Isa Mustafa: Kam Nevojë për Pare të Madhe, Jo 2900 Euro

Kësaj radhe Muastafa është mbrojtur duke argumentuar se shuma financiare në fjalë është tepër e vogël për t’i interesuar atij.

“Në paça nevojë kam nevojë për naj pare të madhe sepse për 2 mijë e 900 euro edhe si profesor universiteti edhe si kryeministër edhe si anëtar i akademisë nuk i vlerësoj” deklaroi Kryeministri i vendit.

Por ai nuk specifikoi as nevojat e as shumën e “pares së madhe”, por shtoi se në fakt edhe shuma si ajo e servisimit të makinës, i vlerëson çdo herë “por nuk janë pare që mu bo bujë”.

Gazeta Jeta në Kosovë publikoi më 24 gusht se Zyra e Kryeministrit aplikoi procedurë të mbyllur tenderuese për të kontraktuar një kompani për servisim të automjeteve. Nëpërmjet kësaj procedure shpalli fitues kompaninë Makcar që është në pronësi të djemve të kryeministrit Isa Mustafa, Besnikut e Arbenit.

Ky hulumtim i gazetarit Parim Olluri pati jehonë në media ndërkombëtare, megjithatë, pak orë pas publikimit të tij, Isa Mustafa shkroi në faqen e tij në Facebook se lajmi ishte “budallallëk”.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, ai tha se qeveria e tij ka diku 1 mijë makina, nga të cilat rreth 850 janë në gjendje të rregullt, rreth 200 janë në gjendje jo të rregullt dhe është marrë vendimi që kryesisht të fillohet shitja e një pjese të tyre.

“Unë lidhje nuk kam pas se ku i qojnë njerëzit tanë këtu makinat me i servise”, tha Mustafa, duke shtuar se “për fat të keq një prej atyre makinave e kanë qu në një servis apo përfaqësues të BMW-së, ku djali im është menaxher i saj”.

Ai shpjegon edhe sesi ka përfunduar makina në servisin e djalit të tij, duke argumentuar se në servise të tjera ishte kryer një shërbim i dobët.

“E kanë qu në servise tjera ku e kanë shkatërru motorrin dhe është detyru ta dërgojnë në fund me bo servisimin dhe është bërë një ofertë prej 2 mijë e 900 dhe e cila është ofertë për punët që janë kry dhe pjesët që janë ndërru”, tha Mustafa.

Ai vërejti se në qoftë se në këtë rast është bërë ndonjë shkelje, është agjencioni kundër korrupsion që vlerëson nëse ka konflikt të interesit.

Kryeministri i Kosovës vërejti se nuk ka pasur asnjë qëllim përfitimi në këtë ndodhi.

“Se me jua pas dhënë tenderin 100 mijë apo 500 mijë apo 1 milion hajt diqysh, po 2 mijë e 900 euro mu bo rast dhe me than që kryeministri me djem të vet po plaçkit buxhetin”.

Kjo çështje degjeneroi në media sociale, saqë i përballur me akuza mbi këtë çështje nga opozita, Kryeministri i vendit u kundërpërgjigj ashpër duke përmendur ndër të tjera edhe epitetin “gomar”.