Vetura Zyrtare e Gazmend Muhaxherit Dëmtohet në Aksident

Aksidenti kishte ndodhur më 15 gusht, derisa shoferi i Gazmend Muhaxherit ishte në udhëtim zyrtar për punët e shefit të tij, bënë të ditur për KALLXO.com, zëdhënësi i Komunës së Pejës, Engelbert Zefaj.

“Aksidenti ka ndodhur diku në rajonin e Ferizjait. Shoferi i Kryetarit ka qenë në udhëtim zyrtare për një punë të Kryetarit, kur ka ndodhur aksidenti. Fatmirësisht nuk është lënduar askush, përveç dëmtimit të veturës”, tha Zefaj.

Ai ka shtuar së vetura e zyrtare e Kryetarit të Pejës si pasojë e aksidentit ka pësuar dëme të mëdha, ndërsa rasti i aksidentit është paraqitur në Policinë rajonale të Ferizajit.

“Rasti menjëherë është lajmëruar në Policinë e Ferizajt dhe aty janë të gjitha raportet e aksidentit. E di që vetura është e dëmtuar shumë dhe vështirë që riparohet, por megjithatë ka mbetur të formohet një komision vlerësues për të vendosur për fatin e atij automjeti”, u shpreh Zefaj për KALLXO.com

Zëdhënësi i Komunës nuk ka bërë të ditur së në cilin vend është e vendosur vetura për momentin, vetëm se ka thënë së ajo është në një vend që askujt nuk i pengon.

Vetura zyrtare e Kryetarit të Komunës së Pejës është e markës “Mercedes” e tipit 211, dhe është e prodhuar në vitin 2003.

Ndërsa policia rajonale e Ferizajt ka konfirmuar se, sipas raportit policor, aksidenti ka ndodhur me 14.08.2015 rreth orës 06:40 në magjistralen Kaçanik- Ferizaj, në fshatin Gërlicë.

“Vozitësi i automjetit ,,Mercedes” me targa 03Z-01-17 ka shkaktuar aksident trafiku me dëme materiale duke marrë veprim për tejkalim pa u bindur se a i pengon pjesëmarrësit tjerë në komunikacion”, tha për KALLXO.com zëdhënësi rajonal i policisë, Agim Gashi.

Ai tha se lënda e kompletuar është përcjellë në Gjykatën për Kundërvajtje në Ferizaj.

Ndërsa Divizioni për Kundërvajtje në Gjykatën Themelore në Ferizaj, tha për KALLXO.com se gjyqtari i çështjes e ka caktuar seancën për datën 15 shtator për këtë rast.