me Djemtë e Tij

Por ai po në këtë mbledhje mohoi se është bërë ndonjë shkelje ligjore gjatë dhënies së kësaj kontrate prej 2 mijë e 900 eurosh.

Gazeta Jeta në Kosovë publikoi në fund të gushtit hulumtimin e Parim Ollurit që tregon se kjo kontratë për servisimin e makinës zyrtare të qeverisë të llojit BMW i është dhënë kompanisë “Makcar” që drejtohet nga Besnik e Arben Mustafa, djemtë e kryeministrit.

Në mbledhjen ku njoftoi kërkesën për anulim të kësaj kontrate që iu dha familjarëve të tij, kryeministri Mustafa deklaroi se gjatë tetë muajve të qeverisjes së tij nuk ka ndodhur ndonjë aferë korruptive.

Ai u kërkoi ministrave të kabinetit të tij që të punojnë për eliminimin e çdo lloj korrupsioni në dikasteret që udhëheqin. Megjithatë, ai e pranoi se se perceptimi për korrupsionin nga qytetarët del të jetë i lartë dhe sipas tij po ndikon në ndërtimin e një shteti ligjor dhe integrimit të Kosovës në BE dhe organizma të tjera ndërkombëtarë.

Në mbledhje Ministria e Financave bëri të ditur se ka ndarë 200 mijë euro për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik në lidhje me përfaqësimin e Kosovës në arbitrazhin e kërkuar nga “ACP Axos Capital” GMBH, pas dështimit të privatizimit të PTK-së.

Këtë e kishte kërkuar nga Ministria e Financave në fillim të shtatorit vetë qeveria.

Qeveria gjithashtu miratoi sot Projekt-strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm 2015-2020 dhe plani i veprimit për zbatimin e kësaj strategjie.