Qeveria Mobilizohet për Gjyqin e Privatizimit të PTK-së

Oferta e ACP Axos Capital Partners, për 277 milion euro dështoi kur Kuvendi i Kosovës refuzoi të miratojë shitjen e PTK-së.

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, ka thënë se kanë ardhur në përfundim që Zyra e Avokatit të Shtetit nuk ka kapacitete adekuate për një përfaqësim të tillë dhe nuk ka përvojën e duhur.

Prandaj sipas tij kjo duhet të bëhet nga një përfaqësi adekuate e autorizuar. 

“Zyra e Avokatit të Shtetit, pas konsultimeve që i ka bërë brenda përbrenda vetes, kemi ardhur në përfundim se nuk ka kapacitete adekuate për një përfaqësim të tillë dhe nuk ka përvojën e duhur që mund ta bëjë një përfaqësim adekuat”, tha ai.

Sipas ministrit, kjo duhet të bëhet nga një përfaqësi adekuate të autorizuar që mund të ketë përvojë dhe mund ta bëjë përfaqësimin adekuat.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se sipas vlerësimeve në këtë rast lypset një përfaqësim shumë profesional në mënyrë që të mbrohet interesi i buxhetit të Republikës së Kosovës.

Sipas këtij propozimi do të autorizohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik për inicimin e procedurave për zgjedhjen e përfaqësimit lidhur me kërkesën për arbitrazh drejtuar institucioneve të Kosovës nga kompania “ACP Axos Capital” GMBH.

“Duhet diku rreth 200 mijë euro të sigurohen në këtë fazë dhe po ashtu nëse ka nevojë t’i shtojmë edhe një pikë këtij vendimi që ministria do të përkrahet nga Ministria e Drejtësisë dhe nga zyra e kryeministrit në të gjitha këto procedura”, u shpreh Mustafa.

Edhe ministri i Financave Avdullah Hoti, theksoi se për sigurimin e mjeteve nuk ka burim tjetër përveç shpenzimeve të paparashikuara.

“Për këto mjete nuk ka burim tjetër përveç prej shpenzimeve të paparashikuara me mundësi që së bashku në konsultim me kolegët ministra të shohim mundësinë që të përdorim një pjesë të mjeteve për shërbimet konsulente që i kanë ministritë e ndryshme që të angazhojmë konsulent të jashtëm kur kemi nevojë”, u shpreh Hoti.