Nis në Durrës Shkolla Verore e BIRN për Gazetari Hulumtuese

Blake Morrison, redaktor i projekteve hulumtuese në Reuters në Nju Jork dhe trajnues kryesor i kësaj shkolle, lansoi një program të ngjeshur duke kërkuar nga gazetarët që “t’i përdorin aftësitë e vëzhgimit, të jenë kurreshtarë”.

Morrison foli në detaje se si gazetarët mund t’i imtësojnë burimet dhe të gjejnë informata gjatë hetimeve të tyre.

“Njerëzit (burimet) do t’ju besojnë nëse ju realisht përpiqeni ta kuptoni se ku është problemi”, shtoi ai.

Morrison gjithashtu shpjegoi rëndësinë e planifikimit të kujdesshëm të artikujve kompleksë.

Gazetari dhe redaktori i hulumtimeve të BIRN-it, Laërence Marzouk, prezantoi fondin hulumtues të shkollës i cili ofron grante për idetë premtuese për hulumtime.

Ai tha se pjesëmarrësit do të ndahen në grupe dhe do t’i zhvillojnë propozimet hulumtuese për t’ia paraqitur një paneli të jurisë në ditën e fundit. Dy ose tri storje do të financohen nga një shumë prej rreth 6 mijë euro në mënyrë që pjesëmarrësit t’i kryejnë hulumtimet e tyre.

“Unë do t’ju ndihmoj që t’i zhvilloni hulumtimet”, tha Marzouk.

Mar Cabra që udhëheq Njësinë për të Dhëna dhe Hulumtime në ICIJ, nënvizoi se si gazetarët mund të gjejnë të dhëna dhe rëndësinë e gazetarisë së të dhënave. Ajo zbuloi se si i përdori statistikat zyrtare për ta ekspozuar përdorimin shqetësues të drogave psikotropike nga fëmijët në Amerikë.

“Unë vendosa të kontrolloj se sa fëmijë përdorues të drogës në jetimore në shtetin e Teksasit janë të përshkruar dhe të përdorurit e drogave psikotropike nga ana e tyre”, tha Cabra.

Ajo prezantoi një përzgjedhje të storjeve të saja më interesante të bazuara në të dhëna dhe u shpreh se “ne duhet të mendojmë për të dhëna në secilën storje, sepse të dhënat janë gjithkund”.

“Mundohuni të bëni të dhëna as më shumë që të mundeni, dhe jo vetëm për klikime, dhe përdorni ato për hulumtime”, tha ajo.

Pasdite, u shfaq filmi dokumentar i Philipp Grull “Skuadrat e Vdekjes të Titos- Vrasja e Azilantëve të ish Jugosllavisë në Gjermani”.

Dita e parë e sesioneve punuese përfundoi me një diskutim rreth përdorimit të dosjeve konfidenciale me Philipp Grull, Anuska Delic, gazetare hulumtuese në gazetën sllovene Delo, Besar Likmeta, redaktor i BIRN në Shqipëri dhe Marija Ristiq, asistent- redaktore e Drejtësisë Transicionale të Ballkanit.

Edicioni i gjashtë i Shkollës Verore të BIRN-it bën bashkë gazetarë të rinj nga Serbia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Austria, Kosova, Palestina, Gjermania dhe Gjermania për të mësuar nga ekspertët se si të përdoren mediat sociale për t’i zbuluar krimet, aftësitë për t’i deshifruar kompanitë e huaja dhe si të bëhet që të flasin burimet që hezitojnë për ta bërë këtë.

Shkolla Verore e Raportimit Hulumtues 2015 është organizuar nga BIRN në bashkëpunim me Programin për Media për Evropën Juglindore të Fondacionit Konrad- Adenauer me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim, Fondacionit për Shoqëri të Hapur dhe USAID Maqedonia.